Freedom House: Përparim i pamjaftueshëm i demokracisë në Ballkan

Sipas VOA, 24 qershor 2015

FITW_World_Map_24x16_fa_GF2015

Demokracia në vendet e Ballkanit vazhdon të jetë e brishtë dhe në disa raste ka pësuar rënie, sipas raportit të organizatës Freedom House “Vendet në Tranzicion”, të botuar dje.

Asnjë nga vendet e Ballkanit nuk ka një demokraci të konsoliduar, thuhet në raportin që mbulon zhvillimet e vitit 2014 dhe 4 nga 7 vendet e përfshira pësuan rënie.

Sipas Freedom House, krahasuar me një vit më parë, Shqipëria ka shënuar përparim, Kosova nuk ka ndryshim dhe Maqedonia ka pësuar rënie.

Raporti arrin në përfundimin se në 29 vendet e analizuara në Europë dhe Euroazi, përpjekjet për demokratizim po përballen me sulme të reja dhe gjithmonë e më agresive.

Kategorizimi i regjimeve sipas nivelit të demokracisë

Shqipëria dhe Maqedonia vazhdojnë të jenë pjesë e grupimit të regjimeve tranzicionale dhe hibride, ku bëjnë pjesë edhe Bosnja, Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukraina. Maqedonia ra vitin e kaluar në këtë kategori.

Në kategorinë e vendeve me demokraci gjysmë të konsoliduar, një vlerësim më i lartë sesa ai i regjimeve hibride, këtë vit bëjnë pjesë Serbia dhe Mali i Zi, por edhe vende të BE-së, si Bullgaria, Kroacia, Hungaria dhe Rumania.

Kosova bën pjesë në kategorinë e regjimeve gjysmë autoritare, së bashku me Armeninë dhe Kirgistanin. Asnjë nga vendet e Ballkanit nuk është mes regjimeve autoritare, ku hyn Rusia dhe ku në nivelin më të ulët është Uzbekistani.

Vendet me nivelin më të lartë të demokracisë hyjnë në grupin e demokracive të konsoliduara, ku përfshihen Sllovenia – me vlerësimin më pozitiv – Estonia, Letonia, Polonia, Republika Çeke, Lituania dhe Sllovakia.

Shqipëria përmirësim, por ende prapa në radhitjen e rajonit

Freedom House thotë se Shqipëria ishte i vetmi vend në Ballkan që shënoi përmirësim në nivelin e demokracisë në përgjithësi në krahasim me vitin e mëparshëm, falë ndërmarrjes së disa reformave dhe hapave paraprakë në luftë kundër korrupsionit nga qeveria që u zgjodh në vitin 2013. Megjithatë, në renditjen e përgjithshme të 7 vendeve të Ballkanit vetëm Bosnja dhe Kosova mbeten pas saj.

Sistemi gjyqësor ende nuk ka demonstruar se merr përsipër ndjekje penale të nivelit të lartë. Gazetaria hetimore është e dobët, pasojë edhe e krimit të organizuar që vazhdon të mbetet shumë i përhapur. Raporti përmend faktin që Shqipëria mori në vitin 2014 statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian, pas tri refuzimeve të mëparshme.

Kosova, vlerësimi i pandryshuar, por ulje dhe ngritje në dy kategori

Vlerësimi i përgjithshëm për Kosovën nuk ka ndryshuar nga viti i kaluar, por vendi ka shënuar rënie në kategorinë e kuadrit dhe pavarësisë së gjyqësorit.

Në kategorinë e pavarësisë së medias është shënuar përparim, falë shtimit të organeve të pavarura të medias dhe gazetarisë investiguese në mediat elektronike.

Megjithatë media në vend vazhdon të vuajë nga problemet që i kanë edhe shumica e vendeve të tjera në rajon, siç janë njëanësia pro qeverisë në radio-televizionet publike, autocensura e shkaktuar nga presioni editorial nga udhëheqësit politikë dhe pronarët dhe ngacmimet ose sulmet ndaj gazetarëve që zakonisht nuk ndëshkohen.

Vazhdon rënia për Maqedoninë

Maqedonia është mes vendeve që ka vazhduar të ketë rënie në nivelin e demokracisë, ashtu si edhe një vit më parë, veçanërisht në kategoritë e procesit elektoral dhe shoqërisë civile.

Zgjedhjet presidenciale dhe ato të parakohshme parlamentare të prillit 2014 u shoqëruan nga njëanshmëria proqeveritare nga ana e medias dhe abuzimi me burimet administrative, duke sjellë si rezultat një tjetër bojkotim afatgjatë të Parlamentit nga ana e opozitës.

Qeveria, thuhet në raport, vazhdoi të zbatonte një numër reformash institucionale të kërkuara nga Bashkimi Europian, por zhvillimet shqetësuese të viteve të fundit kanë vënë në pikëpyetje përkushtimin e partisë në pushtet ndaj pluralizmit politik dhe demokracisë.

Gjatë gjithë vitit 2014, grupet e shoqërisë civile dhe lëvizje spontane popullore u përpoqën pa sukses të kundërshtonin propozimet problematike qeveritare, përfshirë legjislacionin që minon pavarësinë e universiteteve.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi