Transaksioni që ka shkatërruar demokracinë

Nga Mentor Kikia, botuar në BallkanWeb, 19 qershor 2015

vota

Ne e dimë që do të ketë presion dhe përpjekje për të dhënë ryshfet për ta blerë votën. Por që ky lloj transaksioni të ndodhë, do të thotë se nga ana tjetër është dikush që dëshiron ta shesë atë. Ndaj kërkesa jonë për ju është: Ju lutem mos merrni pjesë në një transaksion të tillë”. Për të tretën ditë me radhë ambasadorja e BE-së në Tiranë, Vlahutin, foli drejtpërdrejtë duke u kërkuar shqiptarëve që të mos e shesin votën, apo të marrin pjesë në atë që ajo e cilësoi si transaksion.
Këto zgjedhje janë të parat në të cilat media dhe faktori diplomatik janë kaq shumë të angazhuara për të denoncuar blerjen e votës, fenomenit më degradues të demokracisë dhe veprimit më të shëmtuar të një shoqërie. Ambasada amerikane iu drejtua në shumë mënyra njerëzve që të mos bien pre e joshjes për të shkëmbyer votën me favore, para apo pako me ushqime. Shndërrimi i votës në mall filloi kur politikës iu futën tregtarët, të cilët nuk e ndjenë shumë mungesën e arsimimit dhe autoritetit publik, pasi në Shqipëri çdo kush mund të bënte brenda një viti me para atë që se kishte bërë dot brenda 10 vjetësh, a më shumë. Fenomeni erdhi duke u thelluar derisa duket se tashmë ka kaluar çdo cak dhe të gjithë janë të bindur se vota e shitur është përcaktuese edhe për dekriminalizimin e politikës.
Nuk është e vështirë të dallosh se të gjitha apelet u drejtohen qytetarëve, pronarëve të votës, që të mos e shesin atë. Në fakt në këtë transaksion nuk janë ata përgjegjësit e vetëm. Madje ata janë thjesht viktima, madje dy herë viktima. E para sepse janë të varfër dhe e dyta, sepse humbasin shansin për ta përdorur atë votë kundër atij që i ka vjedhur të sotmen dhe të ardhmen. Megjithëkëtë, apelet i janë drejtuar vetëm popullit. Kjo mesa duket sepse është e vështirë të bindësh politikën, partitë, që të heqin dorë nga mbledhja e votës përmes parasë, edhe pse ndonjë syresh paguan para për reklama televizive për të apeluar kundër shitjes së votës. Transaksioni më klasik është ai kur kandidati, përmes skuadrave të tij të batakçinjve në terren shpërndan para ose paketa ushqimore për banorët e varfër. Forma tjetër është kur po në të njëjtën mënyrë, votuesve nuk u kërkohet vota pro, por u grumbullohen kartat e identitetit që të mos votojnë. Dhe këta janë ata që konsiderohen vota të sigurta për kundërshtarin. Por ka edhe një mënyrë tjetër blerjeje të votës. Kjo është mënyra legale dhe zyrtare. “Do ju fal kamatëvonesat e energjisë. Do ju fal borxhet e ujësjellësit. Do ju vendos autobus pa pagesë nga fshati në qytet. Do ju siguroj transport falas për prodhimet bujqësore….” Këto dhe të tjera premtime, si listat për futjen në punë të nga një personi për çdo familje, me ndikim të drejtpërdrejtë financiar, a nuk janë blerje votash? Nëse një qytetar i ka ASHEE-së 50 mijë lekë borxh dhe ti do t’ia falësh, duke i kërkuar votën, kjo nuk është asgjë tjetër veçse një transaksion vote, por jo me para në dorë dhe jo me paratë e kandidatit, por edhe me keq, me paratë e shtetit.
Apelet e forta publike druaj se do të prodhojnë ndonjë efekt pozitiv dhe unë mendoj se edhe në këto zgjedhje vota e blerë do të ketë rolin e saj përcaktues. Jo më kot kandidatët u zgjodhën, në shumicën dërrmuese, të jenë njerëz me para dhe ajo që dëgjon sot rëndom është se X kandidat ka hedhur kaq milionë euro e Y kaq milionë euro.
Shitblerja e votës është një krim dhe si e tillë duhet të dënohet. Por derisa të gjithë bërtasin se nuk kanë prova, provat duhen kërkuar së pari pikërisht tek premtimet e partive apo kandidatëve. Pastaj ka edhe forma të tjera që mund të investigohen, nëse do të ekzistojë dëshira e organeve shtetërore. Por në kushtet kur asnjë hetim, qoftë edhe formal, nuk është hapur për këtë dukuri shkatërruese të demokracisë, ne duhet të durojmë edhe talljen publike tashmë, kur hajduti bërtet “kapeni hajdutin”. Kjo maskaradë është denoncuar vetëm në media, dhe sivjet ne duhet tu jemi mirënjohës disa ambasadorëve e madje edhe zyrtarëve në Bruksel që iu bashkuan zërave tanë kundër këtij fenomeni.
Shqiptarë, mos e shisni votën. Mos dorëzoni tek hajdutët të vetmen mënyrë që keni për t’i ndëshkuar ata. Votën tuaj ata do ta bëjnë pushtet dhe pushtetin do ta bëjnë sërish para duke vjedhur paratë tuaja. Por kjo nuk mjafton. Që kjo maskaradë të marrë fund, ne duhet të gjejmë kurajën t’i denoncojmë kandidatët apo partitë që janë bërë si ata që luajnë në bursë, duke shitur e blerë aksione, e që pasurohen pa bërë asnjë punë.
Unë e di që në zonat e varfra ka nisur shpërndarja e ushqimeve dhe parave në dorë. E di që askush nuk do ti refuzoje ato. Por apeli për të dielën është: Merruani paratë dhe kutitë me ushqime dhe votoni atë person që mendoni se është më i mirë. Vota është e fshehtë dhe askush nuk e kontrollon.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi