Vetëm respektimi i parimeve frenon arrogancën qeverisëse
Nga Marko Bello, botuar në Panorama Online, 25 maj 2015
Sot, në kushtet e epokës moderne, një shtet serioz dhe i konsoliduar konsiderohet shteti, ku ligjet dhe normat juridike respektohen dhe ku qytetarët janë realisht të mbrojtur nga fuqia eksesive e vetë shtetit. Një shtet me të vërtetë i fuqishëm është shteti i së drejtës, i cili, nga njëra anë mbron shtetasit e tij kundrejt abuzimeve të mundshme të autoriteteve shtetërore dhe, nga ana tjetër, përfaqësohet nga një administratë publike efikase, e cila i respekton rigorozisht parimet e përgjithshme të së drejtës administrative, sikurse janë: parashikueshmëria e normave juridike, siguria juridike dhe besimi legjitim.
Respektimi i këtyre parimeve nga ana e shtetit është tejet i rëndësishëm edhe për vendosjen e një klime legaliteti në raportet shtet-shtetas. Në këtë kontekst, parimi i legalitetit të veprimtarive që zhvillojnë organet e administratës publike përbën një nga parimet themelore të së drejtës administrative.
Në bazë të këtij parimi, autoritetet e administratës publike janë të detyruara që, gjatë kryerjes së aktivitetit të tyre, të respektojnë para së gjithash ligjin, në frymë dhe në germë, pra të adoptojnë ose miratojnë akte administrative në funksion të zbatimit të ligjit, pa e deformuar ose modifikuar atë.
Domethënia themelore e parimit të legalitetit qëndron pikërisht te varësia e administratës publike ndaj Kushtetutës dhe ligjeve, varësi që përbën garancinë e qytetarit ndaj arbitraritetit, inkoherencës dhe mungesës së efikasitetit të veprimeve të autoriteteve publike. Ndonëse Kushtetuta e Shqipërisë sanksionon në nenin 4 se “e drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë shtetërore dhe se Kushtetuta është ligji më i lartë në vend”, nuk janë të pakta rastet kur maxhorancat qeverisëse tentojnë të miratojnë projektligje dhe akte të tjera juridike në kundërshtim të hapur me parimin e legalitetit, duke nëpërkëmbur hierarkinë e ligjeve dhe rrezikuar edhe ato arritje të brishta të rendit juridik shqiptar.
Më keq akoma, ndodh që Këshilli i Ministrave i lejon vetes të miratojë vendime që bien ndesh me ligjet, te cilave ato u referohen, duke manifestuar një frymë arrogancë dhe papërgjegjshmërie. Veprime të tilla bien ndesh edhe me parime të tjera të së drejtës administrative, si parimi i parashikueshmërisë, parimi i besimit legjitim të shtetasve tek organet e administratës, parimi i sigurisë juridike, parimi i barazisë, i proporcionalitetit dhe parimi i mosdiskriminimit, të krijuara dhe promovuara nga jurisprudenca konstante e Gjykatës Europiane të Drejtësisë dhe Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, një pjesë e mirë e të cilave janë kodifikuar në Traktatin e Lisbonës e Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Për fat të keq, nuk është vetëm parimi i legalitetit ai që injorohet dhe shkelet me arrogancë nga ana e pushtetit ekzekutiv dhe administrativ. Konstatohet e njëjta praktikë dhe e njëjta mënyre sjelljeje edhe në rastin e parimit të sigurisë juridike, i cili presupozon mundësinë që duhet t‘i jepet çdo shtetasi për të jetuar dhe punuar në një mjedis juridik të sigurt, i mbrojtur nga paqartësitë e ligjit dhe ndryshimet e shpeshta të normave juridike.
Nuk është e vështirë të kuptohet se ç’do të thotë për një qytetar të thjeshtë t‘u nënshtrohet modifikimeve të përsëritura të akteve administrative, duke u bërë padrejtë- sisht viktimë e papërgjegjshmërisë së autoriteteve publike. Në një vend që pretendon të anëtarësohet në Bashkimin Europian, ligjet duhet të jenë të qarta, të sakta, të mos ndryshojnë shpesh dhe, në çdo rast të ndryshimit të nevojshëm të tyre, duhet t‘u bëhen të ditura shtetasve, të cilët janë të destinuar që t’i zbatojnë ato.
Por, qeveria e koalicionit të majtë që qeveris vendin prej vjeshtës së vitit 2013, njëlloj si maxhoranca e qendrës së djathtë që kishte pushtetin në periudhën 2005-2013, ka cenuar në jo pak raste edhe parimin e besimit legjitim, i cili është një komponent i rëndë- sishëm i parimit të ligjshmërisë së akteve administrative dhe nënkupton detyrimin e autoriteteve publike për t‘u garantuar shtetasve një kuadër juridik të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm, tek i cili ata të kenë besim dhe i cili të mos ndryshojë me dhunë. Edhe në këtë rast, Gjykata Europiane e Drejtësisë ka qartësuar se abrogimi i akteve administrative me efekt të menjëhershëm dhe pa njoftim paraprak cenon parimin e besimit legjitim, pasi nuk u mundëson personave fizikë e juridikë evitimin e humbjeve dhe dëmeve që pësojnë nga veprimet arbitrare të autoriteteve publike.
Qeveria shqiptare e ka shkelur rëndë këtë parim në dhjetëra raste, duke manifestuar qëndrime kontradiktore: nga njëra anë ka legalizuar ndërtime të paligjshme, ndërsa, nga ana tjetër, ka prishur shumë të tjera, duke injoruar arsyetimin e Gjykatës së BE ku ne duam të integrohemi, e cila u rekomandon shteteve “të mos i revokojnë ato akte administrative që u kanë akorduar të drejta subjektive personave të interesuar, pikërisht për të mos e lëkundur besimin e tyre tek autoritetet dhe vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e të drejtave të fituara”.
Edhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut e ka vlerësuar dhe zbatuar parimin e besimit legjitim, i cili duhet të jetë, sipas saj “i rregullt, i mundshëm, i arsyeshëm dhe i realizueshëm”. Në këtë kuptim, kjo Gjykatë ka dënuar veprimin e autoriteteve shtetërore për të shkatërruar ose prishur ndërtimet e paligjshme, shumë kohë pasi ato kishin qenë ndërtuar, duke argumentuar se “një praktikë e tillë cenon rëndë parimin e besimit legjitim të pronarëve të tyre, të cilët e kishin konsideruar me të drejtë si pranim të heshtur pasivitetin e stërzgjatur të organeve kompetente”.
Në vendimin e saj të datës 27 nëntor 2007, në rastin Hamer kundër Belgjikës, Gjykata e Strasburgut sqaroi se “mungesa e reagimit të autoriteteve, të cilat kishin toleruar një situatë të paligjshme për një periudhë të gjatë kohe, përbën bazën e ekzistencës së një besimi legjitim”. Duke vepruar në kundërshtim me rekomandimet e institucioneve europiane dhe duke injoruar jurisprudencën e gjykatave europiane, qeveria shqiptare harron se krijimi i normave juridike me qëllime të errë- ta mund të bëhet shkak për pasiguri juridike, e cila çon në pasiguri dhe destabilizim social.
Megjithatë, duhet përshëndetur Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, e cila ka marrë disa vendime të rëndësishme në momente delikate, duke mbrojtur parimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë. Duke refuzuar të certifikojë projekt-aktet juridike me frymë antikushtetuese të maxhorancave qeverisëse, Gjykata ia ka dalë të frenojë oreksin e shumicave parlamentare për të kontrolluar të gjitha pushtetet, duke garantuar në këtë mënyrë pakicat dhe mbrojtur thelbin e demokracive liberale: ndarjen dhe balancimin e pushteteve në një shtet demokratik.