Dallimet mes të majtës dhe së djathtës (I)

Nga Dennis Prager, botuar në Mapo Online, 11 qershor 2015

Dennis-PragerShumica e amerikanëve mbajnë ose qëndrim liberal ose të konservator ndaj shumë çështjeve. Megjithatë, në shumë raste ata e kanë të vështirë ta shpjegojnë pozicionin e tyre ose pozicionin që kundërshtojnë. Por nëse nuk i shpjegon dot të dyja anët, si mund ta dish që ke të drejtë?

Të paktën, është e nevojshme që të kuptosh të dyja pozicionet, liberal dhe konservator, me qëllim që të kuptosh qëndrimin tënd. Unë jam rritur në një botë liberale – në shkolla të New York-ut, çifute, elitare. Unë isha 8 vjeç kur presidenti Dwight Eisenhower garoi për rizgjedhje kundër kandidatit demokrat Adlai Stevenson. Nuk dija asgjë nga politika dhe nuk kisha interes për të. Por e kujtoj mirë që e dija – e dija, jo thjesht e besoja – që demokratët përkrahnin “të dobëtin” dhe republikanët “të pasurin”. Unë votova si demokrat deri në zgjedhjen e Jimmy Carter-it si president më 1976. Ai ishte demokrati i fundit për të cilin kam votuar. Sigurisht, unë iu nënshtrova një ndryshimi intelektual.

Dhe nuk ishte e lehtë. Të bëheshe republikan ishte emocionalisht dhe psikologjikisht si të konvertoheshe në fe tjetër. Në fakt, kur votova për republikanët më dukej sikur i kisha braktisur çifutët. Të ishte çifut do të thoshte të ishe demokrat. Kaq e thjeshtë ishte. Ishte – dhe mbetet – kaq themelore për identitetin e shumë çifutëve amerikanë. Prandaj m’u desh ta mendoja gjatë konvertimin. M’u desh t’i kuptoja të dyja, liberalizmin dhe konservatorizmin. Kam harxhuar gjithë jetën për ta bërë këtë. Fruti i kësaj përpjekjeje do të shfaqet në një seri artikujsh që shpjegojnë dallimin e të majtës me të djathtë. Shpresoj se do të jetë në dobi të konservatorëve për të kuptuar përse janë konservatorë, dhe do t’i mundësojë liberalët të kuptojnë pse dikush që shqetësohet thellësisht për të dobëtin ka pikëpamje konservatore – ose që sot etiketohen si konservatore.

Dallimi nr. 1: A është njeri i mirë?

Doktrina në të majtë të qendrës thonë që njeriu është i mirë. Në anën tjetër, doktrinat konservatore thonë që njeriu lind moralisht me defekte – nuk është lindur i keq, por sigurisht nuk ka lindur i mirë. Po, lindim të pafajshëm – bebet nuk bëjnë krime, tek e fundit – por nuk lindim të mirë. Nëse është bindja e krishterë te mëkati fillestar ose bindja çifute që ne lindim me prirje të mirë ose prirje të keqe, të cilat janë konflikt të vazhdueshëm, sistemi i vlerave rrënjësore të Perëndimit kurrë nuk ka besuar që ne jemi natyrshëm të mirë.

Për ata që mendojnë se ne kemi të mirë brenda vetes, dy përgjigje: E para, asnjë fe ose ideologji nuk e mohon që ne kemi të mirë brenda vetes; problemi është mohimi që brenda vetes kemi dhe pjesë të keqe. E dyta, shpesh është shumë e vështirë të shfaqet pjesa e mirë. E mira njerëzore është si floriri. Duhet shpuar për ta nxjerrë – dhe si minierat e mira, puna për nxjerrjen e të mirës sonë është shumë e vështirë. Kjo është shumë e rëndësishme për të kuptuar ndarjen e majtë-e djathtë, sepse shumë dallime themelore mes tyre burojnë nga kjo ndarje.

Ndoshta më e dukshmja është se konservatorët fajësojnë për sjelljen e tyre ata që përfshihen në veprimtari të dhunshme më shumë seç i fajësojnë liberalët. Liberalët mendojnë se varfëria, dëshpërimi, dhe pafuqia i nxitin njerëzit e varfër, sidomos zezakët – në këtë rast listës i shtohet dhe racizmi – të ngrenë krye e të kryejnë krime të dhunshme. Ja ç’thotë presidenti Barack Obama më 18 maj 2015: “Në disa komunitete, ndjenja e padrejtësisë dhe pafuqisë ka kontribuar për mosfunksionimin e këtyre komuniteteve. …Aty ku njerëzit nuk kanë shpresë dhe mundësi, atëherë shumë herë kjo nxit krimin dhe nxit trazira. E kemi parë këtë në vende si Baltimorë, Ferguson dhe New York.

Kjo ka shumë shkaqe – nga mungesa bazë e mundësive deri te ndjesia e disa grupeve se janë vënë padrejtësisht në shenjestër nga policia”. Pra, zezakët e varfër që kryejnë trazira dhe veprime të tjera dhune e bëjnë këtë kryesisht sepse ndihen të lënë mënjanë dhe vuajnë nga privimet. Përderisa njerëzit janë të mirë, veprimet e tyre të këqija duhet të shpjegohen nga faktorë përtej kontrollit të tyre. Sjellja e tyre nuk është realisht faj i tyre; dhe kur konservatorët fajësojnë zezakët për trazirat dhe sjellje të tjera kriminale, liberalët i akuzojnë se “fajësojnë viktimën”.

Në këndvështrimin konservator, njerëzit që kryejnë veprime të këqija janë fajtorë sepse kanë bërë zgjedhje të këqija – dhe e bëjnë këtë ngaqë kanë ose vetëkontroll të mangët ose ndërgjegje jofunksionale. Në të dy rastet, ata janë fajtorë. Kjo është arsyeja pse pjesa më e madhe e njerëzve po kaq të varfër – zezakë ose të bardhë – nuk marrin pjesë në trazira ose nuk kryejnë krime të tjera të dhunshme.

Po kështu, shumë liberalë mendojnë se shumica e myslimanëve që përfshihen në veprime terroriste e bëjnë këtë për shkak të varfërisë ose veçanërisht për shkak të shkallës së lartë të papunësisë te të rinjtë në botën arabe. Megjithatë, rezulton që shumica e terroristëve vijnë nga familje të mesme dhe të larta. Dhe, natyrisht, Osama bin Ladeni ishte miliarder. Varfëria materiale nuk shkakton vrasje, përdhunime ose terror, varfëria morale po. Ky është një nga dallimet e mëdha mes të majtës dhe të djathtës. Dhe kryesisht buron nga pikëpamjet e tyre të ndryshme rreth faktit nëse natyra njerëzore është, ose jo, e mirë në lindje.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi