Dilemat ekonomike të Evropës
Nga DW, publikuar 1 qershor 2015
Ish-ministri amerikan i Financave, Larry Summers, nuk beson se politika e kursimit mund t’i rregullojë problemet e eurozonës. Ai propozon nxitjen masive të shpenzimeve për infrastrukturën.
Në vend të politikës së kursimeve, ish-ministri i Financave i presidentit Bill Klinton dhe këshilltari kryesor ekonomik i Barak Obamës, propozon një nxitje masive të shpenzimeve për infrastrukturën. Gjatë një fjalimi në Akademinë Amerikane në Berlin, ai tha se investimet masive publike do të ishin ilaçi më i mirë për ekonominë e sëmurë të eurozonës.
“Në shumë pjesë të Evropës është mëse e qartë se ka nevojë për investime të zgjeruara publike”, tha Summers, i cili pas largimit nga administrata e Obamës në fund të vitit 2010, është rikthyer përsëri në postin e profesorit për ekonominë në Universitetin e Harvardit.
Përfitimet prej derdhjes së parave publike në infrastrukturë do të sjellin me vete më shumë vende pune dhe një kërkesë më të fortë, një zgjerim të kapaciteteve prodhuese të Evropës, si dhe një reduktim të barrës për brezat e ardhshëm, mendon Summers.
Summers tha se hulumtimet e Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) kanë treguar se “investimet e përshtatshme publike” çojnë në një borxh publik më të ulët kundrejt PBB-në në një periudhë pas pesë vitesh pra ndryshe nga sa ndodh në mungesë të investimeve të tilla.
Stagnjacion afatgjatë
Summers e lidhi rritjen e dobët ekonomike dhe normat shumë të ulëta të interesit në Evropë dhe vendet e tjera të zhvilluara me “stagnjacionin shekullar” – të cilin ai e përshkroi si një tepricë kronike të kursimeve mbi investimet.
Disa faktorë – ndër të tjera dhe rritja e pabarazisë dhe e teknologjisë më të lirë – kanë çuar në një situatë ku personat që kanë kursyer shumë kanë një sasi të madhe parash në dispozicion për të investuar, por shumë pak projekte fitimprurëse për të investuar. Rezultati: norma kronike të ulëta interesi dhe rritje e pakët e PBB-së.
Kjo është arsyeja pse qeveritë duhet të ndërhyjnë për të thithur kursimet e tepërta dhe për vënien e tyre në përdorim për ndërtimin e infrastrukturës, theksoi Summers.
Lehtësimi i ligjeve për pushimin nga puna
Përveç politikës së kursimeve dhe të pagesave, politikanët evropianë janë duke menduar si masë për zgjedhjen e problemeve të eurozonës edhe “fleksibilizimin” e tregut të punës, pra për t’i liberalizuar ligjet dhe bërë më të lehtë dhe më të lirë si marrjen në punë edhe pushimin nga puna të punonjësve. Kjo është një temë e preferuar e politikëbërësve evropianë, por Summers paralajmëroi se tha se edhe nga një gjë tillë nuk duhet pritur shumë.
Edhe pse p.sh. është tejet e vështirë për t’i pushuar nga puna punonjësit në Francë, ndërkohë tregu i punës në SHBA është mjaft fleksibël, Summers tha se në vitin 2014 në SHBA 15 për qind e meshkujve në moshën më të mirë për punë – pra 25 deri 55 vjeç – ishin të papunë, ndërkohë që në të njëjtën kohë në Francë ishin vetëm 12 për qind.
“Siguria e tepërt e vendit të punës nuk është e mirë, por edhe fleksibiliteti në tregun e punës nuk është e gjithçka që mendohet se mund të bëjë çudira,” tha ai.