Vedrine: Shqipëri-Serbi, jo si pajtimi Francë-Gjermani, duhet të gjeni rrugën tuaj
Sipas Mapo Online, 28 maj 2015
Ish-ministri i Jashtëm francez, Hubert Vedrine, i ftuar për një leksion të hapur në Universitetin Europian të Tiranës.
Ish-ministri i Jashtëm i Francës, një nga diplomatët dhe ekspertët më të njohur të politikës ndërkombëtare sot, Hubert Vedrine, ishte dje në UET për një leksion të hapur me studentët. I ftuar në Tiranë për një takim me kryeministrin Edi Rama, me të cilin tha se do të fliste mbi çështje të Ballkanit dhe të integrimit europian, ai koincidoi në këtë vizitë pikërisht me ditën e vizitës së Kryeministrit serb, Vuçiç.
Duke komentuar vizitën, Vedrine tha se është një vizitë historike, e cila tregon se këto dy shtete kyç të rajonit arrijnë të punojnë së bashku mbi një çështje kyçe të rajonit, siç është Kosova. “Kjo është e mrekullueshme. Është më e fortë se çdo fushatë ku thuhet se Shqipëria është një vend i mrekullueshëm. Më besoni mua, sepse kjo është një pikëpamje franceze, si një francez i sheh gjërat”, – tha ai. Por kur u pyet nga studentët nëse qëndronte krahasimi që kryeministri Edi Rama i bëri kësaj vizite duke analoguar me pajtimin mes Gjermanisë dhe Francës pas Luftës së Dytë Botërore, Vedrine tha se nuk shihte një analogji të situatës, rrethanave dhe mënyrës së bashkëpunimit, por thjesht një krahasim të bukur.
“Është një krahasim i bukur, një inspirim i bukur, por në realitet gjendja është e ndryshme. Nuk duhet harruar se pas Luftës së Dytë Botërore nuk është Europa që bëri paqen, sepse ajo ishte fusha e betejës, por ishin amerikanët dhe sovjetikët që bënë paqe, imponuan paqen. Duke qenë se kishte një kërcënim sovjetik në Europën Perëndimore, kjo i shtyu europianët që të bashkëpunojnë më ngushtë me njëri-tjetrit.
Amerikanët u rikthyen dhe vunë kontrollin e tyre duke bërë dhe Planin Marshall. Pra ajo që dua të them është se ajo që nuk është e krahasueshme është se nuk kemi kërcënimin ushtarak dhe nuk kemi amerikanët që u thonë francezëve dhe gjermanëve se duhet të bashkëpunoni atëherë kur Franca nuk donte absolutisht. Është normale që popujt të kenë kujtesë për vuajtjen dhe kjo duhet respektuar. Pajtimi franko-gjerman është i bukur globalisht, por ju duhet të gjeni rrugën tuaj të pajtimit. Nëse Shqipëria dhe Serbia arrijnë të bashkëpunojnë në mënyrë të zgjuar me projekte të përbashkëta, infrastrukturë apo gjithçka tjetër, të gjithë mund të bashkëpunojnë në këtë shembull”, – tha Vedrine duke komentuar këtë moment.
Anëtarësimi në BE? Ndërtoni bashkëpunimin rajonal
Ish-ministri i Jashtëm i Francës dhe një këshilltar i disa presidentëve francezë nuk e sheh aspak pozitive situatën ku ndodhet sot BE-ja dhe rrezikun për daljen e Britanisë prej Unionit. Në këtë këndvështrim, ai nuk sheh dritë të afërt për një anëtarësim të Shqipërisë, por sugjeron se kjo nuk duhet ta pengojë vendin që të ecë përpara. Sugjerimi i tij për një rrugë më të sigurt drejt BE-së janë projektet rajonale. “Gjithçka që mund të funksionojë me projektet rajonale do të bëjë një përshtypje të përkryer në të gjitha kryeqytetet europiane dhe sidomos Brukselit. Nuk është një opsion alternativ ndaj hyrjes në BE, askush nuk do të thotë në Bruksel se, nëse këta janë të aftë të krijojnë programet e tyre zhvillimore, s’kanë pse të hyjnë në BE, pra nuk është një rrugë parkimi, e kundërta është e vërtetë”, – tha ai.
Vedrine theksoi se Shqipëria ka vokacionin dhe dëshirën për të hyrë një ditë në Bashkimin Europian, por për ta arritur këtë vokacion, sipas tij “duhen që një sërë rrethanash dhe një sërë rregullash të përmbushen”. “Nga ana tjetër, në BE gjendja nuk është e mirë. Ndër të tjera Junker tha se nuk do të ketë zgjerim nën mandatin e tij dhe ky është konstatim. Anëtarët e BE-së janë të pushtuar nga problemet që kanë, çështjet ekonomike, thuajse se të gjitha shtetet janë në deficit, kemi marrë angazhime për të kontrolluar shpenzimet publike dhe si të kombinohet kjo me një tendencë për zhvillim. Kjo mund të sjellë një sërë debatesh që janë të ashpra. Është çështja e Britanisë, nëse anglezët do të votojnë për daljen, që është e mundur, francezët, gjermanët etj., janë të ndarë mes dy sjelljesh, e para është që të ecin përpara, po nga ana tjetër janë ata që thonë se ikja e Britanisë nuk mund të ndodhë sepse do të prishë imazhin e BE-së në botë”, – tha ndër të tjera Vedrine gjatë leksionit të tij para studentëve të UET.
Megjithatë, skepticizmi i tij nuk ishte i plotë deri në fund, pasi Vedrine tha se popujt e Europës nuk do të lejonin një dështim të BE-së, pasi janë mësuar dhe e duan tashmë modelin europian. Por kjo nuk sjell ndonjë shpresë për anëtarësim të shpejtë për vendet kandidate, sipas tij. Ai sugjeron që vendet që aspirojnë BE-në, si Shqipëria, duhet të zhvillohen e të ecin në këtë rrugë.
“Besoj se është një situatë tranzitore, sepse popujt e Europës janë kritikë, por janë njëkohësisht dhe shumë të lidhur me këtë model europian dhe besoj se do të dalim në mënyrë progresive nga kjo situatë. Për vendet kandidate duhet të pranojnë se kjo situatë është politike dhe u imponohet të gjithë drejtuesve politikë sot në Europë. A pengon kjo shtetet kandidate për t’u përgatitur? Absolutisht jo. Duke qenë që është një proces i gjatë dhe integrimi i rregullave europiane, që janë shumë, të tepërta sipas mendimit tim, dhe në fund të vendosim pas një periudhe të gjatë, është një rrugë shumë e gjatë. Pra, për një shtet kandidat që ka një ambicie totalisht legjitime, nuk duhet treguar nxitim, të jemi të durueshëm, seriozë, progresivë dhe të kuptueshëm. Kërkesa është pranuar dhe nuk mbetet gjë tjetër, vetëm të organizohet puna dhe duhet të jeni indiferentë ndaj asaj çfarë ndodh tani në Europë. Asnjë qeveri tjetër aktuale nuk mund të marrë angazhime të tjera, do të ishte demagogjike”, – tha ai ndër të tjera.
Vedrine, veterani i Elizesë
Diplomati i njohur francez, Hubert Vedrine është një prej njerëzve më me ndikim prej dekadash në politikën e jashtme franceze. Siç vuri në dukje profesor Ylljet Aliçka, ish-ambasadori shqiptar në Francë, ai është njeriu me karrierën më të gjatë në Elize, gati 14 vjet, gjë që e bën atë një veteran në administratën e presidencës franceze. Ai ka punuar Sekretari i Përgjithshëm, këshilltar, ministër i Jashtëm i pranuar nga dy partitë kryesore në vend dhe është një ekspert i njohur në fushën e politikës ndërkombëtare, autor i shumë librave, filozofikë, politikë dhe në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Vedrine, ish-këshilltar i presidentit Mitterrand, është një njeri aktiv me artikujt dhe kritikat e tij në situatën aktuale në Europë dhe më gjerë. Ai nuk pranoi ofertën e presidentit Sarkozi për ta rimarrë sërish postin e ministrit, por hartoi për të një raport për politikën e jashtme të Francës dhe globalizmin. Aktualisht ai drejton Institutin “François Mitterrand” dhe është aktiv në media me artikuj mbi problemet që po kalon Europa, si përballja e saj me emigracionin etj.