Mesazhi i Magna Carta-s për Shqipërinë e sotme

Nga Nicholas Cannon, botuar në Panorama Online, 13 qershor 2015

magna-carta-banner

 

Saktësisht tetëqind vite më parë, më 15 qershor 1215 në një vend të quajtur Runnymede, pranë lumit Tamiz në të dalë të Londrës, një grup baronësh dhe kalorësish të rebeluar rrëmbyen mbretin John dhe e detyruan të nënshkruante një dokument, që quhej Magna Carta.

Ky dokument i lashtë ka sanksionuar parimet themelore të shtetit të së drejtës, integritetit e pavarësisë së Gjyqësorit dhe demokracisë parlamentare anembanë botës anglishtfolëse, por edhe më gjerë. Ai vazhdon të jetë edhe sot frymëzim i rëndësishëm politik dhe ligjor.

Nicholas-Cannon1Po përse ky dokument është kaq domethënës dhe çfarë rëndësie ka për Shqipërinë sot? Më 1214-n, Mbreti John u mund nga francezët, duke humbur për rrjedhojë Dukatin e Normandisë. Për të financuar atë që do të ishte beteja e tij e fundit, ai pat rritur taksat dhe kishte sekuestruar tokë e pasuri të shumtë nga baronët dhe kalorësit e kohës.

Veç kësaj, sundimi i tij përshkruhet si veçanërisht i keq; ai vendoste tarifa për shtetasit në këmbim të aksesit në gjykata, e trajtonte ligjin si pronën e vet personale dhe sistemin gjyqësor si një biznes fitimprurës. Kësisoj, me humbjen e luftës, baronët e detyruan mbretin të bënte lëshime, të cilat çuditërisht nuk bazoheshin në kërkesa politike, por në disa parime.

Me nënshkrimin e Magna Carta-s, mbreti John u detyrua të pranonte se do të respektonte të drejtat e shtetasve të tij. Atij iu desh të pranonte se mbreti dhe qeveria nuk qëndronin mbi ligjin dhe se sistemi gjyqësor duhet të jetë i pavarur e të mos u nënshtrohet ndikimeve personale, politike dhe financiare. Ai u detyrua t’u garantonte akses në gjykata të gjithë njerëzve të lirë dhe të pranonte se do të këshillohej me baronët përpara se të ndryshonte ligjin. Thuajse pa e kuptuar, këta baronë mesjetarë krijuan konceptin e shtetit të së drejtës dhe hodhën bazat e demokracisë parlamentare.

Gjatë këtyre tetëqind viteve këto parime kanë evoluar në strukturat dhe konceptet që ndeshim sot në botën perëndimore. Magna Carta është përshkruar si dhurata më e madhe që Britania i ka bërë botës. Një javë më parë, ekspertë të lartë të Komisionit mbi Reformën në Drejtësi, pas një pune disamujore për analizimin e sistemit gjyqësor në Shqipëri, paraqitën gjetjet e tyre kryesore.

Në dokumentin 400-faqësh, ku identifikohen hollësisht problemet e Gjyqësorit në vend, ndër të tjera listohen ryshfetet që paguajnë gjyqtarët, prokurorët apo oficerët e Policisë gjyqësore për t’u punësuar, transferuar në poste më fitimprurëse ose për të ndryshuar masat e arrestit. Sipas një sondazhi të cituar nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, vetë gjyqtarët besojnë se sistemi është i korruptuar dhe nën ndikimin e partive politike. Raporte të tilla dëshmojnë pikërisht për domethënien e Magna Carta-s për Shqipërinë.

Me nene si 40, 41 dhe 45 Magna Carta sanksionon ekzistencën e një sistemi ligjor, të cilit njerëzit mund t’i drejtohen besimplotë se të drejtat e tyre nuk do të nëpërkëmben. Neni 41 ndalonte çdo ndërhyrje nga ana e mbretit në sistemin gjyqësor, duke shprehur bindjen se pa ndërhyrjen e tij, gjyqtarët e emëruar në bazë të nenit 45 do t’i administronin çështjet shpejt, në përputhje me ligjin dhe të pakorruptuar. Besimi i qytetarëve te gjykatat mund të vendoset vetëm nëse respektohet parimi themelor i pavarësisë së Gjyqësorit. Funksioni i gjykatave është të mbrojë interesat e të drejtat e qytetarëve dhe autoriteti i tyre bazohet pikërisht në besimin që qytetarët kanë në vendimet e tyre.

Koha gjatë së cilës mbretëroi John-i ishte koha e historive të Robin Hood-it, banditit që luftonte padrejtësitë dhe vidhte të pasurit për t’u dhënë të varfërve. Armiku më i madh i Robin Hood-it ishte sherifi i Nottinghamit, një gjykatës i korruptuar që shtypte të varfrit dhe njerëzit e ndershëm. Ai merrte ryshfete për të shtrembëruar dhe keqpërdorur ligjin. Sherifi i Nottingham-it është shembulli letrar dhe mitik i gjithë të këqijave ndaj të cilave baronët e Magna Carta-s po përpiqeshin të luftonin.

Në Shqipëri, ku beteja për drejtësi vazhdon ende, ka disa njerëz të klasës politike, që ashtu si mbreti John besojnë se janë mbi ligjin. Ka nga ata gjyqtarë që besojnë se ata vetë mund të mos e zbatojnë ligjin. Ka të tillë që blejnë ose shesin drejtësi dhe shtypin të varfrit, siç bënte sherifi i Nottingham-it. Prandaj, parimet dhe fryma e Magna Carta-s mbeten të rëndësishme për Shqipërinë, teksa vendi vazhdon në rrugën e tij drejt reformave demokratike dhe të sistemit të Drejtësisë.

*Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi