Anketimi i BB për strategjinë e re
Banka Botërore, publikuar në Monitor, 26 maj 2015
Korrupsioni, reformat në sektorin publik dhe sistemi i drejtësisë renditen si shqetësimet kryesore te shqiptarëve në një anketim që ka bërë Banka Botërore, në kuadër të hartimit të marrëveshjes së re me Shqipërinë.
Grupi i BB bëri një survejim në formën e një anketimi për të kuptuar më mirë nga palët e interesuara në Shqipëri për pikëpamjet e tyre në lidhje me ambientin e përgjithshëm në Shqipëri dhe qëndrimet e tyre të përgjithshme ndaj Grupit të Bankës Botërore në Shqipëri. Gjithashtu në fokus ishin edhe perceptimet e rolit të ardhshëm të Grupit të Bankës Botërore.
Korrupsioni doli si shqetësimi kryesor nga të gjitha grupet e interesit. Rezultatet nxorën se 33 për qind e të anketuarve kërkojnë që Banka të ketë në fokus në marrëveshjen në vijim luftën ndaj korrupsionit, 31 për qind kërkuan reformat në sektorin publik dhe 30 për qind kërkojnë të përmirësohet sistemi i drejtësisë në vend.
Sektorët e tjerë jetikë si arsimi, shëndetësia, punësimi janë shqetësimet tjera të shoqërisë shqiptare që zënë një vend të rëndësishëm në survejimin që banka ka bërë.
Në prill-maj 2014 aktorët që punojnë me Grupin e Bankës Botërore në Shqipëri, u ftuan të japin opinionet e tyre. Pjesëmarrësit në studim ishin nga zyra e Presidentit; zyra e Kryeministrit; Zyrat e ministrive; Kuvendit, departamente në ministritë dhe agjencitë e zbatimit; konsulentët dhe kontraktorët që punojnë në Bankën Botërore etj, organizatat e sektorit privat; fondacionet private; sektori financiar, bankat private; OJQ-të; etj.
Të anketuarit u pyetën në lidhje me: çështjet e përgjithshme me të cilat përballet Shqipëria; qëndrimet e tyre të përgjithshme në drejtim të Grupi i Bankës Botërore; efektivitetin, rezultatet e BB dhe pritshmëritë.
Duke marrë në konsideratë edhe këtë survejim javën që shkoi, Bordi Ekzekutiv i Grupit të Bankës Botërore aprovoi Kuadrin e Partneritetit me Vendin (KPV) për Shqipërinë për vitet 2015-2019, i cili propozon një program huadhënieje prej deri në 1.2 miliard dollarësh përgjatë një periudhe pesëvjeçare dhe që synon mbështetjen e aspiratave të Shqipërisë për rritje të drejtë dhe integrim në Bashkimin Europian.