Europeisti refuzues dhe miqtë e tij

Nga Sergio Roman, botuar në Corriere della sera, 24 qershor 2015

1405146369Sergio RomanoRaporti i pesë presidentëve (Këshilli Europian, Komisioni i Brukselit, Eurogrupi, Parlamenti i Strasburgut, Banka Qendrore Europiane) është gjëja më e mirë që mund të ketë prodhuar BE-ja vitet e fundit. Është stisur nga krerët e shteteve dhe të qeverive. Do të jetë në rendin e ditës të takimit të ardhshëm.

Sikurse kujtonte Giuseppe Sarcina te “Corriere” të hënën, raporti propozon objektiva të dobishëm dhe ambiciozë. I jep Komisionit detyrën për të mbikëqyrur konkurrueshmërinë e secilit anëtar dhe për rrjedhojë, të tregut të tyre të punës. Përforcon detyrimet e përbashkëta, të cilat synojnë të shmangin devijimet skandaloze për të cilat kemi qenë spektatorë në Greqi dhe gjetkë.

Synon që presidencat e çdo semestri t’i binden një axhende përparësish të diskutuara me Parlamentin. Parashikon një mekanizëm të përbashkët për përthithjen e choc-ut, e cila mund t’i besohet Fondit Europian për investime strategjike. Propozon plotësimin e Bashkimit bankar në harkun e dy vjetëve dhe vendosjen e një skeme të përbashkët për sigurimin e depozitave bankare.

E dimë për nga përvoja se cili mund të jetë fati i raportit. Ekziston rreziku, si në raste të tjera, që të zbehet në labirintin e negociatave grindavece mes shteteve anëtare dhe që qëllimet e tij të shtyhen nga viti në vit. Është gjithnjë e mundur që të detyrohet të pranojë korrigjime dhe prerje që do t’ia pakësonin ndjeshëm ambiciet dhe shpresat. E megjithatë, ky raport i “të pestëve” ka karakteristika që e justifikojnë ndonjë shpresë. Prej disa vitesh tashmë Europa duket se është e detyruar të bëjë beteja sfilitëse prapavije.

Një pjesë e mirë e kohës sonë harxhohet duke gjëmuar mëkatarin apo disidentin e radhës për t’ia ndrequr gabimet, për t’i shpërblyer kërkesat apo për ta mbajtur në familjen e madhe. Është e kuptueshme. Duam t’i tregojmë botës dhe tregjeve se jemi në gjendje ta ruajmë bashkësinë, duam të shmangim që dështimi i një negociate të zgjojë skepticizëm dhe mosbesim në opinionin publik europian dhe ndërkombëtar.

Por tashmë duhet ta kemi kuptuar se çdo negociatë, ka gjasa të mbyllet me një kompromis. Jo gjithnjë kompromiset janë të dobishme dhe të virtytshme. Në shumë rrethana bindin partnerë të tjerë se çdo rregull mund të anashkalohet, si një veshje në trupin e klientit. A nuk është kjo ndoshta dëshira e Britanisë së Madhe, apo për arsye krejt të tjera, e Greqisë së Tsiprasit dhe të Hungarisë së Viktor Orbanit? A nuk është kjo shpresa e të gjitha lëvizjeve euroskeptike që po rriten si kërpudha në shoqërinë europiane dhe nga të cilat ushqehen të gjithë ata që do të donin t’i shmangeshin ndonjë rregulli të Bashkimit?

Nëse duam që kjo të mos ndodhë, ka ardhur momenti të ndryshojmë strategji. Në vend që t’i vardisemi mikut refuzues, ka ardhur momenti t’i themi me qartësi se nga kjo krizë dilet vetëm me një integrim më të madh. Kancelarja gjermane dhe ministri i saj i Financave e kanë lënë tashmë të nënkuptohet me qasje dhe propozime që meritonin më tepër vëmendje. Raporti i pesë presidentëve përmban ide që mund të vizatojnë një ndërtesë europiane, që më në fund është e përbashkët. Në këtë pikë do të jetë më e lehtë, ndër të tjera, të përcaktohet një politikë e jashtme e përbashkët.

Kjo nuk do të thotë se vendet e eurozonës duhet domosdoshmërisht të divorcohen nga anëtarët e tjerë të Bashkimit. Sa më vendosmërisht do ta kemi ndërmarrë rrugën e integrimit, aq më e lehtë do të jetë të arrihen me partnerët e tjerë marrëveshje të interesit të përbashkët, mbi të gjitha për çështje të tregut të përbashkët. Por kush do të dojë të qëndrojë në BE duhet të kuptojë se mund të jenë pjesë vetëm ata që ndajnë të njëjtat synime dhe ideale me të. [Botuar në Mapo Online]

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi