Rama: “Shqipëria e Madhe” s’është projekti ynë. Vuçiç: Kosova është e jona

Nga Konferenca per shtyp Rama Vuçiç, 27 maj 2015

Rama - VucicKreu i qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama duke çmuar si shumë të rëndësishme vizitën e homologut të Serbisë, Vucic ka deklaruar gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, se kjo duhet të shërbejë si shenjë për të sjellë dy kombet tona më pranë njëri-tjetrit.

“Uroj që këto 24 orë që do të qëndrojë në Tiranë të jenë një shtysë që ai të rikthehet me kënaqësi në vendin tonë. Përfitoj nga rasti i pranisë së mediave serbe dhe i siguroj se do të gjejnë mikëpritjen më befasuese. Kryeministri Vucic është në Tiranë për një vizitë dypalëshe dhe është këtu për të marrë pjesë në takimin e organizuar nga qeveria në Viena Economic Forum”- tha Rama, duke sqaruar se pritja u bë në Pallatine Brigadave për shkak të rikonstruksionit të katit të parë të kryeministrisë.

Sipas Ramës, vizita është shenjë e padyshimtë e dëshirës dhe vullnetit të përbashkët për të sjellë dy kombet tona më pranë njeri tjetrit pavarësisht se jemi ende larg qenit dakord për gjithçka.

“Ky fakt është edhe shenjë e vetëdijes dhe e bindjes së përbashkët besoj se sot shqiptarët dhe serbët kanë mundësi historike ta kthejnë paqen e meziarritur në këtë rajon në një paqe që ja vlen të jetohet. Besoj se ne shqiptarët dhe serbët kemi sot mundësinë të bëjmë për të mirën tonë dhe të njeri-tjetrit dhe të rajonit tonë atë që francezët dhe gjermanët bënë për vetveten dhe Europën pas luftës së dytë Botërore”- tha Rama.

Duke kujtuar incidentin gjate ndeshjes se futbollit ne Beograd, Rama deklaroi: “Një top futbolli na rrokullisi në pikën 0 ishte domethënës për brishtësinë e kësaj paqeje dhe peshën e përgjegjësise që përbën kthimi i saj në një fazë të re bashkëjetese mes nesh”.

Ai theksoi se duhet projektuar së bashku e ardhmja, jo thjesht politikisht si destinacion i përbashkët, përmes hartimit bashkërisht të projekteteve në infrastrukturë, energji, turizëm, arsim, kulturë.

“Ne jemi shumë të vegjël për të mos u bërë bashkë në përpjekjen për të rritur ekonominë tonë. Kam bindjen se suksesi ynë i përbashkët është e vetmja rrugë për të mbërritur suksesin që duam për kombet tona në këtë rajon ku jetojmë kaq të ndërlidhur ne fatet tona. Fatet e vendeve të Ballkanit janë kaq të ndërvarura saqë është e pamundur të imagjinohet që njëri mund të shkojë shumë përpara dhe tjetri mbetet mbrapa, apo një I tretë ngec në rrugë. Ne të gjithë jetojmë me një pjesë të tjetrit edhe kur me tjetrin jemi të ndarë. Duke ecur veç e veç në drejtimin e duhur të integrimit në BE të bëjmë me tjetrin dhe për tjetrin as më shumë as më pak sesa tjetri pretendon të bëjë me dhe për ne”- tha Rama.

Rama deklaroi se mosdakordësia për Kosovën nuk e zbeh aspak vlerën e madhe të dialogut mes Serbisë dhe Kosovës.

“Pa fatin e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës procesi i celur në Berlin për bashkëpunimin rajonal s’do kishte qenë dot i mundur. Kam kënaqësinë të rikonfirmoj vullnetin e plotë të palës serbe dhe kryeministrit Vucic për të njohur diplomat e të rinjve, cka dakordësuam në parim në takimin e kaluar. Ata presin më shumë nga Serbia dhe kryeministri Vucic në këmbim të vullnetit të tyre për të respektuar plotësisht shtetin. Ashtu sikurse ne presim që shqiptarëve atje tu rezervohet trajtim dinjitoz”- tha Rama.

Kryeministri u ndal edhe ne ngjarjet e fundit ne Kumanove. “Ngjarja tragjike në Kumanovë vërtetoi edhe njëherë brishtësinë e paqes kaq gjatë të ëndërruar në Ballkan. Shqipëria e sheh si interes të padiskutueshëm të saj dhe të shqiptarëve në Maqedoni, por të të gjithë rajonit, integritetin territorial të Maqedonisë. Ideja e cenimit të integritetit të shtetit maqedonas dhe mosfunksionimi i shtetit në Maqedoni janë të papranueshme për ne. Marrëveshja e Ohirit duhet të respektohet në frymë dhe të zbatohet në gërmë”- tha ai.

Rama shtoi se Shqipëria është kundër çdo forme të shfaqjes së ksenofobisë dhe ndasisë ndëretnike.

“Të gjitha vendet në rajon e më tej duhet të distancohen nga thirrjet që nxisin shfaqje të tilla. Këto shfaqje i takojnë të shkuarës dhe thirrjet e kësaj natyre nuk kanë asgjë të përbashkët me vizionin tonë sot për Ballkanin e nesërm”- tha Rama.

Vuçiç: Kosova është e jona

Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, pasi falëndëroi Ramën për mikpritjen tha se Serbia nuk do të heqë dorë nga trajtimi i Kosovës. Megjithatë, Vuçiç tha se Shqipëria dhe Serbia, edhe pse kanë qëndrime të ndryshme për Kosovën, nuk duhet të tensionojnë marrëdhëniet mes tyre, por të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe t’i sheshojnë këto dallime.

Vuçiç nënvizoi se dy popujt janë fqinj dhe fqinj do të jetë gjithnjë, ndaj problemet e tyre duhet ti zgjidhin me dialog dhe jo konflikte.

“Është fakt që nuk pajtohemi për Kosovën dhe Metohinë. Serbia e trajton dhe do të vazhdojë ta trajtojë si pjesë të saj Kosovën, ndërsa Shqipëria e trajton si shtet të pavarur, pra ndryshe nga ne. Megjithatë, unë mendoj se këto mospërputhje duhet ti sheshojmë me dialog dhe në mënyrë paqësore. Këto probleme nuk zgjidhen me luftë, por me dialog. Ne jemi fqinj dhe jemi popuj në zgjerim. Ne duhet të marrim bashkë në dorë fatin e Ballkanit Perëndimor”, tha Vuçiç.

Më tej, Vuçiç foli për bashkëpunimin ekonomik dhe infrastrukturën mes dy vendeve. Ai tha se do të sjellë investitorë serbë në Shqipëri dhe pret edhe investitorët shqiptarë atje.

Gjithashtu, Vuçiç theksoi me shumë rëndësi ndërtimin e hekurudhës që do të kalojë nga Serbia në Kosovë dhe në Shqipëri. Sipas tij, hekurudha do ta sjellë më afër Tiranën me Prishtinën dhe Prishtinën me Beogradin.

“I nderuari kryeministër Edi Rama, ju falënderoj për mikpritjen. Dëshiroj t’ju tregoj se jam krenar që jam kryeministri i parë serb që vij në Shqipëri. Kam ardhur në emër të Serbisë për t’iu respektuar. Ne dëshirojmë të kemi marrëdhënie të mira ekonomike dhe politike mes dy vendeve. Mendoj se është e rëndësishme që dy vendet të bashkëpunojnë për të marrë fonde nga BE-ja për të ndërtuar një infrastrukturë të mirë. Bashkë mund të marrim shumë ndihma nga BE-ja dhe këto fonde do të ndikojnë pozitivisht në të dyja vende.

Kemi biseduar edhe për zhvillimin e turizmit, diplomat dhe nxitjen e investitorëve të të dyja vendeve për të investuar këtu ose në Serbi.

Jam i bindur se bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve do të jetë një fitore e madhe. Qasjet e ndryshme s’duhet të ndikojnë në marrëdhëniet tona”, tha Vuçiç. Ai më pas konfirmoië e do të zhvillojë takime me kreun e Kuvendit, Ilir Metën, kreun e shtetit, Bujar Nishanin dhe kreun e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Bashën.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi