E majta i mohon të vërtetat e dhimbshme
Nga Dennis Prager, botuar në Mapo Online, 22 qershor 2014
Ja një dallim mes të majtës dhe të djathtës që rrallë vihet re, pavarësisht faktit që është po aq e rëndësishme sa gjithë të tjerat e madje shpjegon shumë nga dallimet e tjera.
Në thelb të mendimit të krahut të majtë është mohimi i realiteteve të dhimbshme, mohimi i atyre që francezët i quajnë les faits de la vie: faktet e jetës. Konservatorët, nga ana tjetër, janë shumë të vetëdijshëm për këtë realitet dhe bazojnë shumë nga pozicionet e tyre në to.
Një shembull i tillë ka qenë temë e artikullit tim të parë mbi dallimet e majtë-e djathtë: nëse njerëzit janë ose jo të mirë. Kur liberalët [bëhet fjalë për liberalët e majtë] fajësojnë varfërinë për krimin e dhunshëm në Amerikë, një arsye për këtë është se bindjet liberale që nga Iluminizmi janë krijuar nga pozicioni që natyra njerëzore është e mirë. Prandaj, kur njerëzit bëjnë gjëra realisht të këqija ndaj njerëzve të tjerë, liberalët besojnë se ca forca të jashtme – zakonisht varfëria, racizmi dhe/ose papunësia – duhet të jenë përgjegjëse, jo natyra njerëzore.
Liberalët e kanë të vështirë ta shikojnë realitetin në sy dhe të pranojnë se njeriu ka shumë me defekte. Kjo është kështu veçanërisht sepse mendimi i majtë është rrënjosur në shekullarizim dhe nëse nuk beson në Zot. Është më mirë të besosh te njerëzimi, ose do të përfundosh në dëshpërim.
Një tjetër fakt tjetër i jetës që e majta e ka të vështirë të pranojë, është ekzistenca e dallimeve themelore mes burrave dhe grave. Nuk ka shpjegim tjetër për mohimin e asaj çfarë ka qenë e dukshme për çdo burrë e grua gjatë historisë. Sigurisht nuk është rezultat i kërkimeve shkencore. Sa më shumë shkenca zbulon për trurin e meshkujve dhe femrave, mos të përmendim hormonet mashkullore dhe femërore, aq më shumë konfirmon dallime të rëndësishme në ndërtimin e sekseve.
Pse atëherë njerëzit duhet të mendojnë se vajzat janë të lumtura të luajnë me makina si lumturohen djemtë, dhe djemtë janë të lumtur po aq sa vajzat të luajnë me kukulla si vajzat?
Sepse pranimi i shumë këtyre dallimeve është i dhimbshëm. Për shembull, feministët dhe të tjerë në të majtë nuk duan të pranojnë se seksi mes njerëzve që nuk janë të përkushtuar ndaj njëri-tjetrit zakonisht ka më shumë domethënie për gratë se për burrat. Është shumë e dhimbshme të pranohet se burrat janë më të aftë të bëjnë seks anonim, seks pa kuptim emocional sesa gratë. Prandaj, feminizmi ka mësuar tani dy breza grash se ato janë të afta të shijojnë seks pa emocione me shumë partnerë siç bëjnë burrat.
Që shumica e grave dëshirojnë shumë të lidhen me një burrë – më shumë seç dëshirojnë suksesin profesional – është një tjetër fakt i jetës që e majta nuk pëlqen ta pranojë. Kështu, feminizmi prodhoi moton false dhe idiote, “Një grua pa burrë është si një peshk pa biçikletë” – sepse realiteti është që shumica e grave pa një burrë ndjejnë një gropë në shpirtin tyre. Edhe kjo është e dhimbshme të pranohet. (Gropa ekziston dhe te burrat, por shumica e burrave nuk e kanë problem ta pranojnë.)
I gjithë koncepti i “korrektesës politike” buron nga mungesa e kapacitetit të së majtës të pranojë të vërtetat e dhimbshme. Pikërisht përkufizimi i “mos korrektesës politike” është një ide ose e vërtetë që njerëzit në të majtë e kanë të vështirë të pranojnë dhe prandaj nuk duan ta shprehin.
Pse ka kode të foluri thuajse në të gjitha universitet. Sepse të majtët – që kontrollojnë shumicën e universiteteve – nuk duan të dëgjojnë fakte trazuese ose opinione me të cilat janë në kundërshti. Kjo u shkakton dhimbje.
Kjo është gjuha e të majtës. Të majtët flasin vazhdimisht për njerëzit në atë mënyrë që i bën të ndihen “jo rehat” dhe “të ofenduar” (konservatorët thuajse kurrë nuk reagojnë ndaj ideje të kundërt duke thënë: “Jam i ofenduar”). Nëse një burrë ka një kalendar me modele gjysmë zhveshur varur në dyqan e tij, të majtët e konsiderojnë atë se ka krijuar “një mjedis pune armiqësor” – që do të thotë disa gra mund ta kenë të vështirë të shikojnë një grua të prezantuar si objekt seksual.
Shmangia e dhimbjes me çdo çmim është në zemër të ideve dhe politikave të së majtës. Kjo është arsyeja pse fëmijët nuk mund të vrapojnë më gjatë pushimeve në shkollat amerikane, sepse mund të lëndohen. Kjo është arsyeja pse shërbimet e mbrojtjes së fëmijëve, ua marrin fëmijët prindërve që i lejojnë fëmijët të shkojnë në shkollë vetëm më këmbë, ose i lënë të luajnë vetëm në kopshtin e familjes për 90 minuta pa prindërit në shtëpi.
Ose le të shikojmë idenë tjetër të së majtës: “Lufta nuk është përgjigja.” Natyrisht, lufta është shpesh përgjigja ndaj të keqes së madhe. Kampet naziste të vdekjes u çliruan nga ushtarët që luftuan, jo nga aktivistë pacifistë. Por detyrimi për të pranuar domosdoshmërinë morale të luftës është një e vërtetë e dhimbshme për shumë njerëz në të majtë.
Dikush mund të thotë se e majta u pëlqen atyre që dëshirojnë të mbeten fëmijë të pafajshëm. Të rriturit dhe përballimi me faktin që jeta është e ngatërruar, e vështirë dhe e dhimbshme është gjithnjë e më shumë një pikëpamje konservatore. Marrë nga Postbllok