Punësimi partiak dhe shkatërrimi i shtetit modern
Nga Erion Piciri, botuar në Mapo Online, 23 maj 2015
A po i shkatërron institucionet modeli i partisë-shtet, i zaptimit të administratës dhe punësimit partiak në sektorin publik?
Vite më parë një i njohur konkurronte për një vend në administratën publike. I sapoardhur nga jashtë, me një kapital të pasur intelektual, me formim të konsoliduar në shkenca administrative, me doktoraturë në politikat publike në një vend të BE-se, ëndërronte edhe ai të jepte një ndihmesë në shërbimin civil të vendit të tij. Duke ndjekur procedurat ligjore depozitoi fillimisht dosjen për disa vende vakante në Kryeministri. U përgatit më pas për provimin me shkrim dhe me gojë, lexoi një sërë ligjesh që ishin pjesë e testimit dhe në konkursin për një shef sektori doli i pari. Kur priste të fillonte punë, e lajmërojnë nga Departamenti i Administratës Publike (DAP) se posti i ishte dhënë vendit të dytë. Rast unik në historinë e kësaj bote kur i dyti shpallet fitues. Pesha e “fituesit” qëndronte te dy shkrime në gazetën e partisë në pushtet. I tronditur nga kjo padrejtësi, i diskriminuari i dërgon një ankesë kryeministrit të kohës. A ishte e vërtetë retorika e tij për depolitizimin e administratës, meritokracinë dhe hapjen e dyerve për të rinjtë që kishin studiuar jashtë? Nuk vonoi telefonata nga kabineti kryeministror, që e siguronte se rasti do shqyrtohej. Kaluan muaj e vite, por askush nuk e telefonoi më. Nuk e morën më as ata të DAP-it për ta njoftuar për datat e konkurseve të tjera. Me sa dukej, ky profil kandidati nuk ishte i mirë jo për të fituar, por as për të konkurruar. Retorika politike ishte një gënjeshtër – puna në shtet mbetej monopol partie, një plaçke lufte e destinuar për t’iu ndarë militantëve. Idealisti kujtonte se do gjente në administratën shqiptare frymën e Weber-it, por u ndesh me trashëgiminë e Hoxhës dhe Marx-it.
E nisa me këtë histori se është përfaqësuese e konkurseve fiktive në administratën shtetërore, jetë e mot. Vite me vonë me rastisi të dëgjoj plot histori të ngjashme se si vendet e administratës publike ndaheshin për militantët partiakë apo bëheshin objekt shitblerjesh. Zgjidhte partia dhe çfarë mbetej dilte në treg të zi. Qindra apo mijëra euro për një vend nëpunësi civil, mësuesi, mjeku, polici apo drejtori. Vitet iknin, qeveritë ndërroheshin, por tradita ruhej. Ndërrohej guna, por jo zakoni. Të gjithë i kujtojmë qiraxhinjtë e fundit të pushtetit se si iu bënin thirrje publike militantëve të sillnin CV-të tek partia nëse donin të punësoheshin në shtet. Vetëshpalleshin proeuropianë por vazhdonin me logjikën marksiste të klasave dhe të partisë-shtet.
Në çfarë vendi jetojmë? Si është e mundur që ky shtet i varfër të mbyllë derën e kapitalit intelektual natyral prej qindra miliona eurosh të shqiptarëve anembanë botës? Ç’është ky non-sens – të varfër dhe përjashtues të njerëzve cilësorë? Ç’fat i keq të vihen gomerët para kuajve, injorantët drejtues të inteligjencës.
Partitë nuk mund të sillen në demokraci si pronare të shtetit dhe të mbajnë çelësat e sektorit publik. Kjo është e rëndë për një shoqëri bazuar tek ligji, vlerat dhe ndershmëria. Punësimi në linjë partie bëhet në kurriz të shumicës së shqiptarëve, në dëm të njerëzve të mirëpërgatitur dhe vetë shtetit. Përfitojnë padrejtësisht disa qindra militantë dhe nxirren jashtë sistemit qindra mijë profesionistë. Mundësia nuk i jepet kurrë më të zotit. Nuk investohet si kudo në perëndim tek njerëzit me formim, të diplomuarit e fushës dhe fituesit e konkurseve sipas ligjit por tek ata më të mbaruarit, pjesë e tarafeve partiake. Kështu digjet i afti dhe fitohet përulësia e të paaftit. Kështu varfërohen institucionet e shtetit, rrënohet besimi ynë tek ligji, konkurrimet, ndershmëria dhe vlerat që ne promovojmë. Kështu partitë me pushtet instalojnë viruse që minojnë meritokracinë, konkurrencën, profesionalizmin, sistemin e karrierës, parimet weberiane të ndërtimit dhe funksionimit të administratës publike.
Në vend që të ndërtojmë një burokraci moderne, profesionale, jo politike, përfaqësuese të së tërës jo të së pjesshmes, e përhershme dhe me një karrierë të konsoliduar në kohë, na imponohet një administratë publike me bazë partiake, hierarki dhe disiplinë kazerme, e përkohshme, jo profesionale, e nënshtruar dhe e padobishme për shoqërinë.
Në vend që fëmijët tanë të edukohen nga mësuesit më të mirë, që pacientët të kurohen nga mjekët më të përgatitur, qytetaret të mbrohen nga policët më të aftë, algoritmi i ndarjes së pushtetit midis partive, na vendos një mësues, një mjek a polic që është punësuar si militant partie apo të një dështaku që ka dhënë disa mijëra euro për të fituar vendin e punës. Kështu zhvlerësohet shkolla, puna dhe merita, mundi dhe djersa e njerëzve të ndershëm që e ndërtojnë jetën dhe karrierën me shumë sakrifica. Kështu po largohen nga vendi shqiptarët më të aftë, po jepet në çdo anë fytyra e një Shqipërie mediokre që fsheh potencialet më të mira.
Po ç’ndodh me vendet e përparuara të kësaj bote? A paguhet militantizmi partiak me vende pune në shtet? A funksionojnë kështu partitë politike edhe në perëndim? Përgjatë vitit 2012 kam pasur rastin të shikoj nga afër mobilizimin e demokratëve në New York-un Lindor në fushatën presidenciale për kandidatin Barack Obama. Njerëzit bëheshin pjesë e fushatës, investonin para, kohë dhe energji për të bindur të tjerët të mbështesnin kandidatin dhe programin e tij. Ishin të varfër, por nuk prisnin nga partia vende pune. As ata nuk e pretendonin diçka të tillë dhe as partia nuk mund të shkeltë parimet e ndarjes se pushteteve, depolitizimin e administratës, të konkurrencës dhe të meritës. Kishin një militantizëm të fortë, parimor që mbështetej tek politikat e pritshme ekonomike dhe sociale të demokratëve. Nuk ishte një kontratë e personalizuar midis partisë dhe militantit për një vend pune, por një investim tek drejtimi politik i vendit për një shoqëri më të drejtë, me proteksioniste, për një legjislacion që siguronte më shumë të drejta për punonjësit, për të moshuarit, për shërbim shëndetësor dhe lehtësi studimi për të rinjtë. E njëjta gjë ndodhte edhe në krahun e republikanëve. Militantizëm për liri ekonomike, për taksa të ulëta, për një qeveri të vogël, për një treg të hapur dhe konkurrues. Ky është shteti modern, partitë politike dhe politika bashkëkohore. Partitë janë programore, ideologjike, garantë të konsolidimit të shtetit dhe institucioneve, jo mbartëse të sëmundjeve të vjetra totalitare, jo rrënuese të institucioneve dhe shtetit modern. Partitë politike moderne formohen dhe luftojnë për të jetësuar interesat e grupeve që i përfaqësojnë përmes rezultateve të politikave që ndërmarrin në pushtet, jo përmes gllabërimit të ndonjë cope administratë a buxheti të shtetit. Njerëzit në botën moderne mblidhen rreth një kandidati apo partie për politikat dhe idetë që promovon, jo për partinë si zyrë kuadri për punësime në shtet.
Kështu duhet të ndodhë dhe tek ne. Karriera në administratë dhe sektorin publik duhet të jetë e njëjtë si në çdo profesion tjetër. Fillon me arsimimin, vijon me angazhimin në nivele të ulëta dhe progreson me moshën dhe eksperiencën. Përkatësia politike nuk e ka vendin këtu. Kush do politikën të konkurrojë si politikan, të marrë votat dhe të zgjidhet.
Tradita korruptive e shkëmbimit të votave me postë dhe punësim në administratë, nuk duhet të parazitojë më mbi shtetin, demokracinë dhe shërbimet publike. Kjo ka tjetërsuar edhe luftën politike. Ashpërsia e fushatave tona elektorale buron nga fakti se militantizmi nuk është ideor dhe programor, por luftë çetash politike për të venë dorë mbi buxhetin e shtetit dhe vendet e punës në administratën shtetërore, shkolla, spitale, polici dhe ndërmarrje publike. Kjo prek integritetin e proceseve elektorale, konkurrencën e ndershme, cilësinë e institucioneve dhe shërbimeve publike. Është koha që dhe politika shqiptare të tregojë vetëpërmbajtjen, të tërhiqet nga territori i pushtuar i administratës shtetërore që në konceptin e shtetit modern i përket meritokracisë burokratike dhe jo militantizmit politik.
Po çfarë rëndësie ka nëse administrata është partiake apo profesioniste, do thoshte dikush? Ka shumë rëndësi për shëndetin e shoqërisë, funksionimin e shtetit, ruajtjen e barazise dhe neutralitetit, respektimin e ligjit dhe të drejtave tona.
Sëmundjet e partive politike që drejtohen si kazerma transferohen përmes kulturës së emërimeve partiake edhe në administratën publike dhe institucionet shtetërore. Burokrati ynë nuk është më një funksionar publik që vlerëson ligjshmërinë e urdhrave politike, por një ushtar partiak që vetëm ekzekuton. Ky prototip lehtëson shkeljen e të drejtave tona. Gjithnjë do të ketë liderë që u merr koka erë të ushtrojnë një pushtet që tejkalon normat ligjore të vendit. Por me një administratë profesionale implementimi i politikave joligjore do ishte i pamundur. Një profesionist i edukuar me epërsinë e ligjit dhe kushtetutës nuk do pranonte të shkelte ligjshmërinë. Vendimet politike duhen kthyer në ligje përpara se të jenë të zbatueshme nga administrata publike.
Të japim një shembull. Qeveria kishte vullnetin të rrafshonte me urgjencë një sërë ndërtimesh në proces legalizimi. Megjithëse kishte një ligj legalizimesh, nuk u prit vendimi i institucioneve, por u kalua në aksion. Nuk iu la mundësia të verifikohen, por u ekzekutuan pa gjyq. Pa dhënë asnjë copë letër, pa ndjekur asnjë procedurë ligjore, fshihen nga faqja e dheut shtëpi dhe biznese, digjen pasuri qindra milion eurosh. Këtu del në pah edhe politizimi i administratës publike. Ka një parim të burokracisë që thotë se ajo është e shkruar, bazuar në procedura, akte ligjore dhe me të drejtë kontestimi. Por një administratë e kthyer në organizatë partie nuk njeh epërsinë e ligjit, por supremacinë e hierarkisë politike. Kjo i dëmton qytetarët. Profesionalizmi dhe karakteri jopolitik i administratës ruan ligjshmërinë dhe të drejtat e qytetareve. Nuk mbrojmë këtu as ndërtimet dhe as kapitullimin 25 vjeçar të klasës politike, por paligjshmëritë nuk luftohen me paligjshmëri. Kështu nuk konsolidohet shteti, por kultura e forcës dhe abuzimit me pushtetin.
E vetmja rrugë për të bërë një shtet modern është të çlirojmë administratën dhe shërbimet publike nga kthetrat e politikës. Autonomia dhe profesionalizmi i administratës i ve kufijtë abuzimit me pushtetin, rrit cilësinë e shërbimeve, ndihmon në forcimin e shtetit ligjor, mbron të drejtat e qytetarëve, siguron konkurrencën e ndershme midis partive politike, forcon demokracinë. Partitë politike nuk duhet të jenë punëdhënëse por politikbërëse. Është imperativ i kohës të çlirojmë partitë nga refleksi totalitar i partisë-shtet dhe t’i shtyjmë drejt qeverisjes në shërbim të qytetarëve jo në sundim të tyre.