BE si një sistem i ri politik
Nga Fatos Tarifa, botuar në Java News, 10 qershor 2015
Çështja e legjitimitetit të Bashkimit Europian duhet të trajtohet edhe në një kontekst tjetër, që ka të bëjë me subjektet njerëzore që i njohin ose jo institucionet politike të tij si legjitime. Nëse legjitimiteti ka të bëjë me aprovimin moral të një sistemi politik, të një forme të caktuar organizimi politik të shoqërisë, ose me pranimin e status quo-së së formës së shtetit prej pjesës më të madhe të shoqërisë, atëherë, pyetja që lind është kjo: Kush duhet t’i aprovojë moralisht institucionet politike dhe kush duhet t’i pranojë ato dhe t’u bindet autoritetit tyre?
Çështja e legjitimitetit, e cila ka qenë dhe mbetet një çështje tepër komplekse në kontekstin e sistemeve politike nacionale, është bërë dhe po bëhet gjithnjë e më shumë e debatuar në kontekstin e Bashkimit Europian, si një formacion supranacional. Siç dihet, “Projekti Europian” e ka origjinën e vet te vizioni i disa politikanëve dhe intelektualëve europianë të periudhës midis dy luftrave botërore, si Richard Coudenhove-Kalergi, Carlo Sforza, Jean Monnet etj. Në atë kohë, ideja e një Europe të racionalizuar e të unifikuar tingëllonte e ngjashme me fushatën që kishte filluar paralelisht me të për ta bërë Esperanton një gjuhë botërore. Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, ideja për krijimin e një Europe të bashkuar u përqafua nga një grup politikanësh me influencë në Francë dhe në Gjermani, të cilët besonin se një strukturë politiko-ekonomike supranacionale do të mund t’i jepte fund, një herë e përgjithmonë, rivalitetit franko-gjerman që kish qenë burimi i tri luftrave të mëdha europiane qysh prej vitit 1870, si dhe do të krijonte një bllok të fortë europianoperëndimor që t’i kundërqendronte bllokut komunist gjatë Luftës së Ftohtë.
Projekti që ideuan Jean Monnet dhe Robert Schuman në fundin e viteve 1940 dhe në fillimin e viteve 1950 synonte krijimin e një shteti të bashkuar europian, i cili të kishte qeverinë, kushtetutën, parlamentin, gjykatën, bankën, monedhën, politikën e jashtme, ushtrinë dhe politikën e vet të brendshme. Ky projekt do të realizohej sipas metodës funksionaliste, përmes integrimit gradual të ekonomive të vendeve europianoperëndimore pjesëmarrëse në këtë projekt, gjë që, sipas tyre, do të çonte eventualisht në unifikimin politik të këtyre vendeve, si një rezultat i natyrshëm i bashkëpunimit mes tyre. Sipas vizionit të Schuman-it, Europa e bashkuar nuk do të krijohej “menjëherë apo sipas një plani të vetëm”, por gradualisht, “përmes arritjeve konkrete, të cilat krijojnë së pari një solidaritet de facto”.
Monnet dhe Schuman projektuan dhe Komuniteti Europian krijoi qysh nga fillimi, një kuadër institucional, në të cilin tregtia midis vendeve anëtare dhe përfitimi reciprok prej saj besohej se do t’i shndërronin mrekullisht pasionet e rrezikshme në radhët e disa vendeve europiane në interesa racionale. Argumentet e dhëna nga ideatorët e “projektit europian” dhe përkrahësit entuziastë të tij gjatë gjysmëshekullit të kaluar kanë variuar nga avantazhet praktike të një Europe të bashkuar, tek idealizmi politik. Kurdoherë që euroskeptikët kanë venë në dyshim avantazhet praktike të një Europe të bashkuar, argumenti kryesor që është përdorur kundër tyre ka qenë, pak a shumë, ky: “Një Europë e bashkuar mundet vërtet të ketë edhe disavantazhe, por ky është një çmim që ia vlen të paguhet për hir të një ideali politik të mrekullueshëm”. Shembujt për justifikimin e këtij optimizmi nuk kanë munguar. Fjala vjen, vendet europiane që ishin nën diktaturat e juntave ushtarake në mesin e viteve 1970 Greqia, Portugalia dhe Spanja u transformuan, në një masë të madhe falë procesit të integrimit europian, në demokraci të konsoliduara dhe, po kështu ka ndodhur me shumë prej vendeve ish-komuniste, të cilat kishin qenë për dekada me radhë të ndara me një “perde të hekurt” nga pjesa perëndimore e kontinentit europian. Nga pikëpamja politike, pra, integrimi europian u ka dhënë fund armiqësive që trashëgoi Europa pas Luftës së Dytë Botërore dhe ndarjes së kontinentit në dy blloqe antagoniste, e ka zgjeruar sferën e sigurisë dhe ka ndihmuar në konsolidimin e demokracisë në kontinentin europian.
Ndaj atyre që kanë qenë dhe janë skeptikë mbi realizimin e këtij ideali politik, argumenti ka qenë dhe mbetet se projekti europian ia vlen të realizohet për shkak të avantazheve ekonomike që ai krijon. Për shembull, vendet që u bënë të parat anëtare të Tregut të Përbashkët përfituan jashtëzakonisht shumë në pikëpamje të stabilitetit dhe të zhvillimit ekonomik. Po kështu, hendeku që ndante periferinë e varfër të Europës (kryesisht jugun e kontinentit), nga pjesa veriore e saj, është ngushtuar, apo edhe është zhdukur, si për shembull, në rastin e Irlandës.
Sot, kur kanë kaluar afro 70 viteqë nga nënshkrimi i Traktatit të Romës, më 1957, me të cilin nis historia e krijimit të Bashkimit Europian, shumë nga institucionet e përmendura më sipër janë bërë realitet. Këshilli i Europës, Parlamenti Europian, Komisioni Europian, Gjykata Europiane e Drejtësisë dhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut janë krijuar dhe funksionojnë si institucione supranacionale për të 28 vendet anëtare të Bashkimit Europian. 19 nga këto vende, të njohura kolektivisht si Eurozonë, kanë adoptuar euron si monedhën e tyre dhe i nënshtrohen një politike monetare të përbashkët, e cila koordinohet dhe drejtohet nga Banka Qendrore Europiane.
Bashkimi Europian është shndërruar sot, krahas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në një superfuqi ekonomike e financiare, duke i kontribuar ekonomisë globale një të tretën e GDP-së së saj. Paqja që predikonte Immanuel Kant dy shekuj e gjysmë më parë duket se është bërë sot një fakt i jetës europiane. Popullsia gjysmëmiliardshe e vendeve të Bashkimit Europian gëzon një shkallë mirëqënieje që është ndër më të lartat në botë. Sidoqoftë, skepticizmi ndaj Bashkimit Europian vazhdon të jetë gjerësisht i përhapur dhe, në vende të veçanta, në rritje, siç dëshmojnë, ndër të tjera, edhe rezultatet e Eurobarometrit në këto 10-15 vjetët e fundit.
Skepticizmi i publikut europian është shoqëruar dhe vazhdon të shoqërohet nga një bateri kritikash politike dhe akademike, të cilat u adresohen, kryesisht, mënyrave se si administrohet Bashkimi Europian dhe si merren vendimet në Bruksel. Në radhët e akademikëve, kritikat bëhen nga një sërë perspektivash: ekonomike, politike, sociologjike, të sigurisë, etj. Në media dhe në diskurin politik, kritikët e globalizimit e vlerësojnë Bashkimin Europian si një forcë neo-liberalizuese; ksenofobët e konsiderojnë atë si një kërcënim ndaj integritetit dhe identintetit kombëtar; euroskeptikët, veçanërisht në Britaninë e Madhe, e shohin integrimin europian si një mënyrë për krijimin e një supershteti dhe si një kthim mbrapa në “paternalizmin etatist kontinental”, në “kapitalizmin Rhenian” sentimental, apo në ekonominë sociale të tregut (social market economy). Ndonjëherë, si në rastin e refuzimit të projektit të Kushtetutës Europiane nga publiku francez dhe ai hollandez, në vitin 2005, disa nga këto forca mobilizohen së bashku kundër integrimit të mëtejshëm europian, pavarësisht orientimeve të ndryshme ideologjike nga të cilat nisen.
Në vitet 1980, presidenti francez François Miterrand, kancelari gjerman Helmut Kohl dhe drejtues të tjerë të disa shteteve anëtare të Komunitetit Europian, shpreheshin hapur se qëllimi politik final i “projektit europian” ishte krijimi i një shteti europian federal. Edhe pse samiti i Lisbonës (2007), arriti në një farë mase të rinegocionte një dokument kushtetues, pas dështimit të projektit të Kushtetutës Europiane më 2005, duke e vënë veprimtarinë e Bashkimit Europian mbi baza më demokratike, BE akoma nuk ka kushtetutën e vet, akoma nuk ka ushtrinë e vet, akoma nuk ka një politikë të vetën të jashtme dhe të sigurisë dhe, rrjedhimisht, nuk ka sovranitetin e një formacioni politik, si ai i një shteti kombëtar, për të cilin është formuluar dhe aplikuar deri më sot koncepti i legjitimitet. Pavarësisht arritjeve të jashtëzakonshme të derisotme në zgjerimin dhe integrimin e vazhdueshëm të tij, Bashkimi Europian vazhdon të mbetet një “projekt eurpian” ende i papërfunduar.
Në stadin që është sot, Bashkimi Europian nuk është as një federatë, as një konferederatë. Ai është më shumë se një regjim ndërkombëtar, por më pak se një shtet supranacional. Për shkak të këtij tipari eluziv të tij, studiuesit e kanë të vështirë të bien dakord në gjetjen e një përcaktimi adekuat për Bashkimin Europian, i cili përcaktohet herë si një “sistem politik pjesërisht i formuar”, herë si një “sistem politik i mundshëm” dhe herë si një “sistem sui generis”. Përcaktime të tilla reflektojnë si faktin që integrimi europian është ende një proces i papërfunduar, ashtu dhe veshtiresitë për ta përcaktuar konstitucionalisht Bashkimin Europian.
Një koncept i ri për legjitimitetin e BE-së?
Duke filluar nga vitet 1990 dhe, gjithnjë e më shumë pas zgjerimit më të madh të Bashkimit Europian, në vitet 2004 dhe 2007, një pjesë e kritikave ndaj BE-së fokusohen në atë dukuri, e cila prej kohësh cilësohet si “deficit demokratik” i BE-së, si edhe në mungesën (apo krizën) e legjitimitetit të Bashkimit Europian. BE ka qenë dhe vazhdon të mbetet, për një pjesë të gjerë të publikut europian dhe për shumë studiues, një sistem politik i kontestuar, pikërisht për shkak të perceptimit të tij si një sistem, të cilit, ose i mungon tërësisht legjitimiteti, ose ka një legjitimitet të kufizuar. Kërë perceptim, studieuesit David Beetham dhe Christopher Lord e shprehin me këto fjalë: “Ç’të drejtë ka Bashkimi Europian të marrë vendime kaq të rëndësishme mbi shanset që mund të kenë individët në jetën e tyre dhe mbi vlerat kryesore, duke imponuar sakrifica për disa dhe duke krijuar oportunitete për të tjerë?”. Michael Shackleton e ka formuluar edhe më qartë problemin e “krizës së brendshme të legjitimitetit” të Bashkimit Europian, duke thënë se ajo është “produkt i të kuptuarit se [Bashkimi Europian] nuk ka mjetet për t’u shndërruar nga një sistem i krijuar kryesisht për administrimin e gjërave, në një sistem që merret me qeverisjen e njerëzve. Administrimi mund të ketë pasoja, madje shumë herë të rëndësishme, për njerëzit….Sidoqoftë, ai është një proces, i cili është esencialisht i justifikuar nëse marrim parasysh efektivitetin dhe drejtësinë. Nga ana e saj, qeverisja ka nevojë për një mbështetje më të gjerë brenda shoqërisë, mbështetje e cila mund të arrihet vetëm përmes legjitimitetit demokratik”.
Teoritë sociologjike dhe politike bashkëkohore e shohin legjitimitetin e një sistemi politik, ose të një qeverie, si një cilësi që buron, ose fitohet përmes procesit demokratik, çka presupozon një konsensus në shkallë të gjerë të elektoratit, që mbështet vlerat mbi të cilat është ngritur dhe funksionon ai sistem. Legjitimiteti ka, pra, një aspekt social, në kuptimin që ai buron nga konsensusi i qytetarëve, një aspekt normativ, në kuptimin e vlerave të cilat gjenerojnë këtë konsensus, si dhe një aspekt procedural, që ka të bëjë me mënyrën se si merren vendimet. Për shkak se procesi vendimmarrës në Bashkimin Europian realizohet përmes një kompleksi strukturash kombëtare, ndërqeveritare dhe supranacionale, ende nuk ekziston një teori normative e përshtatshme mbi përgjegjësitë politike dhe pjesëmarrjen demokratike për një formacion të tillë kaq të ndërkikuar.
Mungesa e përkufizimeve të domosdoshme, madje edhe në fushën e jurisprudencës, ka bërë që debati politik mbi natyrën e demokracisë dhe legjitimitetin kushtetues, deri më sot, të zhvillohet pothuajse ekskluzivisht në kontekstin e shtetit kombëtar sovran dhe raportet e tij me qytetarët e vet. Por a mund të shtrihen teoria mbi demokracinë dhe koncepti i legjitimitetit, të formuluar në kontekstin e shteteve sovrane, edhe për një formacion të tillë supranacional, siç është Bashkimi Europian?
Gjatë zhvillimit të tij historik, i cili është realizuar njëherësh si zgjerim me shtete të reja anëtare dhe si integrim më i thelluar i marrëdhënieve dhe i proceseve të bashkëpunimit ndërmjet vendeve anëtare, Bashkimi Europian ka marrë mbi vete kompetenca gjithnjë e më të mëdha. Këto kompetenca, në fakt, u janë dhënë institucioneve të BE-së nga vetë vendet anëtare të saj, të cilat, gradualisht ia kanë deleguar, ose, më saktë, ia kanë transferuar një pjesë të sovranitetit të tyre kombëtar Bashkimit Europian. Me këtë, Brukselit i është njohur e drejta që të ushtrojë sovranitetin e vet në fusha të caktuara, në emër të sovranitetit të vendeve anëtare të BE-së, në atë masë sa, vendimet që merren në Bruksel, ndikojnë në çështjet e brendshme të çdo shteti anëtar. Me fjalë të tjera, edhe pse Bashkimi Europian nuk është vetë një shtet, ai ka pothuajse të gjitha atributet e një shteti sovran tradicional. Për këtë shkak, ka autorë që mendojnë se koncepti klasik mbi kombin është bërë i papërdorshëm për të vlerësuar legjitimitetin e Bashkimit Europian dhe të sistemeve të tjera supranacionale që eventualisht mund të krijohen në një shoqëri të globalizuar gjithnjë e më shumë, dhe se, për këtë arsye, është bërë e nevojshme një koncept i ri mbi legjitimitetin, i cili, nga njëra anë, të mos mbështetet në konceptin e shtetit kombëtar dhe, nga ana tjetër, të jetë mjaft abstrakt dhe i hapur për të marrë në konsideratë tiparet specifike të një sistemi të tillë politik kompkes, apo sui generis, siç është Bashkimi Europian.
Është me interes që çështja e legjitimitetit të Bashkimit Europian të trajtohet jo vetëm apo kryesisht në kuadër të teorive klasike apo bashkëkohore mbi autoritetin dhe legjitimitetin, por edhe në kuadër të teorisë mbi sistemet politike, siç e gjejmë të formuluar në veprat e sociologëve të njohur David Easton, Gabriel Almond dhe Bingham Powell. Këta autorë argumentojnë se çdo sistem politik, pavarësisht natyrës së tij, për të mbijetuar ka nevojë për një shkallë të caktuar mbështetjeje popullore. Shkalla e besimit ndaj sistemit shprehet në masën dhe në intensitetin në të cilën kjo mbështetje është esenciale që pushteti t’i shndërrojë nevojat e mjedisit dhe kerkesat e popullsisë në vendime politike, të cilat pastaj pranohen nga qytetarët dhe zbatohen prej tyre në mënyrë të vullnetshme. Kjo realizohet përmes katër proceseve—(1) artikulimi i interesave territoriale e funksionale, (2) negociimi, (3) politikbërja dhe (4) zbatimi—procese te cilat, nga ana e tyre, influencohen nga tre funksione të vetë sistemit, që janë: socializimi, rekrutimi i elitës dhe komunikimi. Në këtë mënyrë, funksionet dhe proceset e sipërpërmendura, prodhojnë si rezultat efektivitet dhe legjitimitet për sistemin politik.
Nëse një sistem politik i dhënë, për shkak të keqfunksionimit të pjesëve (institucioneve) të tij, prodhon një rezultat të papëlqyer nga shumica e popullsisë, mbështetja aktive për atë sistem dhe besnikëria ndaj tij dobësohen dhe bien. Me fjalë të tjera, mënyra sipas të cilës kryhen proceset dhe funksionet politike, pavarësisht njëra-tjetres, ka një efekt shumë të madh mbi efektivitetitn, transparencën, legjitimitetin dhe stabilitetin e një sistemi politik. Kjo, argumenton Volfgang Merkel, vlen njëlloj të thuhet si për sistemin politik të një shteti kombëtar, ashtu dhe për sistemin e Bashkimit Europian. Mbështetur mbi të njëjtin arsyetim, Joseff Weiler pohon se, ashtu si për shtetet kombëtare, edhe për Bashkimin Europian mund të flitet për dy forma legjitimiteti, të cilat ai i quan legjitimitet “formal” (ose legal) dhe legjitimitet “social” .
Edhe nëse e vlerësojmë çështjen e legjitimitetit të Bashkimit Europian nga një këndvështim tjetër, duke e parë atë si një organizatë ndërqeveritare, ka autorë që përsëri mendojnë se BE-së nuk i mungon legjitimiteti. Sipas tyre, “përderisa parlamentet e shteteve anëtare, ose qytetatarët e vendeve anëtare (përmes referendumeve), u kanë dhënë miratimin e tyre traktateve të Bashkimit Europian, me këtë ata i kanë dhënë BE-së edhe legjitimitet” për të marrë vendime në emër dhe në interes të tyre. Rrjedhimisht, kushtetutat e vendeve anëtare të BE-së kanë sanksionuar norma dhe procedura të domosdoshme që t’ua transferojnë një pjesë të sovranitetit të tyre Bashkimit Europian. Dhe nëse—apo kur—pushteti sovran i një vendi transferohet, ushtrimi i tij nga institucionet e Bashkimit Europian nuk varet më nga legjislacioni kombëtar.
Parlamenti Europian dhe legjitimiteti i BE-së
Unë kam zgjedhur ta konsideroj çështjen e legjitimitetit të Bashkimit Europian duke u përqendruar kryesisht te Parlamenti Europian. Në të gjitha sistemet politike demokratike, parlamentet konsiderohen si bastione dhe simbole jo vetëm të sovranitetit kombëtar, por edhe të legjitimitetit. Si organe të zgjedhura drejtpërsëdrejti nga populli, merret si e mirëqënë që parlamentet përfaqësojnë interesat e qytetarëve dhe marrin vendime në interes të tyre. Përsa i përket Parlamentit Europian, ai është jo vetëm njëri prej institucioneve kryesore të Bashkimit Europian, por edhe i vetmi institucion “përfaqësues” i BE-së, pasi anëtarët e tij zgjidhen drejtpërsëdrejti nga qytetarët e vendeve anëtare.
Sidoqoftë, Parlamenti Europian ndryshon nga parlamentet e vendeve demokratike si nga forma, ashtu dhe nga funksionet që ai kryen. Si i tillë, ai ka një rëndësi të madhe kur vjen puna të trajtojmë çështjen e legjitimitetit të BE-së. Në këtë kontekst, legjitimiteti i Parlamentit Europian dhe, ipso facto, i Bashkimit Europian, duhet parë nga pikëpamja e përfaqësimit, që do të thotë, nëse ekziston apo jo një komunikim politik midis institucioneve dhe elitave drejtuese të Bashkimit Europian, nga njëra anë, dhe qytetarëve të vendeve anëtare të BE-së dhe grupeve të interesit, nga ana tjetër. Janet Mather me të drejtë vë në dukje se, ndryshe nga parlementetet e vendeve të veçanta, Parlamenti Europian nuk krijon një qeveri europiane. Zgjedhjet për Parlamentin Europian dhe rezultatet që dalin prej tyre nuk sjellin ndryshime në Këshillin Europian apo në Komisionin Europian dhe, për këtë arsye, Bashkimi Europian nuk përfaqëson një demokraci parlamentare. Nëse votuesit europianë do të zgjidhnin Presidentin e tyre dhe nëse përbërja e Këshillit Europian dhe e Komisionit Europian do të përcaktoheshin nga rezultatet e zgjedhjeve në nivel europian, dhe jo nga marrëveshjet mes elitave politike të vendeve të veçanta të BE-së, Bashkimi Europian do të kishte më shumë legjitimitet. E njëjta gjë mund të thuhet edhe nëse vetë procesi i integrimit europian do të kishte qenë, qysh nga fillimi, një proces i orientuar më shumë nga interesat dhe aspiratat, apo nga një volonté générale e “demosit europian”, sesa nga vizioni dhe vullneti i një elite politike europiane dhe nga zgjidhjet praktike të teknokratëve të Brukselit.
Disa autorë argumentojnë se një kuptim i drejtë mbi Parlamentin Europian dhe mbi legjitimitetin e BE-së kërkon ta përqëndrojmë vëmendjen në mënyrën se si kombinohen dhe ndërveprojnë me instrumentet e tyre qeverisëse aktorët nacionalë dhe supranacionalë për të prodhuar legjislacionin dhe politikat e Bashkimit Europian. Aftësia e Parlamentit Europian për të krijuar një farë “legjitimiteti europian” varet, në një shkallë të konsiderueshme, nga vetë natyra dhe struktura institucionale e sistemit të Bashkimit Europian si i tërë, si dhe nga roli i veçantë që luan ky parlament në të. Organizimi strukturor dhe ai institucional i Bashkimit Europian, pothuajse qysh nga krijimi i institucioneve të para të tij, vazhdojnë të mbeten një çështje shumë e debatuar në radhët e publikut e të qarqeve politike të vendeve europiane. Siç ka vënë në dukje Peter Haas, i tërë organizimi institucional i Komunitetit Europian (Bashkimit Europian) është projektuar dhe realizuar për të mbështetur zhvillimin e një shteti rregullator europian. Sipas këtij autori, “copinage technocratique, politika rregullatore, inkrementalizmi dhe debati teknokratik i depolitizuar ndërmjet ekspertëve” përbëjnë kodin gjenetik të institucioneve europiane.
Ironikisht, institucionet e tjera të Bashkimit Europian, veçanërisht Këshilli i Europës dhe Komisioni Europian, edhe pse kanë më shumë prerogativa dhe të drejta në vendmmarrje, kanë më pak legjitimitet demokratik sesa Parlamenti Europian. Megjithatë, Parlamenti Europian mbetet një institucion gjerësisht i kontestuar, pasi, roli, rëndësia dhe statusi i tij, ashtu si dhe roli i institucioneve të tjera të BE-së, interpretohen në mënyra të ndryshme, nisur nga strategji dhe interesa politike të ndryshme. Edhe pse kompetencat e Parlamentit Europian jane rritur pas Aktit të Vetëm European (Single European Act) të vitit 1986, pas Traktatit te Mastrihtit të vitit 1992 dhe, veçanërisht, pas Traktatit të Lisbonës më 2007, legjislatura e Bashkimit Europian vazhdon të jetë e dobët për të pasur minimunim e prerogativave që kanë parlamentet e shteteve kombëtare sovrane.
Një ndër argumentet kryesore që sillet për të argumentuar “deficitin demokratik” apo mungesën (pamjaftueshmërinë) e legjitimitetit të Bashkimit Europian, është se ai nuk ka institucione dhe/ose mënyra proceduriale për të ndëshkuar individët që janë përgjegjës për dështimet e politikave të tij. Politikat e BE-së duket se formulohen në një vakum popullor nga euroteknokratë, të cilët nuk japin llogari, dhe të cilët nuk dihet përse dhe kujt i shërbejnë. Këta dy elementë shkalla e ulët e përfaqësimit dhe mungesa e kërkesës/dhënies së llogarisë çka në zhargonin e sotëm politik quhen “deficit demokratik”, e bëjnë më iminente çështjen e legjitimitetit të Bashkimit Europian.
Sidoqoftë, jo të gjithë studiuesit e Bashkimit Europian janë të këtij mendimi. Andrew Moravcsik, për shembull, përpiqet të argumentojë se, nëse demokratizimi [i BE-së] mund të krijojë më shumë legjitimitet në një periudhë afatshkurtër (edhe pse kjo mbetet për t’u parë), një pasojë e mundshme, por paradoksale afatgjatë mund të jetë erozioni i mëtejshëm pikërisht i asaj mbështetjeje popullore që demokratizimi kërkon të krijojë.
Duhet vënë në dukje se në procesin e integrimit europian, mbështetja popullore për këtë proces ka variuar nga njëri vend në tjetrin, dhe nga njëra periudhë në tjetrën. Në varësi të kësaj ka ndryshuar edhe zhargoni politik dhe akademik i përdorur në studimet për Bashkimin Europian. Fjala vjen, termi “konsensus lejues” (permissive consensus), është përdorur për të treguar mbështetjen e gjerë, por jo thellësisht të vendosur të publikut europian për Komunitetin Europian, një situatë në të cilën drejtimi i procesit të integrimit eurpian iu la në dorë elitave politike. Deri në fillim të viteve 1990, pikëpamjet e publikut mbi unifikimin europian merreshin si të mirëqëna, edhe pse në Parlamentin Europian flitej shumë për integrimin, si një proces demokratik. Deri atëherë, prosperiteti ekonomik shihej si një qëllim i përbashkët i popujve europianë, për hir të realizimit të të cilit ata mund të pranonin të drejtoheshin së largu, nga institucionet e Komunitetit Europian. Pavarësisht opinioneve të ndryshme, ose të kundërta që shprehnin elitatat politike në Britani ose në Danimarkë, e ardhmja e projektit europian dukej se ishte e qartë. Në fakt, vështirësitë që u vunë re në ratifikimin e Traktatit të Mastrihtit me anë të referendumeve në Francë dhe në Danimarkë nxorrën në pah se, shumë nga supozimet mbi të cilat ishte kryer procesi i integrimit europian deri atëherë kishin qenë false, çka vuri në dyshim edhe vetë legjitimitetin e Komunitetit Europian.
Në periudhën pas Traktatit të Mastrihtit (1992), një prej traktateve të Komunitetit Europian që ka ngjallur më shumë diskutime në radhët e publikut europian, doli edhe më shumë në pah aspekti teknokratik i vendimmarrjes së BE-së, duke e ulur shkallën e mbështetjes së publikut për thellimin e intergimit europian. Nëse kësaj i shtojmë kostot shumë më të larta të politikave të sotme të Brukselit, çështja e legjitimitetit të BE-së bëhet edhe më akute, përderisa Bashkimi Europian ka shkuar sot shumë më tej se misioni i Komunitetit Ekonomik Europian për integrimin ekonomik.
“Demosi” europian
Çështja e legjitimitetit të Bashkimit Europian duhet të trajtohet edhe në një kontekst tjetër, që ka të bëjë me subjektet njerëzore që i njohin ose jo institucionet politike të tij si legjitime. Nëse legjitimiteti ka të bëjë me aprovimin moral të një sistemi politik, të një forme të caktuar organizimi politik të shoqërisë, ose me pranimin e status quo-së së formës së shtetit prej pjesës më të madhe të shoqërisë, atëherë, pyetja që lind është kjo: Kush duhet t’i aprovojë moralisht institucionet politike dhe kush duhet t’i pranojë ato dhe t’u bindet autoritetit tyre?
Në rastin e Bashkimit Europian, arkitektura kushtetuese e tij nuk është aprovuar asnjëherë deri më sot nga një pouvoir constituent i vetëm, pra nga një “demos europian”. Një demos i tillë, i kuptuar si burimi kryesor i sovranitetit dhe i legjitimitetit demokratik, ekziston në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Gjermani, në Australi dhe në Kanada, por jo në Bashkimin Europian, edhe pse ai nuk ka ekzistuar në asnjërin prej këtyre vendeve qysh nga krijimi i tyre. Demosi europian është një demos politikisht i fragmentuar dhe pa një identitet të spikatur civik, i cili të ushqente ndjenjën e kolektivitetit europian, apo, siç shkruan M. Viroli, “të një patriotizmi republikan”.
I kuptuar si tërësia e individëve që përbëjnë një shtet unitar, ose një shtet federal dhe që përmbushin kriteret e shtësisë (citizenship), një demos i tillë konstitutiv nuk ekziston në Bashkimin Europian dhe, pra, argumenti vijon, BE-ja nuk është një sistem i legjitimuar, përderisa nuk ka një “pouvoir constituent europian”, një “demos transnational”, pra, një populus liber, që udhëhiqet nga një charitas civicum, i aftë të projektojë dhe të realizojë aspiratat e tij përmes institucioneve qendrore dhe nëpërmjet debatit të lirë publik. Pikërisht këtë kontradiktë, që, siç shprehet filozofi francez Etienne Balibar, përbën vetë problemin e Bashikimit Europian, synonte të zgjidhte projekti i Kushtetutës Europiane—“natyrën dhe ekzistencën e një publiku konstitutiv në nivel Europian”.
Debati mbi këtë problem është i gjerë, madje, ai është shndërruar në një “fushë të minuar”. Ky debat përfshin një varg çështjesh të rëndësishme teorike, politike e juridike, që kanë të bëjnë me identitetet kolektive dhe formimin e tyre, konceptin mbi shtetësinë dhe të drejtat e qytetarit, etj. Në këtë ese, unë kam adoptuar qendrimin e shprehur nga Balibar, i cili argumenton se: (1) identitetet kolektive legjitimuese nuk janë domosdo ato që krijohen mbi bazën e etnisë apo të karakteristikave të tjera primordiale; (2) shumë identitete kolektive janë formuar historikisht dhe mund të vazhdojnë të krijohen përmes veprimit politik dhe krijimit të institucioneve ndërnacionale dhe (3), identitetet kolektive nuk janë domosdoshmërisht unitare; ato mund të bashkekzistojnë në nivele të ndryshme.
Nisur nga argumentet e mësipërme, të cilave unë u përmbahem, mund të vijmë në përfundimin se identiteti europian, si një identitet kolektiv i popujve të këtij rajoni, i ushqyer dhe mbështetur në një histori të përbashkët dhe në vlera të përbashkëta, nuk është diçka e dhënë një here e përgjithmonë, por një dukuri që zhvillohet si një proces, të cilin, vetë integrimi europian deri më sot e ka lehtësuar dhe, ndoshta, edhe e ka motivuar. Pavarësisht shkallës jo të njëjtë të aprovimit që gjejmë në vende të caktuara të Bashkimit Europian mbi politikat e BE-së, procesi e derisotëm i integrimit europian nuk do të kishte qenë i mundur pa konsensusin e gjerë të qytetarëve të vendeve të integruara në këtë union.