Ja se si Merkel dhe Holand, po e ndihmojnë Dejvid Kameron
Nga Daniela Schwarzer, botuar në Bota.al, 1 qershor 2015
Ndërsa Kameroni mund të mos jetë në gjendje të riformatojë BE-në në bazë të ideve britanike, një riorganizim franko-gjerman i zonës së euros, mund ta ndihmojë atë të gjejë një etiketim të ri ndaj anëtarësimit britanik në BE
Ndërsa kryeministri britanik Dejvid Kameron, është duke udhëtuar në Evropë, nga Haga në Paris, nga Varshava në Berlin, për të filluar negociatat mbi marrëdhëniet e Britanisë me BE-në, liderët politikë gjermanë dhe francezë, janë duke punuar në prapaskenë, sesi të reformojmë eurozonën.
Në një letër të përbashkët, publikuar së fundmi nga mediat, drejtuar presidentit të Komisionit Evropian Zhan Klod Junker, presidenti francez Fransua Holond dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, diskutojnë mbi mënyrat e rritjes së ndikimit të euros në ekonomitë e vendeve të eurozonës, por pa një ndryshim të Traktatit të BE-së.
Kjo letër është interpretuar gjerësisht si një kundërshtim ndaj Kameronit, duke i thënë këtij të fundit se nuk do të ketë asnjë ndryshim të traktave, për të kënaqur interesat britanike dhe rinegociuar me BE – ose së paku anëtarësimin – përpara referendumit britanik të planifikuar për në vitin 2017.
Por nisma franko-gjermane, është në fakt më shumë mbi rrezikun e një Grexit-i (një dalje greke nga zona e euros) sesa Brexit-i (një largim britanik nga BE), dhe kjo mund ta ndihmojë edhe Kameron, qoftë edhe vetëm në mënyrë indirekte.
Është e vërtetë që Parisi dhe Berlini kanë rezervat e tyre në lidhje me ndryshimin e traktatit, dhe këtë bëjnë të qartë edhe në letrën e zbuluar nga media. Por motivi prapa kësaj inisiative franko-gjermane, nuk është Britania e Madhe. Përkundrazi shkaku është eurozona, e cila përballet ende me dobësi serioze: në aspektin politik, ekonomik, social, dhe financiar.
Kjo është sa një çështje e politikës, ashtu edhe arkitekturës së BE-së.
Në lidhje me politikën, eurozona lufton që disa nga vendet anëtare të goditura më rëndë, t’i rikthejë në rrugën e duhur për rritjen ekonomike, punësimin, dhe financat publike të qëndrueshme. Sa i përket arkitekturës, mekanizmat e qeverisjes për koordinimin e politikave ekonomike dhe buxhetore nuk janë mjaftueshëm të fuqishme, dhe në përgjithësi qeverisjes, i mungon legjitimiteti demokratik.
Për më tepër, ka argumente të mira për të përfunduar bashkimin bankar, dhe pajisur bashkimin monetar me mjete të forta, për menaxhimin e krizave financiare, si dhe me kapacitete të plota fiskale. E gjitha kjo ka qenë e njohur prej disa kohësh, por procesi politik për të përmirësuar qeverisjen e eurozonës, ka ngecur prej gati dy vjetësh.
Në verën e vitit 2013, kur Banka Qëndrore Evropiane njoftoi politikën e saj të “ne do të bëjmë atë që duhet”, pra të blerjes potencialisht të sasive të pakufizuara të bonove sovrane, tregjet dhe politikëbërësit u qetësuan. Ata nuk panë më një nevojë të ngutshme, për të ndjekur procesin e thellimit të reformave në eurozonë, që tashmë kanë përparuar aq shumë saqë prekin çështje të ndjeshme të sovranitetit, ndërhyrjes së BE-së, solidaritetit financiar dhe ndarjen e rrezikut.
Në vitin 2015, dy faktorë u kombinuan së bashku, për të sjellë një shtysë të re në debatin mbi thellimin e reformave në eurozonë. Përballja finale me Greqinë për pagesat e borxhit, dhe rreziku jo i papërfillshme i një Grexit është njëri faktor. Tjetri ka të bëjë me udhëheqjen e re të BE-së, me president komisioni, një njohës të thellë të të gjitha dobësive kryesore të monedhës së përbashkët, pasi kaloi 8 vjet në kryesimin e Eurogrupit (në takimin e ministrave të financave të eurozonës).
Në samitin e BE që mbahet në datat 24-25 qershor, do të paraqitet një raport i dytë mbi zonën e euros, i hartuar nga 4 presidentët e Komisionit Evropian, zonës së euros, Bankës Qëndrore Evropiane, dhe Këshillit të Evropës. I pari me titull “Drejt një bashkimi origjinal ekonomik dhe monetar”, përmban sugjerime për integrimin e mëtejshëm në fushën e politikës financiare, ekonomike dhe buxhetore, si dhe propozimet si të përmirësohet demokracia dhe legjitimiteti.
Këtë herë, në veçanti pas nismës franko-gjermane, ka më pak të ngjarë që ky raport, të braktiset si ai i mëparshmi dy vjet më parë.
Edhe pse një hap i madh përpara, nuk ka gjasa të ndodhë një transferim material i kompetencave, dhe eurozona do të lëvizë drejt rritjes së bashkëpunimit në vetevete duke garantuar kështu një rritje me të madhe. Rreziku i një Grexit, i ka përshpejtuar këto dinamika, së pari, për shkak se konflikti me Athinën i ka shtyrë të tjerët të afrohen me njëri-tjetrin dhe ka përforcuar perceptimet e përbashkëta në lidhje me mangësitë e qeverisjes, dhe së dyti, për shkak se vendet e eurozonës e dinë se mund t’u duhet të rivendosin besueshmërinë dhe forcojnë euron, nëse duan t’i mbijetojnë një Grexit.
Kameroni s’mund të bëjë gjë tjetër veçse të shohë atë që ndodh nga periferia e BE-së. Tashmë është e qartë, se nuk do të ketë një rishikim të madh të traktateve, dhe asnjë konferencë ndërqeveritare që në të njëjtën kohë do të debatojë për një thellim të integrimit financiar, ndërsa Britania e Madhe do të linte BE-në. Pretendimet e Kameron, se do të rishikojë dhe të ndryshojë BE-në, janë iluzore.
Ndërsa nisma e re franko-gjermane, nuk i drejtohet direkt Kameronit, ajo mund t’i përshtatet atij politikisht. Nëse reforma në eurozonë shkon përpara, Kameroni do të jetë në gjendje të argumentojë ndaj qytetarëve të vet, se Britania e Madhe është shumë më pak e integruar në BE sesa janë vendet kryesore – me një valutë të veçantë, institucionalisht, politikisht, si dhe në aspektin e shkëmbimit të rrezikut dhe solidaritetit financiar.
Kështu, ndërsa Kameroni mund të mos jetë në gjendje të riformatojë BE-në në bazë të ideve britanike, një riorganizim franko-gjerman i zonës së euros, mund ta ndihmojë atë të gjejë një etiketim të ri ndaj anëtarësimit britanik në BE.