Dekriminalizimi dhe Garda e Re

Nga Adela Halo, BIRN, 21 qershor 2015

adelahalo-150x150Janë bërë mjaft vite që në Shqipëri flitet për “Gardën e Vjetër”. Në shumë vende, Garda e Vjetër nënkupton prapambetjen e ideve për qeverisje. Në Shqipëri, Garda e Vjetër nënkupton kryesisht kriminalizimin e politikës, dhe konkretisht lidhjet e politikës me krimin e organizuar, lidhjen e politikës së sotme me krimet e të shkuarës, mbizotërimin e korrupsionit, dhe retorikën kriminale. Në fillim të viteve 2000 sidomos nisi të artikulohej ideja se duhej një klasë e re politikanësh për një lloj të ri politike dhe qeverisjeje. Të paktën që nga viti 2005, me Komitetin e Orientimit të Politikave të Demokratëve, ka patur valë të vazhdueshme rekrutimesh nga ana e partive politike të profesionistëve të rinj, intelektualëve e teknicienëve, burra e gra, nga fusha të ndryshme të shoqërisë civile, përfshi akademinë dhe organizatat jo-qeveritare. Kritikat mbi mungesën e përvojës dhe meritës partiake të këtyre rishtarëve në politikë u zbutën me argumenta mbi ekspertizën teknike, arsimin perëndimor, dhe mbi të gjitha, pastërtinë e këtyre figurave – të papërlyera nga krimi, as në praktikë dhe as në ligjërim. Me pak fjalë, këto prurje u përthithën për të dekriminalizuar politikën shqiptare dhe për të modernizuar vendin. E megjithatë, një dekade më vonë, nuk është e qartë se këto prurje kanë shërbyer si grupe presioni brenda partive të tyre për t’i dekriminalizuar dhe demokratizuar ato. Rigjenerimi i radhëve të politikës ka një bilanc tejet të dobët nëse shqyrtojmë dekandën e fundit, dhe shpjegimet për këtë bilanc janë të dobëta.

Elita e re politike shqiptare gjendet sot në një nga dy situatat e mëposhtme: 1) pjesë e Gardës së Re; ose 2) e kompromentuar nga të dyja gardat. Së pari, disa figura të rëndësishme nga të rinjtë në të gjitha partitë kryesore janë akuzuar për të njëjtat akuza që kishim, dhe ata vetë kishin, ndaj Gardës së Vjetër. Po njësoj si ajo Gardë, as ata nuk janë përgjigjur bindshëm për to. Së dyti, ka sot në të gjitha partitë nga ato prurje të reja që edhe pse të papërlyera personalisht nga akuza serioze – as të vërtetuara, dhe as të përgënjeshtruara tërësisht – gjenden gjithsesi të kompromentuara nga problemet e rënda të familjeve të tyre politike, të kolegëve të tyre.

Emrat e pastër të politikës shqiptare do të duhet të na shpjegojnë bashkëjetesën e tyre me krimin. Duhet të na shpjegojnë se përse sot, pavarësisht arsyes që na dhanë për futjen e tyre në politikë gjatë të paktën një dekade, tema e ditës është dekriminalizimi i politikës. Duhet të na shpjegojnë se përse sot, pavarësisht arsyes që na dhanë për futjen e tyre në politike gjatë të paktën një dekade, partitë ku ata janë anëtarë nuk i dëgjojnë, dhe ata që i rekrutuan në këto parti u imponojnë vendime, përfshi ato mbi kandidatë të inkriminuar dhe aleanca të pista. Rrjedhimisht, edhe ata që po futen sot në këto parti të inkriminuara dhe jo-demokratike do të duhet të na japin një shpjegim më të mirë për këtë vendim se sa “jam profesionist i ri, i papërlyer dhe do kontribuoj”.

Ka të paktën dy shpjegime që këta të rinj (dhe ca të vjetër që ende i njohim si figura të pastërta) japin për dështimin e tyre në dekriminalizimin dhe demokratizimin e partive përkatëse. I pari, nëse nuk bind që tani si i paqëndrueshëm, shumë shpejt do të jetë qartazi i tillë nëse asgjë nuk ndryshon. I dyti është tërësisht i turpshëm.

Shpjegimi 1: revolucioni përkundrejt evolucionit

Përveç Gardës së Vjetër dhe asaj të Re, ka edhe një pjesë të konsiderueshme të figurave të pastërta të partive që u duket tejet infantil pretendimi se partitë shqiptare do të duhej të ishin shumë më të pastërta dhe shumë më demokratike tashmë. Ata që e pretendojnë u duken në rastin më të mirë idealistë – një eufemizëm për naiv, që është pastaj një eufemizëm për budalla. Më të artikuluarit prej tyre na kujtojnë se Roma nuk u bë për një ditë, se nuk mund të zhbëhen si me shkop magjik të gjitha bëmat politike, ekonomike dhe sociale që ka pësuar vendi. Shpjegimi i tyre, pra, është se nuk ka revolucione, por evolucione. Ndryshimi është proces, dhe në këtë proces u duhet edhe t’i thonë derrit dajë, edhe të negociojnë me të keqen që avash-avash të fusin të mirën.

As unë nuk besoj te revolucionet. Pavarësisht revoltimit që shumëkush ka ndaj padrejtësive dhe këtij sistemi kaq të mbrapshtë, historia ta bën të vështirë të besosh që revolucionarët e sotëm nuk do bëhen diktatorët e nesërm, apo që janë të aftë të bëjnë më shumë se sa një revoltë. Ka patjetër sadopak të vërtetë te besimi se ndryshimi më i qëndrueshëm vjen gradualisht dhe jo me shkop magjik. Por atëherë, duhet të pyesim se çfarë është arritur gradualisht në këto vite që të rinjtë e të vjetrit e papërlyer të politikës kanë negociuar për të mirën mes së keqes së politikës shqiptare? A është bilanci “evolucionar” në politikën shqiptare i tillë që të justifikojë bashkëjetesën me krimin dhe pretendimin e të rinjve të politikës se po sjellin ndryshimin?

Fatkeqësisht, përgjigja është jo. Pas të paktën një dekade angazhimi të të rinjve në politikë, Shqipëria mbetet tejet e polarizuar, e korruptuar, e inkriminuar, klienteliste dhe e varfër. Gjatë kësaj dekade, shqiptarët kanë qenë dëshmitarë të Gërdecit, të ndryshimeve skandaloze kushtetuese menjëherë pas tij, të videos Meta-Prifti, të 21 janarit, dhe fajit që ka mbetur jetim për të gjitha këto. Kemi qenë dëshmitarë të dramës me shumë akte Meta-Doshi-Frroku-Llalla-Rama-Tahiri. Kemi qenë dëshmitarë të bojkoteve të tenxheres nga kapaku. Ende sot flasim për blerje vote dhe lëvizje fiktive qytetarësh për vota. Ende sot flasim për burime të paditura financimi të partive politike. E vetmja gjë që nuk na kanë parë sytë ende është dënimi i qoftë edhe një zyrtari të lartë për korrupsion, apo pastrim parash, apo ndonjë vepër tjetër penale. Pas të paktën një dekade angazhimi të të rinjve në politikë, Shqipëria është në situatën e pashoqë ku ambasadorët e partnerëve më strategjikë të vendit shkojnë deri aty sa t’u bëjnë thirrje publike dhe të drejtpërdrejtë qytetarëve që të mos votojnë kandidatët e inkriminuar që partitë po u imponojnë. Të gjitha këto, dhe shumë më shumë, kanë ndodhur ndërkohë që ripërtëriheshin radhët e politikës me figura të reja dhe të pastërta, dhe ne votonim për to.

Nuk është e lehtë të veçosh figurat e pastërta të politikës nga partitë që i sjellin vendit këtë bilanc, apo të kuptosh se si, se ku ka ndodhur konkretisht ai ndryshimi gradual që nënkuptohet nga “evolucioni”. Natyrisht që shumë nga ngjarjet e mësipërme janë produkt i një konteksti mjaft të ndërlikuar dhe të zhvilluar ndër shumë vite. Por gjithmonë ka një kontekst – edhe Enver Hoxha u bë në një kontekst, edhe Sali Berisha u bë në një kontekst të caktuar. Gjithmonë ka rrethana. Prandaj përdorimi i tyre si justifikim është më i kufizuar se sa duket, sidomos për ata që i janë futur lojës pikërisht për të ndryshuar ato rrethana, atë kontekst.

Natyrisht që adresimi i të gjithë këtyre sfidave që na paraqet sistemi, konteksti, kërkon kohë. Por sa kohë duhet që kryetarët e partive të mos imponojnë trashëgimtarë dhe realisht të tërhiqen pasi humbasin zgjedhjet? Sa kohë duhet që ministrat të mos e marrin vesh që janë bërë ministra kur e merr vesh edhe populli? Sa kohë duhet që kryetarët e partive të mos kenë tërësisht në duar karrierat politike të anëtarëve të tjerë të partive të tyre? Përse pikërisht gjatë dekadës së ripërtëritjes së radhëve të partive u përqëndrua edhe më shumë pushteti te kryetarët? Sa kohë duhet që të rinjtë e partive të kuptojnë që një kryetar i pakontrolluar është medoemos, në mos sot, nesër, një kryetar jashtë kontrolli?

Shpjegimi 2: dekriminalizimi jo-ligjor, inkuizicion

Në një film mjaft të njohur italian, një gangster kalabrez, i sapokthyer në qytezën e tij nga një rezidencë e gjatë në burg në Amerikën Latine, vendos të kandidojë për kryetar bashkie, i bindur nga bashkëpunëtorët e tij se, përndryshe, qytetin do e fitojë një mësues që do vendosë ligjin, dhe kështu do e marrë lumi. Në konferencën për shtyp ku shpall kandidaturën e vetë, Cetto La Qualunque pyetet për ekipin e tij, për kë do kandidojë me të. Ekipi i tij i ëndrrave, thotë ai, është i gjithi i përbërë nga “figura të reja dhe të papërlyera” – i biri, të afërm dhe miq të ngushtë. Një gazetar i kthehet i revoltuar se njëri nga të afërmit – Rocco La Qualunque – është në burg. Kandidati kushëri përgjigjet: “Del pas dy javësh. Është i pastër”. Çuditërisht, përgjigja e Cetto La Qualunque në këtë film satirik na kujton atë realen, seriozen të Kryeministrit Rama këto ditë.

Sidomos për bashkëjetesën e figurave (ende) të pastërta në parti politike me kriminelë, një nga përgjigjet më të shpeshta që dëgjojmë është që ata nuk janë, në fakt, kriminelë. Ose sepse nuk ka patur kurrë ndaj tyre një vendim të formës së prerë nga gjykatat shqiptare apo të huaja, ose sepse ata i kanë vuajtur dënimet e tyre vite më parë, kanë kaluar mbi pesë vjet nga to dhe kështu nuk u figurojnë më as në dëshmitë e penalitetit. Me pak fjalë, janë të pastër.

Bazuar në këto argumenta, Kryeministri Edi Rama këmbëngul këto ditët e fundit që në një sistem demokratik, kriminel të bëjnë hetimet serioze, vendimet e gjykatave, dëshmia e penalitetit, dhe jo thashethemet apo paragjykimet e njerëzve. Është mbështetja në bazë ligjore që e dallon dekriminalizimin nga një inkuizicion, nga një gjueti shtrigash. Kjo duket si fort logjike, po të mos dinim që si Inkuizicioni i Kishës Katolike, si shumë inkuizicione të tjera – përfshi krimet e komunizmit – janë bazuar në ligje dhe institucione. Rrallë ka ndodhur, në fakt, që krime të rënda të jenë kryer në mungesë të një burimi autoriteti dhe ligji të njohur – Mbreti, kur Mbreti ka qenë ligji; Papa, kur Papa ka qenë ligji; Virtyti, kur Virtyti ka qenë ligji; Partia, kur Partia ka qenë ligji, etj. Gjuetitë e shtrigave, zakonisht, nuk kryen në mungesë totale të ligjit, por falë ligjeve të gabuara, tejkalimeve të autoritetit që e prodhon apo aplikon atë, leximit të ligjit sipas qejfit, ushtrimit fanatik, apo selektiv të tij.

Por që të thellohemi në këto mendime mbi drejtësinë e ligjeve, burimin apo përdorimin e autoritetit, kufijtë e ligjit, e kështu me radhë, do të thotë ta respektojmë këtë debat shumë më shumë se sa e meriton. Çështja nuk është aspak kaq e thellë apo e ndërlikuar sa të meritojë ndonjë debat filozofik apo historik. Pyetja nuk është aspak çfarë ligjesh i pengojnë partitë shqiptare të dekriminalizohen, por çfarë ligjesh i detyrojnë të kriminalizohen.

Çfarë ligji e detyronte Partinë Demokratike të kandidonte, përsëri, Xhelal Mziun në Kamzë, apo Gentian Muhametin në Këlcyrë? Çfarë ligji e detyronte Partinë Socialiste të kandidonte Ervin Rroshin në Kavajë, apo Artur Bushin në Krujë? Çfarë ligjesh e detyrojnë shtetin shqiptar të mos dënojë asnjë rast, sado flagrant, të korrupsionit? Çfarë ligjesh e kanë detyruar klasën politike shqiptare të instrumentalizojë çështjen e lustracionit në shantazh politik gjithë këto vite? Asnjë. Asnjë ligj. Asgjë nuk i detyron. Për çfarë arsye partitë politike afrojnë në radhët e tyre dhe promovojnë njerëz mbi të cilët rëndojnë hije të rënda dyshimi – qoftë edhe të pavërtetuara – se janë të implikuar në aktivitet kriminal? Edhe nëse janë realisht të pavërtetuara akuzat – që nuk duket të jetë rasti – si mundet një parti politike të mos gjejë askënd tjetër të respektuar në komunitetet ku kërkon vota? Nuk ka as ligje dhe as parime që të të detyrojnë të promovosh figura kaq të dyshimta. Përkundrazi, ka parime që kërkojnë promovimin e figurave të pastërta dhe të respektuara, sepse promovimi i modelit të kundërt e çon gjithë shoqërinë drejt një qorrsokaku.

Partia Demokratike mund të thotë – siç ka thënë – se Xhelal Mziu është viktimë e një gjuetie shtrigash, dhe Partia Socialiste mund të thotë – siç ka thënë – se Ervin Rroshi është viktimë e paragjykimeve, por nuk mund të presin që këto lajthitje logjike të ngjisin. Asnjë zyrtar i lartë nuk është sot i dënuar për korrupsion apo krim elektoral, apo pastrim parash, apo klientelizëm në Shqipëri. Por të gjitha këto ndodhin rregullisht në Shqipëri. Justifikimet ligjore për promovimin e figurave të gabuara në politikë janë veçanërisht e papranueshme nga të rinjtë e papërlyer të politikës, dhe arsyeja është e thjeshtë: kur ata u futën në politikë me flamurin e pastrimit të saj, asnjë nga Garda e Vjetër nuk ishte dhe nuk është, ligjërisht, kriminel.

I vetmi shpjegim që mbetet për promovimin e figurave të gabuara, të korruptuara, të inkriminuara është etja për pushtet. Kriminelët votohen, do na kujtojnë shumë. Dhe shumë të tjerë do përgjigjen që votohen falë një sistemi dhune, frike nga dhuna, dhe blerjeje. Kjo është e vërtetë, por nuk është e gjitha. Arsyeja përse të korruptuarit dhe të inkriminuarit votohen është edhe sepse ata mbeten sot një nga vetëm dy modelet e suksesit në vend. Modeli i dytë i suksesit është të jesh afër udhëheqësit dhe t’ia detyrosh atij ekzistencën tënde në politikë. Pra, krimi dhe korrupsioni votohen edhe sepse nuk është ngritur ende modeli i suksesit i bazuar në meritë dhe integritet që pritej të ngrihej nga të rinjtë.

Disa nga të rinjtë e rekrutuar në këto vite i kanë braktisur këto parti pikërisht për arsyet e mësipërme. Ata që qëndrojnë i gjen sot ose pjesë të një Garde të Re, ose pjesë të fasadës moderne të një sistemi të vjetër. Dhe këta të fundit duhet të vendosin nëse duan të vazhdojnë të jenë fasadë. Patjetër, dhe e theksoj përsëri, që ndryshimi i kulturës politike është një proces i ngadaltë. Por nuk është e qartë se të rinjtë e kanë nisur këtë proces. Për t’ju kundërvënë votueshmërisë së korrupsionit dhe krimit, të papërlyerit e partive politike duhet të bëhen të kandidueshëm dhe të votueshëm edhe pa shefat, nëpërmjet ndërtimit të atij modeli të ri politik që premtuan.

Me të ngjarë, të rinjtë e partive që do mbeten të pakënaqur nga rezultati i zgjedhjeve të 21 qershorit – dhe me gjasa këta do shtohen nga të gjitha anët politike në zgjedhjet e 2017-ës – do të shfryjnë se populli meriton politikanët që ka. Por, larg nga të qenët ndonjë reflektim i mprehtë për gjendjen e sotme të Shqipërisë, dhe larg nga të qenët ndonjë e vërtetë e vetëkuptueshme e demokracisë, përsëritja sistematike e këtij konkluzioni nga elita partiake (dhe jo-partiake) e vendit është një pozë intelektuale, dhe mbi të gjitha një larje duarsh nga përgjegjësitë që u takojnë. Nuk mund të bashkëjetojnë edhe roli drejtues që elita, sidomos ajo partiake, i njeh vetes, edhe pafajësia për gjendjen në të cilën është vendi.

Në fakt, sa herë që punët arrijnë deri aty sa t’i kërkojmë popullit – rrobaqepsëve, elektriçistëve, hidraulikëve, mësuesve, fermerëve, infermierëve, peshktarëve, shitësve, kamarierëve, parukierëve, kuzhinierëve, minatorëve, e të papunëve – pjekurinë, largpamësinë, dhe guximin t’i japë drejtim punëve të vendit, atëherë lajmi i keq është se punët janë pisk, dhe se elitat kanë dështuar. Sot, Shqipëria është kështu siç është kryesisht sepse elita ka dështuar në funksionin e saj, edhe pse ajo politike ka të paktën një dekadë që rigjenerohet.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi