Mosbesim apo lodhje prej premtimeve?!

Nga Rexhep Meidani, botuar në Panorama Online, 8 qershor 2015

Rexhep_MeidaniNë pamjet televizive, në shumë takime elektorale, me gjithë ndërhyrjet, retushimet e rregullimet e stafeve zgjedhore apo të redaksive përkatëse, dallohet padurimi, indiferenca, lodhja e mërzia në jo pak pjesëmarrës. Përse po ndodh diçka e tillë? Ka ndryshuar “stili” i politikanëve apo po reagon ndryshe qytetari votues…?

“Mbush e zbraz”
Ka shumë arsye, por jo të pakta janë dhe arsyet social-ekonomike! Nga ana tjetër, edhe pjesëmarrësit, megjithëse relativisht të paktë, nuk kanë ardhur gjithmonë me dëshirën e tyre! Diku sepse kanë qenë të detyruar të jenë aty, diku edhe të lodhur nga stërhollimi bosh i fjalëve të emetuara apo nga përsëritja stresuese e tyre, diku nga mosnjohja dhe “trashësia” e vizioneve konkrete, diku nga “harrimi” i faturave ose mungesa e llogaritjeve financiare, diku tjetër nga teprimet gjoja populiste, e kështu me radhë. Natyrisht, nuk mund të mohohet se kudo në botë, në fushata elektorale, gjithmonë premtohet. Madje, shpesh, premtimet i kalojnë mundësitë konkrete financiare të realizimit, por jo deri në këtë ekstrem e papërgjegjshmëri të skajshme shqiptare… Në fakt, ky lloj teprimi gënjeshtar i politikës, kudo në botë, po e dëmton, deri demaskon, thelbin e saj. Aq më tepër kur harrohet shumë shpejt koha e daljes para zgjedhësve, llogaridhënia para qytetarëve, kontrollet parlamentare apo atyre vendore në periudhat midis zgjedhjeve etj. Por, në rastin shqiptar, akoma më shqetësuese në fushatë është dhe propaganda e tipit “mbush e zbraz”. Shkohet në takime pa më të voglën përgatitje. Madje, shpesh, vihet re një ballafaqim apo përballje me zgjedhësit pa ndonjë bilanc vendor konkret, pa ide e konsiderata specifike, shumë shpesh duke “ekspozuar” një retorikë boshe, tejet të mërzitshme, “çuditërisht” të përsëritshme dhe mjaft lodhëse. Pikërisht, ky “faj” i politikës që, në një mënyrë apo tjetrën, po konstatohet dhe në pjesëmarrjen e vagët qytetare në debatin elektoral apo në indiferencën e skajshme në një pjesë dërmuese të popullsisë, ka shumë mundësi që më tej të pasqyrohet drejtpërsëdrejti në votime. Ndërkohë, paralelisht me të, në rënie pikiatë duket dhe vetë respekti i qytetarit ndaj politikës, ndaj liderëve kryesorë në qeverisje e opozitë, ndaj vetë shtetit dhe institucioneve të tij, qofshin ato qendrore ose vendore.

Ena bosh zhurmon më shumë
Në përgjithësi, procesi zgjedhor është shqetësues në vende me nivel relativisht të brishtë demokracie apo me një shkallë të lartë varfërie dhe papunësie. Në mjaft vende të rajonit, përfshirë dhe Shqipërinë, në proceset zgjedhore nuk mungojnë akuzat për blerje vote, përfshirë dhe raste manipulimesh në procesin e votimit apo të numërimit të votës. Dhe, natyrisht, nuk bëhet fjalë vetëm dhe thjesht për një akuzë politike! Sepse, e gjithë kjo duket krejt e mundshme në kushte të vështira mbijetese brenda një shtresimi popullsie. Pikërisht kjo duhet minimizuar e shmangur, madje një gjë e tillë, në këto zgjedhje, duhet të vlerësohet seriozisht nga vetë partitë politike dhe përfaqësuesit e tyre në strukturat zgjedhore. Përndryshe, do të ketë vonesa në procesin e integrimit europian, dhe, mbi të gjitha, realizimi i reformës territoriale e administrative, në vitet e para të zbatimit të saj, do të rezultojë me shqetësime të panumërta.

Dhe një shqetësim nuk është pa bazë, sidomos në gjendjen e sotme ekonomike me pakënaqësi qytetare në rritje. Nga ana tjetër, nuk është e rastit që në popuj të ndryshëm të shfaqen formulime të ndryshme popullore për “barkun bosh”, apo për raportin e tij me “llogjet” politikë. Kështu, p.sh., midis irlandezëve ndeshen thënie ose proverba të tilla, si: “barku nuk mbushet me llafe”, “barku plot nuk e kupton barkun bosh”, kurse te kurdët gjenden shprehje të tilla, si: “një stomak i uritur nuk ka veshë”, “llafet boshe nuk e mbushin dot një bark bosh”. Ndërsa, në një proverb spanjoll thuhet: “një bark bosh nuk dëgjon asnjeri” etj. Diçka e ngjashme ndeshet dhe te shprehjet tona popullore, pavarësisht që, shpesh, bëhet i vështirë dallimi midis origjinës shqiptare apo asaj të huazuara në shprehje të tilla. Midis tyre mund të përmenden, p.sh.: “në barkun bosh dhe uji bën dëm”, “çka s’ngop syrin, s’ngop as barkun”; “e keqja vjen shpesh nga ata që janë ose shumë të uritur, ose shumë të ngopur”, “ena bosh zhurmon më shumë (Krujë)”, “i ngopuri nuk beson të urtin (Përmet)”, “thesi bosh nuk qëndron në këmbë (Krujë)” apo në një variant bashkëkohor, “kur e ke barkun bosh, edhe 10 lekë të duken shumë”(!); etj. Por, a do të ndikojë një “filozofi” e tillë popullore apo një “lexim” i tillë politik në këto zgjedhje? Të shohim! Por, përgjithësisht, shqiptarët si popull nuk votojnë keq…!

Gota gjysmë e mbushur dhe gjysmë e zbrazur
Me sa kuptohet në biseda midis njerëzve, në lidhje me zgjedhjet vendore, një shumicë votuesish ndodhen ende para dilemës klasike të “një gote gjysmë të mbushur dhe asaj gjysmë të zbrazur”. Sepse, në fund të fundit, ajo që na intereson, është se si do të reflektohen këto zgjedhje në zhvillimin demokratik, social-ekonomik e politik-institucional të vendit, në menaxhimin e burimeve dhe cilësinë e shërbimeve, në ndershmërinë dhe seriozitetin e kryerjes së detyrës publike.
Në fakt, pyetja “a është një gotë gjysmë e mbushur apo gjysmë e zbrazur”, është një pyetje apo shprehje, shpesh e shfrytëzuar në mënyrë retorike, për të treguar që një situatë e veçantë mund të shkaktojë optimizëm (rasti i gotës gjysmë të mbushur) apo pesimizëm (rasti i gotës gjysmë të zbrazur). Nuk mungojnë rastet që gjykimi i gotës gjysmë të mbushur dhe asaj gjysmë të zbrazur të shfrytëzohet në politikë dhe si një lakmus politik. Por, nga ana tjetër, vetë kjo pyetje dëshmon se një situatë konkrete mund të lexohet dhe në mënyra krejt të kundërta (me ngjyra optimiste ose me ngjyra pesimiste); apo nën kënde të ndryshme, në vartësi të pozicionit, interesit e shikimit konkret. Në njëfarë mënyre, një pyetje apo shprehje e tillë pasqyron faktin që perceptimi lidhet dhe me individin apo bashkësinë në interpretimin e realitetit, me njohjen ndaj këtij realiteti, përfshirë dhe anësinë konkrete në këtë perceptim. Sidomos, kjo bëhet me shenjë të kundërt nën trysni politike apo abuzim militantësh.

Aq më tepër që me këtë shprehje retorike lidhen dhe cilësime konkrete. Kështu, cilësori bosh (apo i zbrazur) flet për një mungesë në përmbajtje (si rasti i një kutie boshe apo një truri bosh), për mungesë apo një vend të pazënë (si një tavolinë ose zyrë boshe, si një vend i ofruar, ende i pa okupuar), për një premtim (si një premtim i pamundur i tipit politik) etj. Pikërisht, këto të fundit, premtimet politike po bëhen më se bajate, në Shqipëri, në kuadër të fushatave elektorale, madje pa ndonjë shqetësim individual e kolektiv, deri pa më të voglën “vrasje ndërgjegje” qytetare e politike të individit ose grupimit emetues…

“Litmus test” si “lakmus politik”
Në kimi, siç dihet, në një testim të thjeshtë të aciditetit apo të gjendjes alkaline shfrytëzohet lakmusi. Ky është testimi kimik me lakmus (litmus test). Pikërisht një test i tillë dhe terminologjia përkatëse ka shërbyer shpesh si metaforë politike, përfshirë dhe rastet me natyrë zgjedhore. Në fakt, kur shfrytëzohet ky term (litmus test) në politikë atëherë ai mishëron diçka tipike, p.sh., një opinion mbi një çështje politike e morale, një gjykim mbi dikë me peshë të veçantë apo dhe diçka të pranueshme ose të papranueshme; për më tepër, një testim ku një faktor i caktuar (një qëndrim, një ngjarje ose një fakt konkret) bëhet vendimtar.
Në mënyrë të veçantë, “litmus test” është dhe një pyetje që shtrohet ndaj një kandidati potencial për një zyrë të lartë shtetërore. Është pikërisht gjykimi apo përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje, që e bën atë vendimtare në zgjedhjen ose emërimin e zyrtarit përkatës. P.sh., në SHBA, shumë shpesh, miratimi i një gjykatësi për Gjykatën Supreme, i nënshtrohet një “litmus test” në Senat. I tillë ka qenë prej kohësh, p.sh., pozicioni i tij individual mbi abortin.

Por, ky lloj “litmus test” ka dhe kundërshtarët e tij, sepse, sipas tyre, kandidatura e gjykatësit duhet të vlerësohet sipas nivelit të profesionalizmit dhe interpretimit rigoroz të ligjit dhe Kushtetutës, dhe jo sipas ndonjë pozicionimi e qëndrimi të veçantë të tij (Kurse, në Shqipëri, pas miratimit të një kandidati për gjykatës nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në njëfarë mënyre “litmus test” është gjykimi apo kontroll-miratimi nga institucioni i Presidentit të Republikës, i shoqëruar me nxjerrjen e dekretit përkatës).
Por, a duhet të ketë një “limitus test”, para votimit qytetar, për kandidatët në zgjedhjet vendore ose qendrore? Natyrisht që po. I tillë është në vetvete procesi i dekriminalizimit; me të cilin lidhet ngushtësisht morali dhe integriteti i kandidatit. Po ashtu, paralelisht me aftësinë, kapacitetin e profesionalizmit, tepër vendimtar është individualiteti i kandidatit, dhe jo marrëdhënia e tij me kryetarin e partisë, pompimi i pamerituar prej tij apo servilizmi ndaj tij etj. Sepse, vetëm në kushte integriteti e morali, serioziteti e ndershmërie, profesionalizmi e merite ai mund të manifestojë kurajë e devotshmëri në kryerjen e detyrës publike, mund të shfaqë pavarësi qytetare e politike në vendimmarrje, në administrimin e shërbimeve dhe përkujdesjen ndaj halleve të popullit. Pikërisht një gjë e tillë duhet të kihet parasysh në hedhjen e votës, sepse jo më kot populli thotë se “po të bënin mizat mjaltë, do t’i kishim sot qypat plot”…

Rexhep Meidani

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi