Modeli autokratik nuk është model abstrakt

Nga Rexhep Meidani, botuar në Panorama Online, 23 maj 2015
Rexhep_MeidaniNë vitet e fundit, zbythjet dhe rëniet e demokracisë kanë lënë gjurmët e tyre edhe në Europë. Modeli putinist autokratik i qeverisjes ka infektuar edhe qeverisje të tjera europiane, ku bie në sy sidomos ajo e Erdoganit apo ajo në disa ish-republika sovjetike. Probleme serioze janë shfaqur në disa vende anëtare të BE-së, ku në rresht të parë qëndron qeverisja e Orbanit (Hungari), apo, deri diku, ajo e Pontës (Rumani); pa harruar dhe vende kandidate si qeverisja e Gruevskit (Maqedoni). Për më tepër, kjo e fundit, nën një “frymëzim” rus, po riprodhon në mënyrë absurde konfliktin në Ballkan. Edhe në lidhje me Shqipërinë po shpalosen disa lexime aktuale të pakëndshme. Por, le të ndalojmë në rastin e Turqisë së sotme…

NJË MOMENT KRITIK PËR TURQINË
Në Turqi, më 7 qershor 2015, do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme për Asamblenë e Madhe Kombëtare, parlamentin e 25-të turk të përbërë nga 550 anëtarë. Në këto zgjedhje partia në pushtet – Partia për Drejtësi e Zhvillim (AKP), synon të fitojë zgjedhjet për të katërtën herë radhazi. Por jo vetëm kaq! Presidenti Erdogan, në gusht 2014, pas kalimit tek Ahmet Davutoglu të qeverisë, që ai drejtonte, para zgjedhjes së tij në Presidencë, kërkon shumë më shumë. Pra, jo thjesht fitimin e zgjedhjeve nga ana e AKP-së për garantimin e qeverisë, por edhe nxjerrjen e 330 deputetëve apo marrjen e 60% të vendeve në Parlament nga partia e tij, pikërisht për të realizuar ndryshimet e projektuara kushtetuese me anë të një referendumi popullor, pas miratimit në Asamble. Pse jo edhe për t’i realizuar këto ndryshime kushtetuese pa kaluar në referendum, nëse miratimi i tyre në Asamble e kalon numrin e 367 vendeve apo 67% të gjitha votave…

PËRSE KËTO NDRYSHIME KUSHTETUESE?
Me afrimin e zgjedhjeve në Turqi, Presidenti Erdogan, jo vetëm në mënyrë të “tërthortë” (duke drejtuar disa herë mbledhjen e qeverisë kohët e fundit), por edhe në mënyrë “të drejtpërdrejtë” ka deklaruar haptazi dëshirën e tij për një Presidencë tepër të fortë, gati-gati të një tipi “sulltanati me zgjedhje”. Madje, ai pretendon se në propozimet e tij janë përfshirë mjaft elemente të dobishme pas një studimi të suksesshëm të sistemeve kushtetuese të ShBA-ve (si sistem presidencial me supremaci kushtetuese), Francës (sistem gjysmëpresidencial), Meksikës (republikë federale presidenciale, ku Presidenti është si kryetar shteti ashtu dhe kryetar qeverie), Brazilit (republikë federale presidenciale, ku Presidenti është kryetar shteti dhe kryetar qeverie), Argjentinës (republikë federale presidenciale ku Presidenti është kryetar shteti dhe kryetar qeverie) etj.

Nisur nga këto eksperienca, sipas tij, Turqisë i përshtatet një sistem kushtetues në përputhje me”zakonet dhe traditat” e saj. Për të, sistemi presidencial amerikan, me një kongres të përbërë nga dy dhoma, atë të përfaqësuesve me mandat 4-vjeçar, të përtërirë në çdo dy vjet dhe senatin 6-vjeçar, të përtërirë me një të tretën e tij në çdo dy vjet, ka shumë kontroll e fuqi mbi Presidentin, prandaj dhe krijon ngërçe. Këto bëhen shumë më evidente, sidomos pas zgjedhjeve të ndërmjetme, që mund të ndryshojnë raportin e forcave në kongres duke krijuar situata kohabitacioni midis Presidentit dhe Kongresit; apo ai në Francë, p.sh., kur zyra e Presidentit dhe ajo e Kryeministrit u takojnë partive politike kundërshtare, siç ka qenë Presidenca Shirak (Jacques Chirac) në periudhën 1997-2002 (konkretisht, gjatë binomit Shirak–Zhospë {Jospin}, janë krijuar mundësi për ndërtimin e urave të ndarjeve përkatëse ideologjike). Ky lloj kohabitacioni politik, shoqëruar me dobësim fuqie, vihet re dhe në Presidencën Obama, pas zgjedhjeve të fundit, në të dy dhomat. Prandaj, dhe z. Erdogan nuk e parapëlqen një gjë të tillë!…

NJË PUSHTET AUTOKRATIK NË TURQI KA PASOJA NEGATIVE GLOBALE
Në fakt, politikani Ergodan është për “sistemin” e tij të kontroll-balancimit (checkbalance). Sipas tij, këtë e bën shumë më mirë një parlament njëdhomësh. Për më tepër, për të sistemi presidencial duhet të jetë i tillë që shumica parlamentare të jetë në anën e Presidentit, duke e “ndihmuar” atë në angazhimet e tij si kryetar shteti. Sepse, për të, kur kjo shumicë nuk është në anën e Presidentit, ai mund të ndeshet në pengesa serioze, madje mund të jetë krejtësisht i bllokuar në veprimtarinë e tij…

Po të analizohen me kujdes mendimet e propozimet e Ergodanit, kuptohet që ai nuk e pëlqen një parlament të fortë që të kontrollojë Presidentin. E thënë ndryshe, ai kërkon një qeverisje me një zë, me një akumulim të plotë pushteti në një dorë të vetme, të ngjashme me fuqinë e Ataturkut apo Ismet Inonusë (ama, në kushte krejt të tjera të zhvillimit global demokratik). Kjo edhe pse ai e ka konsideruar këtë lloj qeverisjeje jodemokratike apo diktatoriale. Pra, ai tashmë po kërkon të njëjtat fuqi, madje në prani të kontrollit të tij “civil” të forcave të armatosura (që ishin konceptuar, që në kohën e Ataturkut, si mbrojtëse të shtetit laik), po që u arrit para pak kohësh me vetë bekimin e BE-së. Sipas tij, gjithçka është krejtësisht demokratike, sepse tashmë Presidenti është zgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga populli. Por, jo kushdo brenda partisë së tij është dakord me ambiciet e tejskajshme të Erdoganit.

Kështu, ish-Presidenti Abdulah Gyl (2007- 2014), një nga themeluesit e partisë dhe një nga bashkudhëtarët politikë të Ergodanit, është deklaruar në mbështetje të sistemit parlamentar. Sipas tij, nëse mendohet që të kalohet në një sistem presidencial, ai nuk mund të jetë një “shpikje” lokale apo një sistem politik i “tipit turk”, por një sistem i ngjashëm me atë amerikan. Megjithatë, ende sot, edhe pas goditjeve të njëpasnjëshme antigyleniste të Ergodanit, brenda hallkave të ndryshme të shtetit, sidomos atyre në polici e drejtësi, përsëri vazhdohet të besohet se zgjedhjet e ardhshme nuk do ta plotësojnë dot ëndrrën e Ergodanit. Ndoshta, ato do të arrijnë të shndërrohen në një barrierë të fortë në drejtimin e gabuar të Turqisë drejt një sistemi autokratik!…

NJË MODEL QË NUK DUHET LEJUAR
Nisur nga shqetësime të këtij lloji, të ndeshura më parë apo sot, në botë e Shqipëri, qofshin dhe ato të pritshme, masat mbrojtëse në Kushtetutën e Shqipërisë, mbeten me mjaft vlerë. Ato janë të mirëmenduara; kapaciteti i tyre bllokues ndaj çdo prirjeje autokratike është i konsiderueshëm. Për më tepër, siç theksohet më poshtë, një ndryshim kushtetues, qoftë ky dhe një amendament jo parimor, kërkon, në fakt, një konsensus politik midis partive politike kryesore; sepse, për ta miratuar atë, kërkohen votat aprovuese të 94 anëtarëve të kuvendit (në 140 deputetë).

Ky numër edhe në kushtet e sotme të një rezultati të veçantë zgjedhor të qershorit 2013, apo të bashkimeve shtesë me “shije pushteti”, nuk mjafton për të plotësuar dëshira apo ëndrra tej akumuluese pushteti. Por, “blerja” bën gjithçka, prandaj ndaj saj duhet reaguar në kohë. Sidoqoftë, edhe pa këtë numër magjik 94, janë shfaqur, më parë e sot, mjaft raste ndryshimesh ligjore, në funksion të këtij përqendrimi e akumulimi kompetencash që, ose kanë prekur në mënyrë të drejtpërdrejtë Kushtetutën (dhe në mjaft raste janë hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese), ose janë kaluar me skema ligjore të tërthorta, duke shkelur dhe vetë frymën e Kushtetutës për ndryshimet në fjalë.

Pra, fatmirësisht, në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në pjesën e shtatëmbëdhjetë (Neni 177), të titulluar “Rishikimi i Kushtetutës”, në disa nga paragrafët e saj përcaktohet në mënyrë konkrete ky proces rishikimi. P.sh., në paragrafin 177.1 thuhet: “Nisma për rishikimin e Kushtetutës mund të ndërmerret nga jo më pak se një e pesta e anëtarëve të Kuvendit”. Më tej, në paragrafin 177.3 theksohet qartë se “Projekti miratohet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.”; kurse në paragrafin 177.4, midis të tjerash, thuhet se: “Kuvendi mund të vendosë, me dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij, që projekt- amendamentet kushtetuese të votohen me referendum…”. Ndërkohë, paragrafi 177.6 ia ka hequr të drejtën e vetos Presidentit, duke sqaruar se “Presidenti i Republikës nuk ka të drejtë ta kthejë për rishqyrtim ligjin e miratuar nga Kuvendi për rishikimin e Kushtetutës”.

Pra, dhe po të tentohet të transferohet një ëndërr e tillë te pozicioni i Presidentit, në një të ardhme të afërt, pas zgjedhjeve të 2017-s, ajo duket e pamundur, pa u garantuar konsensusi përkatës i opozitës së kohës. Por, sidoqoftë, ndaj shembujve negativë, kërkohet vigjilencë e përditshme dhe jo mbyllje sysh! Aq më tepër që manovrimet ligjore ose marifetet ekzekutive nuk kanë qenë të pakta!…

Rexhep Meidani

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi