Judy Dempsey: A është BE-ja duke fjetur në lidhje me Ballkanin Perëndimor?
Nga Judy Dempsey, botuar në Carnegies Europe, 25 maj 2015
Çdo javë, një përzgjedhje e ekspertëve kryesorë i përgjigjet një pyetjeje të re nga Judy Dempsey mbi sfidat e politikës së jashtme dhe të sigurisë, sfida që e formësojnë rolin e Europës në botë.
Cornelius Adebahr. Bashkëpunëtor në Programin e Europës Carnegie
BE-ja nuk është krejt e fjetur, por po e shikon Ballkanin Perëndimor sikur nuk preket nga ngjarjet atje. Më keq akoma, Bashkimi nuk ka mjetet e duhura për të adresuar sfidat që burojnë nga rajoni. Të shtënat në Maqedoni më 09-10 maj, janë mbi të gjitha shumë simbolike: çfarëdo që ka ndodhur në qytetin e Kumanovës dhe pse ndodhi tani, tregojnë për një përzierje të rrezikshme të rrjeteve kriminale dhe tensioneve etnike në një ambient me politikë të dobët – një tipar i zakonshëm në rajon.
Megjithatë, politika e zgjerimit e BE-së, kërkon një qeveri të gatshme për të zbatuar reformat në interes të qytetarëve të saj. Nëse ambasadorët perëndimorë shprehin tani “dyshime serioze në angazhimin e qeverisë së Maqedonisë për parimet demokratike dhe vlerat e komunitetit Euroatlantik,” ata duhet të bëjnë të qartë edhe se si progresi i vërtetë është i mundur.
Ndërsa Komisioni Evropian që hyri në zyrë në muajin nëntor 2014, njoftoi konsolidimin e zgjerimit për pesë vjet, Maqedonia ka qendruar për pesë vite në vend numëro – në mos me hapa prapa. Mosmarrëveshja e vendit me Greqinë, e cila kundërshton Shkupin për përdorimin e emrit Maqedoni pa një përcaktim gjeografik, e ka penguar atë në avancimin formal drejt anëtarësimit në BE ose në NATO.
Tashmë është pranuar gjerësisht se politika e fqinjësisë së BE-së, nuk pati lartësinë të trajtonte lidhjet me Ukrainën dhe Rusinë përpara vitit 2014. Aktualisht, rishikimi në proçes i politikës përpiqet të ndreqë këtë mangësi. BE-ja duhet të marrë në konsideratë një revolucion Kopernikian të ngjashëm për politikën e saj të zgjerimit, e cila gjithashtu ka nevojë për mjete më klasike të politikës së jashtme për t’u marrë me një rajon ende të paqëndrueshëm.
Kurt Bassuener. Bashkëpunëtor i lartë në Këshillin e Politikës Demokratike në Sarajevë
Kam frikë se rruga sesi BE po i afrohet Ballkanit Perëndimor është pothuajse e njëjta me mënyrën se si ajo po i afrohet Mesdheut Jugor – Afrikës Veriore dhe Lindjes së Mesme. Kjo do të thotë, stabiliteti është thelbësor, por pengon progresin dhe demokracinë. Si rezultat, BE rrezikon të lidhë veten me regjime joliberale dhe autoritare gjithnjë e në rritje, dhe të ngatërrojë fuqinë e tyre për stabilitet.
Psh, në Bosnjë dhe Hercegovinë, një nismë e re e BE-së për rrugën europiane të vendit e vë BE në rrezik që të shihet nga qytetarët si aleate me elitat politike të papërgjegjshme. Njëherë që një proçes apo iniciativë deklarohet dhe mbështetet nga një nivel të lartë, ajo duhet të konsiderohet si një sukses, sidoqoftë realiteti.
Shpresa për të ringjallur dialogun e ngecur mes Serbisë dhe Kosovës vepron si një frenë ndaj kritikave të qeverive në Beograd dhe Prishtinë, politikat e të cilave janë shumë larg me vlerat dhe angazhimet e BE-së. Në Maqedoni, qeveria e kryeministrit Nikola Gruevski është e përfshirë në një skandal masiv – i cili u evidentua më tepër nga një operacion gjakatar kundër separatistëve.
Në qoftë se BE-ja i dëshiron qytetarët e këtyre vendeve në anën e saj, do ti duhej jo vetëm që të ishte më dukshëm në mbrojtje të vlerave të saj, por edhe ti bëjë këto qeveri të marrin përgjegjësi – përfshirë edhe financiarisht – kur ata i shkelin këto vlera.
Kristof Bender. Nënkryetar i Iniciativës Europiane për Stabilitet
Po. BE-ja thotë se ka një vizion për rajonin: të integrojë të gjitha vendet në një bashkim të demokracive me ekonomi tregu. Bashkimi ka një mjet për këtë – një proçes anëtarësimi që ofron një sens drejtimi për reformatorët dhe investitorët.
Por për shumë vite, besimi në politikën e zgjerimit të BE-së ka qenë në rënie kudo: në shtetet anëtare të BE-së, në vendet kandidate, në mesin e atyre që qeverisin dhe në mesin e atyre në opozitë. Kjo është sikur i gjithë rajoni është duke pritur për Godon – për një të ardhme europiane që kurrë nuk do të mbërrijë dhe nuk varet nga ajo që po bëhet tani.
Askund nuk ka pasur efekt gërryes të këtij trendi më shkatërrues se sa ka qënë në Maqedoni. Një dekadë më parë, vendi ishte favoriti i dukshëm në proçesin e reformave, por sot, ai vuan nga çdo sëmundje e Ballkanit: paraliza, një ekonomi e shkatërruar, polarizimi, frika e konfliktit, dhe një mungesë të plotë të perspektivës.
Pra, çfarë duhet bërë?
Së pari, BE-ja ka nevojë të përcaktojë vija të qarta në çështjet thelbësore të të drejtave të njeriut për të gjitha vendet. Çështje të tilla përfshijnë abuzimin e shërbimeve sekrete, burgosjen ose keqtrajtimin e gazetarëve, si dhe ndërhyrjet e zhurmshme në gjyqësor. Kur këto linja kalohen, BE-ja duhet të flasë me zë të lartë dhe në mënyrë të qartë.
Së dyti, Komisioni Evropian duhet ti bëjë vlerësimet e veta të përparimit të vendeve kandidate në raportet vjetore të qarta, të drejta, transparente dhe të lexueshme.
Së treti, BE-ja duhet të ndalë dekurajimin e Bosnje-Hercegovinës për paraqitjen e kërkesës për anëtarësim gjatë 2015.
Së katërti, Shqipëria meriton të marrë një datë për bisedimet e aderimit, për ti filluar ato më vonë këtë vit, edhe si një sinjal për fqinjët e saj.
Më në fund, BE-ja duhet të ndalë duke e parë Kosovën si një shtesë e politikës së saj ndaj Serbisë. Mënyra sesi Bashkimi ka trajtuar procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën ka qenë i turpshëm – as i rreptë dhe as i drejtë.
Stefan Lehne. Studiues në Carnegie Europe
Ka dy situata të cilat një vend i gjen në BE të zbatuara gjerësisht dhe plotësisht të fokusuara: së pari, kur njerëzit vriten; dhe së dyti, kur shteti është afër për t’u bërë anëtar i BE dhe Bashkimi shqetësohet nëse është i aftë për zbatimin e legjislacionit të BE-së.
Shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor sot janë arsyeshëm të qëndrueshme dhe ende larg anëtarësimit në BE. Prandaj është e kuptueshme se krizat në fqinjësitë lindore dhe jugore kanë shmangur vëmendjen nga rajoni. BE-ja mbetet e angazhuar në Ballkanin Perëndimor, edhe pse jo në nivelin e nevojshëm për të vendosur rajonin në rrugën e duhur drejt anëtarësimit.
Në mënyrë paradoksale, rekordi i BE-së është më i keq në vendin ku bashkimi arrin suksesin e tij më të madh. Në vitin 2001, BE-ja ka luajtur një rol vendimtar në shmangien e luftës civile në Maqedoni dhe krijimin e një bazë të re për marrëdhëniet ndëretnike – Marrëveshja e Ohrit. Në vitin 2009, Komisioni Europian rekomandoi fillimin e bisedimeve të aderimit, por këto ishin dhe mbeten të bllokuara nga Greqia, për shkak të një mosmarrëveshjeje të vazhdueshme lidhur me përdorimin e emrit Maqedoni.
Ky bllokim në rrugën e Maqedonisë drejt anëtarësimit në BE ka kontribuar në një përkeqësim serioz të qeverisjes demokratike dhe në kthimin e mundshëm të tensioneve ndëretnike. Gjakderdhja në Kumanovë, ku tetë policë dhe katërmbëdhjetë persona të armatosur u vranë më 9-10 maj duhet të jetë një alarm zgjimi. Angazhimi i drejtpërdrejtë nga krerët më të lartë politikë të BE-së është i nevojshëm që të thyejë bllokimin dhe të shmangë një krizë të re të rrezikshme në Ballkan.
Alexandra Stiglmayer. Sekretar i përgjithshëm dhe analiste në Iniciativën Europiane për Stabilitet
Përgjigja është po, BE-ja është duke fjetur. Tani janë bërë dymbëdhjetë vjet që kur udhëheqësit e BE-së i ofruan Ballkanit Perëndimor një perspektivë anëtarësimi. Në vend që të punojnë intensivisht për të sjellë vendet e rajonit në formë, BE-ja e ka kthyer proçesin e para-aderimit – hapat e marra para fillimit të negociatave për anëtarësim – në një rrugë pengesash të mbingarkuar me kushte.
Bashkimi ka lënë pas dore edhe dimensionin ekonomik të rajonit, duke besuar se predikimi për domosdoshmërinë e një mjedisi të favorshëm të biznesit do të jetë i mjaftueshëm për të përmirësuar gjendjen dhe për të tërhequr investimet. Nuk ka qenë e mjaftueshme. Njerëzit janë të pakënaqur me standardet e tyre të jetesës. Eksodi masiv i kosovarëve kohët e fundit (i parregullt) për në BE ishte një shenjë e dëshpërimit të tyre.
Rusia ka filluar të përzihet, dhe ka pasur incidente, sulmi me të shtëna në qytetin maqedonas të Kumanovës më 09-10 maj. Të dyja zonat përreth Kumanovës dhe Kosovës fqinje, prej nga vijnë shumica e sulmuesve të dyshuar, i përkasin rajoneve më të varfra të Ballkanit.
BE-ja duhet të bëjë Ballkanin Perëndimor të aftë për anëtarësim sa më shpejt të jetë e mundur-politikisht, por edhe ekonomikisht. Kjo përfshin hapjen e pjesëve të tregut të punës të BE-së për punëtorët nga rajoni. Kjo nuk do të ishte vetëm një sinjal politik, por edhe remitancat gjithashtu do të ndihmojnë për të kapërcyer hendekun deri sa ekonomitë e rajonit të marrin veten. Gjermania dhe shumë vende të tjera të BE-së tashmë përballen me mungesa në disa profesione – pse shtetet europiane nuk ofrojnë vende pune për njerëzit nga Ballkani Perëndimor?
Ivan Vejvoda. Zëvendës President i Lartë për programet në Fondin Marshall Gjerman të Shteteve të Bashkuara
BE-ja nuk është duke fjetur, por është duke lëvizur dhe duke vepruar shumë ngadalë në mjedisin e ri gjeopolitik në rajon.
Angazhimi i marrë në samitin e BE në Selanik në qershor 2003, se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bëhen shtete të plota anëtare të BE-së kur ato plotësojnë të gjitha kërkesat qëndron ende. Pranimi i Kroacisë në vitin 2013 dëshmon përkushtimin.
Kurrë nuk do të ketë një tjetër zgjerim nën mbikqyrjen e Komisionit Evropian aktual. Presidenti i komisionit, Jean-Claude Juncker, vendosi ta përjashtonte për qëllime të brendshme, kur ai hyri në zyrë, në nëntor të vitit 2014. Fuqia e butë e BE-së vazhdon të jetë efektive në Ballkanin Perëndimor, të cilat janë njëfarë oborri gjeografik i brendshëm i BE-së dhe NATO-s. Të gjitha vendet e rajonit duan të hyjnë.
Megjithatë, BE-ja duhet të bëjë më shumë. Stanjacioni i Maqedonisë dhe i Bosnjës dhe Hercegovinës është një çështje. Maqedonia ka qenë një vend kandidat që nga viti 2005 dhe nuk është dorëzuar. Kjo gjë ka prodhuar dinamika të brendshme të rrezikshme rezultatet negative të të cilave tani janë duke u dëshmuar.
BE-ja duhet të jetë më proaktive dhe të angazhohet më fuqishëm në lëvizjen e proçesit të negociatave që po vijnë. I ashtuquajturi Procesi i Berlinit, i nisur nga kancelarja gjermane Angela Merkel në gusht 2014, siguron një kornizë për zgjerimin e ardhshëm dhe është një hap në drejtimin e duhur. Ky proces është në fund të fundit mbi kredibilitetin e përgjithshëm të BE-së. Nuk do të ketë luftëra të reja në Ballkan, por kjo nuk është e mjaftueshme.