Sayed: Të vijojë shlyerja e detyrimeve, të mos krijohen më gropa buxhetore

intervistë për News24 e shefes së zyrës se BB në Shqipëri, Taseen Sayed, 12 qershor 2015

Tahseen-Sayed-tahsin-sajed-banka-boteroreBordi ekzekutiv i Bankës Botërore ka aprovuar kredinë 1.2 miliardë dollarë për Shqipërinë e cila do të përdoret nga qeveria për një periudhë pesë vjeçare. Nga kjo kredi Banka Botërore pret rezultate konkrete. Në një intervistë për News24 Menaxherja e zyrës se BB në Shqipëri, Taseen Sayed, rekomandon qeverinë të vijojë shlyerjen e borxheve të prapambetura ndaj biznesit dhe të punojë fort për të mos krijuar më gropa të tilla buxhetore. Banka Botërore pret gjithashtu një zhvillim të qëndrueshëm të turizmit duke ruajtur burimet natyrore të vendit. Përsa i përket shërbimeve publike, Sayed sqaron se, përmes kësaj kredie synohet rritja e llogaridhënies së qeverisë ndaj qytetarëve, kryesisht në sektorin shëndetësor dhe në shërbimet sociale.

Cilat janë përparësitë e strategjisë pesë vjeçare të BB për Shqipërinë?

Kuadri strategjik përfshin periudhën 2015-2019. Objektivi kryesor i këtij kuadri strategjik është rritja e barabartë dhe gjithëpërfshirëse dhe zhvillimi ekonomik i vendit. Një tjetër qëllim është integrimi i vendit në BE. Përpara se të hartonim këtë dokument strategjik ne kemi bërë diagnozën sistematike për vendin ku kemi përcaktuar prioritetet kryesore, mundësitë për zhvillimin e vendit dhe risqet.

Përparësitë kryesore që kemi përcaktuar në analizën sistematike përkojnë me strategjitë kryesore të përpiluara nga qeveria shqiptare dhe përqendrohen në tri fusha kryesore.

Sektori i parë ka të bëjë me aspiratat e vendit për stabilizimin financiar, stabilitetin fiskal dhe për këtë ne po punojmë me BSH. Një tjetër fushë ka të bëjë me mirëmenaxhimin e investimeve publike.

Sektori tjetër ka të bëjë me nxitjen e sektorit privat në Shqipëri. Jemi të angazhuar për përmirësimin e klimës së biznesit në vend. Reformat që do të ndërmarrim janë në të njëjtën linjë me reformat e qeverisë dhe do të jenë të përqendruara si për rritjen e sektorit privat ashtu edhe për rritjen e investimeve të huaja direkte në Shqipëri. Një vëmendje e posaçme do ti kushtohet rritjes së qëndrueshme të burimeve të shumta natyrore në vend. Një tjetër aspekt i punës tonë ka të bëjë me krijimin e vendeve të reja të punës dhe me krijimin e aftësive shumë të nevojshme për sektorin publik dhe atë privat.

Sektori i tretë ka të bëjë me punën e qeverisë për te qenë më llogaridhënëse ndaj qytetarit dhe të ofrohen shërbimeve publike cilësore. P.sh. një sektor i rëndësishëm me të cilin po bashkëpunojmë është ai i shëndetësisë, por është edhe sektori i ndihmës ekonomike dhe shërbimeve sociale. Me qëllim që shërbimet t’ju marrin më pak kohë juve si qytetarë dhe të ofrohen në mënyrë transparente.

Çfarë rezultatesh prisni nga ky program pesë vjeçar?

Përsa i përket rezultateve që pret BB, janë ato që prisni ju si qytetar dhe ato që pret qeveria e Shqipërisë. Më specifikisht ne presim stabilitet të rritjes apo një vijim të rritjes. Presim që zhvillimet e brendshme ekonomike në vend të mund të sigurojnë një vijim rritjeje. Përsa i përket rezultateve nga qeveria presim që përveç pagimit të detyrimeve të prapambetura ndaj sektorit privat, të mund të bëhet buxhetim dhe planifikim më i mirë në të ardhmen, për të mos krijuar më kështu pagesa të prapambetura.

Presim po ashtu të ketë më tepër stabilitet makroekonomik në vend, që të ulen kreditë e këqija, të ketë një menaxhim më të mirë të sektorit publik, të ketë një planifikim më të mirë të investimeve në infrastrukturë dhe një menaxhim më të mirë të fondeve.

Fusha e dytë lidhet me klimën e të bërit biznes. Këtë vit Shqipëria u pozicionua më mirë në renditjen e Doing Business seç ka qenë më përpara dhe ne presim që roli i saj të konsolidohet më tej në të ardhmen për një përmirësim të klimës së biznesit. Po ashtu presim që të shkurtohet koha e marrjes së lejeve të ndërtimit. Përsa i përket fushave të tjera presim që të ketë zhvillim të burimeve natyrore të qëndrueshme dhe që turizmi të mos zhvillohet në të ardhmen në kurriz të prishjes së këtyre burimeve natyrore.

Sektor i rëndësishëm për rritjen dhe zhvillimin e biznesit është edhe ai i menaxhimit të tokës. Tashmë procesi është drejt dixhitalizimit dhe presim që kjo të përmirësojë më tej klimën e biznesit.

Fusha e tretë ka të bëjë me llogaridhënien e qeverisë dhe ne presim një llogaridhënie më të madhe si në ofrimin e shërbimeve ashtu dhe në përmirësimin e nivelit të tyre. Siç e dini ndër objektivat e BB janë ulja e nivelit të varfërisë dhe rritja e të ardhurave për frymë të popullsisë.

Përsa u përket shërbimeve presim që të ulet koha e marrjes së shërbimeve të ndryshme publike. Presim që pacientët të mund të kenë mundësi më të mira, të kenë më pak shpenzime dhe më pak para të nxjerra nga xhepi për shërbimet e marra, të ketë një targetim më të mirë të ndihmës ekonomike në mënyrë që paratë të shkojnë tek ato grupe të cilat kanë nevojë.

BB është pjesë e grupit të punës së BSH dhe MF për uljen e nivelit të kredive të këqija, cila është mbështetja juaj?

BB ka një marrëdhënie të gjatë e të qëndrueshme me BSH. Kemi afruar për vite të tëra ndihmë teknike ndërkohë që vjet kemi rënë dakord për disa masa për rritjen e funksionit të mbikëqyrjes së kësaj banke. Ndërkohë muajt e fundit duke u mbështetur në këtë angazhim, ne kemi vijuar punën në me ekipin e BSH në mënyrë që të ofrojmë një ndihmë në stabilizimin dhe modernizimin e sektorit financiar në vend.

Ka shumë fusha që ne jemi përfshirë teknikisht në bashkëpunim me BSH dhe qeverinë. Një nga ato është edhe ajo e uljes së nivelit të kredive të këqija ndërsa fusha tjetër ka të bëjë me rritjen e qëndrueshmërisë së bankës. Po ashtu edhe me zgjerimin e kuadrit të garantimit të depozitave, si dhe mbikëqyrjen dhe supervizimin e Shoqatë së Kursim Kredive.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi