Sovran mbi sovranitetet

Nga Përparim Kabo, botuar në BallkanWeb, 1 qershor 2015

dd7cc4bc-c164-4836-a16d-8434ff653450---0-Kandidatët e mundshëm për t’u zgjedhur në drejtimin e pushtetit lokal janë lëshuar “nga zinxhirët” si një tufë alkimistësh që thonë: “Çfarë do ti e bëj unë. Do të të bëj rrugën? Ta bëj unë. Po ti tjetri, do punë? Të gjej unë, sepse do të hap vende pune. Po ju, a doni taksa të ulëta? Mos kini merak, do t’i ul unë taksat kaq apo aq %. Po ju atje larg te qyteti i harruar, doni ujë në çezma? Hiç mos kini shqetësim, të nesërmen e asaj dite që unë do jem kryetari juaj, uji do të vijë me bollëk.” Dhe njeriu i thjeshtë mendohet. A jam unë në ëndërr, a janë këta në zhgjëndërr? Po kur ishin kaq të thjeshta të gjitha këto punë, përse nuk i kanë bërë deri më sot? Aq më tepër që ca prej tyre po kërkojnë të rizgjidhen. Mjafton të lëvizësh nëpër Shqipëri dhe të shohësh pankarta të mëdha ku kanë pozuar “pëllumbat” e “pëllumbeshat” që kërkojnë të zgjidhen, dhe që shënimi që mund t’i bashkonte të gjithë është: “Kush bën poza më të bukura?”. Por në fushat nuk flitet se cilat janë sovranitetet e zgjedhësve. Nuk shpjegohet se buxheti i bashkisë mbushet me fondet që jep qeveria qendrore, por në radhë të parë me taksat e paguara nga ju o qytetarë të bashkisë sonë. Nëse duam të bëjmë ndryshime në qytetin tonë për një menaxhim më të mirë të mbetjeve urbane, nëse duam që qyteti të jetë më i pastër, nëse duam që rrjeti i amortizuar i ujësjellësit të riparohet e që të mos kemi humbje në rrjet etj., etj., ju qytetarë të nderuar duhet të paguani rregullisht taksat lokale, dhe ju të biznesit të vogël, të mesëm apo të madh po ashtu. Parimi universal demokratik i menaxhimit të pushtetit në liberaldemokraci është “jam i taksuar ndaj jam i përfaqësuar”. Këtë dialog nuk e gjejmë në fushatë. Duhet mbajtur gjallë iluzioni, duhet zbutur detyrimi ligjor që të mos na mërziten zgjedhësit që merren me biznese, duhet bërë paradë me kujdes ndaj informalit dhe informalitetit, e gjitha kjo sjellje derisa të fitojmë zgjedhjet. Më tej kthehet pllaka. Fillon avazi. Mbyllen telefonat, shtrëngohen rripat, gënjehet ditën për diell, rregullohen miqtë, gjenden shtigjet se ku do mbushim xhepat tanë.
Sovranitetet e qytetarëve kanë të bëjmë me të drejtat e tyre për të jetuar në një ambient urban, nënurban dhe rural në kushte të njëjta normale qytetare e civile, sepse tashmë me organizimin e ri administrativ dhe territorial, fshat, qytet e ish-komunë do jenë një, nën çatinë e “nënës bashki”. Po taksat, si do të mblidhen? Sipas parimit që të gjithë jemi të barabartë përpara ligjit, duhet edhe të derdhim detyrimet. Apo ata që punojnë e banojnë në qytet do të shlyejnë detyrimet, ndërsa ata që janë në fshat por në të njëjtën bashki tani e tutje, nuk do paguajnë sepse shumë shërbime, si heqja e mbetjeve urbane, uji i pijshëm në rubinete, apo shërbime që janë një normalitet në qytet, në fshatra as që bëhet fjalë që të jenë të pranishme. Transporti urban dhe interurban, telekomunikacioni, posta, disiplinimi i ujërave të bardha dhe ujërave të zeza, shërbimi shëndetësor, arsimi, sektori i shërbimeve në përgjithësi në këto njësitë e reja administrative; si është menduar që do të funksionojnë me qëllim që të njihen e respektohen sovranitetet e të gjithë banorëve të njësisë si qytetarë të saj, pavarësisht se ku banojnë, në fshat apo në qytet? Eh, kandidatët e kandidatet as që e zënë në gojë këtë fjalë, nuk mund të “blasfemojnë” duke thënë “sovranitetet qytetare janë të parat”. Eh si mund të thonë ata që “ju jeni sovranët, ndërsa ne thjesht duam të administrojmë sovranitetet tuaja të deleguara, duke e fituar këtë atribut përmes një votimi të lirë dhe të drejtë”?! Ata janë të gjithë në vallen e alkimistëve, ëndërrojnë për qytete të gjelbra, shikojnë përçart se si, sa hap e mbyll sytë do krijohen vende pune, duke anashkaluar faktin që vendet e punës i hap ekonomia e tregu dhe jo pushteti, i cilitdo nivel qoftë ai. Dëgjoj deklarimet e dy kandidatëve kryesorë për Bashkinë e Tiranës, por deri më tani nuk më ka zënë veshi prej tyre të flasin për projektin japonez për ujërat e zeza në Tiranë, për ecurinë e për fondet, për stadin e punimeve, nëse kanë filluar apo jo?! Pse ka mbetur puna dhe kush mban përgjegjësi? Është fjala për një investim të qeverisë japoneze në shifrat 300 milionë dollarë, për realizimin e një masterplani zbatimi i cili do të zgjasë deri në vitin 2021. Qëllimi i projektit është disiplinimi i ujërave të zeza të Tiranës dhe zonave përreth. Përfshihen në këtë veprim inxhinierik nëntokësor ndërtimi i 184 km linjë tubacionesh kryesore e sekondare, si dhe 20,6 km tubacione kolektorësh kryesorë si dhe dy stacione të pompimit dhe pastrimit. Kaloruar mbi fantazinë e tyre për “modernitetin” që do sjellin në qytetin tonë, njëri sheh ëndrra me kopsht zoologjik, ku do të jenë edhe gjirafat që fëmijët do t’i ushqejnë me karota (sa mirë do ishte nëse ndodh). Po fondet, ku janë? Tjetri sheh në ëndërr një spital bashkiak (çka do të ishte një mrekulli), por se harron që për ndërtimin e tij duhen miliona euro, të cilat, edhe nëse premtohen, lëvrimi do kohë, sepse ju zoti kandidat për kryetar bashkie ende nuk e keni studimin e vizibilitetit, nuk keni projektin gati, nuk keni sheshin e ndërtimit. E në rastin më të mirë, nëse ndodh që këto “takëme” rregullohen, ndërtimi dhe pajisja e spitalit tuaj imagjinar do disa vite, aq sa të vijnë zgjedhjet e ardhshme. Dhe çfarë ndodh? Ndizet fushata e baltës. Ky projekt është i bllokuar nga filani. Për këtë tjetrin me “tren fluturues” nuk deshi fisteku. Ndaj, kur të kemi dhe pushtetin qendror, “do sjellim parajsën në tokë”. I tha një qytetar kryetarit të PD-së, se “jam pa punë e si mund t’i paguaj detyrimet?”. Ai e pa nga lart dhe iu përgjigj: “Të shporrim të keqen dhe pastaj do të ulim çmimin e energjisë elektrike 25%”. Qytetari hapte sytë. E para, këto janë zgjedhje lokale dhe bashkia nuk e vendos çmimin e energjisë elektrike. E dyta, ai që nuk ka punë, nuk ka as para në xhep, ndaj si me çmimin ekzistues, si me një çmim më të ulët, ai trokë është. E treta, mendon qytetari, po ti ishe në pushtet tetë vjet, pse nuk e ule çmimin e energjisë? Harron me qëllim kreu aktual i PD-së se qeveria e tij konfliktin me CEZ-in e shpuri deri në problem ligjor në arbitrazhin ndërkombëtar. Nuk e mban mend personi në fjalë se kur CEZ kërkoi që të ulej së paku TVSH-ja, qeveria e PD-së me ish-kryetarin e saj u përgjigj në Parlament se “nuk na lë FMN-ja”. Nuk dëgjojmë në asnjë rast (me një përjashtim të rrallë) se këtë unë nuk e bëj dot sepse nuk kam fonde, ose se këtë gjë nuk na e lejon ligji. Bashkitë e stërmëdha si shtrirje gjeografike, si peizazhe urbane-nënurbane dhe rurale, si bashkime habitatesh antropologjike johomogjene, si traditë dhe bashkëveprime historike, si mundësi e kontribute, si burime dhe si dendësi popullsie, si kapacitete njerëzore dhe si aftësi drejtimi e administrimi, në këto zgjedhje që përkojnë me ndryshime kaq radikale në administrimin e territorit; nuk mund të drejtohen nga kandidatë që caktohen në momentin e fundit, vetëm pak ditë para hapjes së fushatës. Të gjithë, përveç atyre që janë në rikandidim janë pa projekte, nuk njohin gjendjen, nuk dinë nga t’ia nisin dhe kanë dalë me bllok në dorë të regjistrojnë hallet e njerëzve. Sa qesharak duket kur përballë pyetjes së banorit të zonës p.sh., për vaditjen e munguar, kandidati mbetet “duarlart”, nuk e ka idenë fare se ç’bëhet në atë komunë, se sa njerëz merren me bujqësi, se sa hektarë tokë kultivohen, sa janë basenet ujore, cila është prurja dhe cilat janë nevojat. E duke qenë tërësisht jashtë loje, i thotë njeriut të thjeshtë: Si e ke emrin Ti? X i thotë Ai. Dëgjo Ti X, vazhdon “kukulla e kurdisur” dhe tregohen variante se “dikur kishim një operator për këtë shërbim, tani janë tre dhe prapë gjërat nuk janë rregulluar, po nëse ky operatori në zonën tuaj po s’e bëri mirë vaditjen e heqim, vëmë një tjetër, vëmë nja tre që të kenë konkurrencë” etj. Broçkulla që thjesht quhen “panairi i fjalëve”. Duket shkoqur dhe qartë se kandidatët nuk kanë programe paraprake, nuk njohin problematikat historike dhe konkretet të zonave ku duan të zgjidhen. Ata nuk flasin për transportin dhe lëvizjen në kushtet e reja të njësive të zmadhuara. Nuk flasin për mjedisin dhe natyrën në qytete, për formën fizike të tyre. Nuk shqetësohen për trashëgiminë urbane e arkitekturore, po “o burra shtro pllaka dhe hidh beton kudo”. Nuk flitet për strehimin, sigurimin urban dhe parandalimin e krimit. Nuk përmenden personat e paaftë të qyteteve dhe kujdesi për ta. Nuk ka projekt për sportin dhe kohën e lirë në qytete, për shëndetin në qytete, për integrimin kulturor në qytete. As bëhet fjalë të përmendet pjesëmarrja qytetare në menaxhimin urban dhe planifikimin urban. Nuk flitet me kompetencë dhe argumente për zhvillimin ekonomik në qytete. Të gjitha këto prioritete bëjnë pjesë në “Kartën Europiane Urbane”, me parim themelor “Qyteti në Europë”. Fushata është ndezur si dasmat ku janë hedhur gotat e para të rakisë esëll, porse askush deri më sot, nuk flet për këtë Kartë Europiane, për detyrimet që burojnë prej saj, dhe se si e çfarë duhet të bëhet në njësinë administrative ku “pëllumbi me kollare” apo “pëllumbesha me tualet” po lyp vota të zgjidhet. Kështu më thanë në një qytet në jug të Shqipërisë, fushatat elektorale janë “muaji i lypsarëve”. Sovranitetet që jepen një herë në katër vite me anë të votës, duhet që të inkuadrohen në një matricë bazike që është rruga e zhvillimit europian të vendit, porse jo si slogan, as edhe si vektor virtual që tregon kahjen. Duhet që në kuadrin e marrëveshjes me qytetarët, të thuhet bazuar në studime tashmë të kryera dhe me fonde të siguruara se, për këto katër vite të këtij mandati, në qytetin tonë do të realizohen në këto afate këta objektiva. Kjo është marrëveshja e besimit që nënvizonte John Lock-u. Duke qenë se pak ose aspak nga kandidatët në garë, kanë projektet gati, kuptohet se një masë e të kandiduarve janë kukulla në duart e kryetarëve të partive. (A) Normalisht ata/ato, nuk do të konkurrojnë për kryetarë/kryetare bashkie; por për nënkryetarë/nënkryetare të këtyre njësive, sepse në krye do të jenë kryetarët e partive të tyre. Ata/ato nuk flasin për këshillat bashkiakë dhe përbërjen e tyre, nëse janë këta “parlamente lokale” me një përbërje të tillë që do të mundësonin realizimin e programeve. Këshillat Bashkiakë kanë në dorë vendimmarrjen, pra dhe respektimin e sovraniteteve qytetare. Po edhe këshillat i cakton partia, kryetari, zyrat private të tyre. Asnjë kandidat nuk po na thotë se cilët do kenë ndihmës si nënkryetarë, si drejtues të departamentit ekonomik, atij ambiental e të zhvillimit urban, të transportit dhe telekomunikacionit etj. Pra të na bëjë me dije stafin me të cilin ai/ajo do të punojë dhe bashkë me ta të dalë në fushatë. Jo, kjo nuk ndodhë sepse edhe për ta vendosin të tjerë, mbi të. Për qytetarët as që bëhet fjalë të njihen me këshilltarët. A thua se votohet për guvernatorë qyteti dhe jo për kryetar bashkie. Kjo lloj politike i ka fundosur një herë e mirë sovranitetet qytetare, ndaj dhe votimet për administrimin e tyre janë formaliteti i radhës. Është e qartë në dritën e diellit se përderisa “Kryetarët-Pashallarë” të partive refuzuan rekomandimet e BE-së dhe SHBA-së për pastrimin e listave nga të inkriminuar që kandidojnë, kjo nuk do më as fjalë e as argument. Troç ata nuk duan të largohen nga “puthja me krimin”. Nuk ka vend më për sovranitetet qytetare përderisa partitë iu propozojnë zgjedhësve individë të inkriminuar apo të dyshuar si të tillë. Forumet partiake shmangen ose keqpërdoren. Në vend që të ketë konsultime paraprake me komunitetin, bisedohet gjoja me deputetët e zonës. Po çfarë demokracie është kjo? Kryetari i partisë pi kafe ose alkool me deputetët, tregojnë edhe qyfyre, dhe në fund gjithçka katandiset, “ë mo, kë të vëmë, si thua ti?” Në një qytet kryetari i bashkisë bllokoi për katër vjet ndërtimet shkatërruese të qytetit bregdetar dhe Ambasada e SHBA-ve e përshëndeti. Me fondet e USAID-it ai mori një trajnim disajavësh për administrim të pushtetit lokal në SHBA. Porse, edhe pse nisma e Ambasadës Amerikane “Vepro tani”, e konsideroi si një luftëtar civil të guximshëm në mbrojtje të qytetit, të gjitha këto nuk mjaftuan në rikandidimin e tij.
Ardhja si të papërgatitur në garë është shprehje e mosnjohjes dhe kuptimit se ç’do të thotë të jesh në pozitë dhe në opozitë. Kjo ndodh më haptazi në pushtetin qendror. Nëse PS-ja ndenji tetë vjet në opozitë, ashtu si kishte ndenjur PD-ja tetë vjet më parë, nga viti 1997-2005. Kjo periudhë është plotësisht e mjaftueshme të ndërtohet një program konkret që ta kesh gati kur të vish në pushtet. Ai duhet të jetë i azhornuar me strategjitë kombëtare të zhvillimit, në përputhje me detyrimet që ke me partnerët ndërkombëtarë, me institucionet bankare dhe financiare, duhet të jetë i mbështetur me kapacitete njerëzore, me teknokratët e në veçanti me menaxherët. Gjithashtu, i gjithi ky program duhet që të ketë marrë formën e projektligjeve të kontrolluara për përputhshmërinë me Kushtetutën, si dhe të jenë të ndërtuar në gjuhën e teknikës legjislative. Duhet të kenë mbaruar së hartuari aktet nënligjore, me qëllim që në gjashtëmujorin e parë të fillojë implementimi i këtij programi të ri dhe i kuadrit ligjor ku ai mbështetet dhe gjen shprehje. Në fakt, nuk ndodh kështu. Vihet në pushtet dhe koha ikën me hartim ligjesh. Është me vend të sqarojmë se në pozitë je jo thjesht se ke fituar zgjedhjet, porse ti si forca e re politike, sjell një program të ri dhe një kuadër ligjor po ashtu, në raport me të dhe për funksionimin të tij. Nëse këto nuk implementohen, atëherë formalisht je në pozitë, realisht ti ke mbetur ende në opozitë. E njëjta gjë ndodh edhe në pushtetin lokal, porse me një farë ndryshimi. Në pushtetin që administron territorin mund të ndodhë që forca politike nga kandidati vjen është në opozitë në parlament, por nëse ti drejton bashkinë e qytetit apo komunën deri dje, në fakt këtu ti je në pozitë. Është rasti i bashkëjetesës politike ose si njihet “political cohabitation”. Projekti i zhvillimit në qytetin tënd duhet të funksionojë dhe pushteti qendror e institucionet shtetërore duhet të mbështesin demokracinë lokale, jo për mëshirë dhe respekt, porse për detyrim ligjor dhe kushtetues. Çështja shtrohet: Ke ide apo jo? Nëse ke, ndërton apo jo dot projekte? Po qe se bën projekte, ke kapacitete për t’i zbatuar dhe me ç’kosto? Nëse jeta e qytetit apo e komunës a fshatit ndryshon, askush nuk do të dijë se cilës forcë partiake i takon. Me punën dhe rezultatet ju keni merituar besimin qytetar. Le të kthehemi te çështja. Nëse në Tiranë ka drejtuar bashkinë PD-ja dhe sërish kërkon të fitojë me një kandidat të ri, pyetja që shtrohet është: Ai që po ikën dhe ky që kërkon të zgjidhet, a kanë të njëjtin program? A ka vijimësi? Flitet për një strategji afatgjatë të kësaj force politike? Apo gjithçka do fillojë nga e para, apo nga anash? Nëse bëhet fjalë për një program që nis nga e para dhe që ende nuk është definuar, por si thotë kandidati potencial “jam duke e menduar”, atëherë kjo tregon se ende nuk është kuptuar se ç’është pozita, ç’është opozita. Në këtë paqartësi lundron dhe kuptimi e gjykimi mbi sovranitetet qytetare. Kur shkon të takosh njerëz dhe bashkia është duke u drejtuar nga forca politike së cilës ju i takoni, së paku deri në 21 qershor, mos fol jashtë përgjegjësisë që ke si i përzgjedhur nga forca jote politike. Sovraniteti qytetar në duart dhe interesat e partive politike edhe tani pas 25 vitesh tranzicion drejt demokracisë funksionale, po na tregon se ende ne qytetarët nuk jemi sovranë mbi sovranitetet tona. Partitë politike e në veçanti drejtuesit e tyre respektivë, si dhe “makinat propagandistike”, flasim me një gjuhë ndarjeje bazuar tërësisht në filozofinë e përjashtimit. Njëra palë flet për “qelbësira dhe krim”, tjetra për “të sëmurë dhe të çmendur”. Njëra palë që megjithëse në opozitë politike ka drejtuar shumë njësi vendore, nuk jep llogari se çfarë ka bërë deri më sot. E ndërkohë akuzohet nga pozita politike se “nuk ka qenë e zonja dhe ka tundur derën, dhe tani do të fitojë zgjedhjet që të mos punojë, të bllokojë aktivitetin e pushtetit lokal dhe të shajë qeverinë”. Kulmi arrin kur thuhet se vota duhet të hidhet vetëm në një krah që të mos shkojë dëm, ndryshe punët do të ngecen, sepse ai krahu tjetër është bllokues, nuk do të punojë dhe është sa për sherr e baltë në jetën plurale të vendit”. Po mirë more “kordhëtarë”, a jeni ju për pluralizmin politik në Shqipëri? A pranoni ju se liberaldemokracia mbështet tek ekzistenca e më shumë se një partie politike, sepse kështu mund të sigurohet relativizmi ideologjik partiak, mund të konkurrohet dhe të alternohen forcat partiake në pushtet? Apo ju jeni ende për monokracinë, e cila nga njëfishe në komunizëm, është bërë dyfishe në tranzicion. Unë vij në pushtet, i dua të gjitha pushtetet dhe atributet. Vjen ti nesër, e njëjta sjellje. Kjo politikë ndërton realitetin e sovraniteteve të ndara, madje në ndeshje me njëri-tjetrin, që reflektohet në njohjen dhe respektimin preferencial të “lirive dhe të drejtave të njeriut”, duke i trajtuar sovranitetet qytetare me karakter ndarës dhe ngjyrim partiak (dikur ishte klasor). Zgjedhjet po vijnë, na premtohet se do kemi punë, se do na sillet dinjiteti, se do bëhemi më shumë europianë, se tashmë më në fund jemi në drejtimin e duhur; por një gjë nuk na thuhet: A jemi sovranë të sovraniteteve tona? Ja përse demokracia jonë është jo thjesht fëminore, por edhe distrofike. Historia vazhdon….

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi