Talenti përballë kapitalit në shekullin 21
Nga Klaus Schwab, botuar në bota.al, 14 maj 2015
Kur politikëbërësit financiarë përpiqen të nxisin rritjen ekonomike, ata pothuajse gjithmonë fokusohen tek gjetja e mënyrave të reja për çlirimin e kapitalit. Por, ndonëse kjo qasje mund të ketë funksionuar në të shkuarën, ajo rrezikon të zbehë rolin që luan talenti në gjenerimin dhe realizimin e ideve që e bëjnë të mundur rritjen ekonomike. Në të vërtetë, në një të ardhme me ndryshime të shpejtë teknologjikë dhe automatizim të përhapur, faktori përcaktues – ose limiti dëmtues – ndaj inovacionit, konkurueshmërisë dhe rritjes ekonomike ka më pak gjasa të jetë disponueshmëria e kapitalit, se sa ekzistenca e një force punëtore të specializuar.
Forcat gjeopolitike, demografike dhe ekonomike janë duke ndryshuar papushim tregjet e punës. Teknologjia po ndryshon natyrën e vetë punës, duke “nxjerrë nga përdorimi” sektorë dhe profesione të tërë, ndërkohë që krijojnë industri dhe kategori pune krejt të reja. Sipas disa vlerësimeve, pothuajse gjysma e profesioneve të sotëm do të mund të jenë të automatizuar deri në vitin 2025. Spekulimet se çfarë mund t’i zëvendësojë ata variojnë, nga parashikimet për shanse të papritur, deri tek paralajmërimet për papunësi në shkallë të gjerë, teksa makineritë do të zëvendësojnë punën e njeriut.
Shenjat e para të kësaj kthese janë që tani të dukshme. Papunësia globale ka arritur në 212 milionë, sipas Organizatës Botërore të Punës, dhe 42 milionë vende të reja pune duhet të krijohen për çdo vit, me qëllim që ekonomia botërore të ofrojë punësim për numrin në rritje të hyrjeve të reja në tregun e punës. Ndërkohë, vitin që kaloi, 36% e punëdhënësve në të gjithë botën raportuan se kishin vështirësi në gjetjen e talenteve, përqindja më e lartë kjo në shtatë vite.
Zgjidhja e këtij probleme dhe plotësimi i kësaj kërkese do të kërkojë që qeveritë, udhëheqësit e biznesit, institucionet arsimorë, dhe individët të lënë mënjanë stimulin për t’u fokusuar tek periudha afatshkurtër, dhe të fillojnë të planifikojnë për një të ardhme ku ndryshimi është konstantja e vetme. Të gjithë duhet të rimendojnë se çfarë do të thotë të mësosh, natyrën e punës, si dhe rolet dhe përgjegjësitë e palëve të ndryshme, për të garantuar që punëtorët nëpër votë të jenë në gjendje të përmbushin potencialin e tyre.
Drejtuesit e burimeve njerëzore në disa prej kompanive më të mëdha të botës parashikojnë ndryshime të mëdha, që vijnë si pasojë e adoptimit të Internetit në lëvizje dhe teknologjisë “cloud”, përdorimit të “big data”, rritjes së fleksibilitetit në punë, printimit 3D, materialeve të përparuar, si dhe burimeve të rinj të energjisë, sipas rezultateve të parë të një vëzhgimi të kryer nga Forumi Ekonomik Botëror. Pikëvështrimi i tyre në lidhje me impaktin e përgjithshëm mbi nivelet e punësimit në industritë e tyre ishte në pjesën më të madhe pozitiv – gjithmonë nëse aftësitë e forcës së re të punës do të zhvillohen me shpejtësi në sektorët e tyre, si dhe më gjerë në tregun e punës.
Teksa teknologjia i zë gjithnjë e më shumë vendin punës së bazuar tek dijet, aftësitë njohëse janë shumë të rëndësishme për sistemet e sotëm të arsimit dhe do të mbeten të tilla; por aftësitë e sjelljes dhe ato jo-njohëse që janë të domosdoshme për bashkëpunimin, inovacionin dhe zgjidhjen e problemeve do të bëhen gjithashtu thelbësore. Shkollat dhe universitetet e sotëm, që dominohen prej qasjeve ndaj të mësuarit që janë në themel individualiste dhe konkuruese për nga natyra, duhet të ribëhen, për t’u fokusuar tek të mësuarit për të mësuar si dhe tek përftimi i aftësive që nevojiten për të bashkëpunuar me të tjerët. Aftësitë njerëzore unike, si për shembull aftësia për të punuar në ekipe, menaxhuar marrëdhënie, dhe kuptuar ndjeshmëritë kulturore do të jenë jetike për bizneset në të gjithë sektorët, dhe duhet të bëhen një përbërës themelor i arsimit të brezave të ardhshëm.
Veç kësaj, me arsimin që po bëhet gjithnjë e më shumë një aktivitet i gjatë pothuajse sa vetë jeta, bizneset duhet të rimendojnë rolin e tyre në sigurimin e një force punëtore konkuruese. Disa kompani e kanë rrokur tashmë këtë gjë dhe po investojnë për mësimnxënien në vazhdim të punonjësve të tyre. Megjithatë, shumica e punëdhënësve ende presin që të sigurojnë talente tashmë të formuar nga shkollat, universitetet apo kompanitë e tjera.
Bizneset do të duhet të punojnë gjithnjë e më shumë me arsimtarët dhe qeveritë për të ndihmuar sistemet arsimorë që të ecin në një ritëm me nevojat e tregut të punës. Duke parë ndryshimet e shpejtë në serinë e aftësive që kërkohen për shumë profesione, bizneset duhet të riorientojnë investimet tek trainimi në vendin e punës, sidomos teksa të lindurit në vitet 2000 hyjnë në forcën punëtore, duke kërkuar qëllim dhe diversitet eksperiencash, atje ku paraardhësit e tyre kërkonin shpërblim dhe stabilitet.
Ciklet e biznesit natyrshëm kapin majat dhe fun det sa i përket punësimit, dhe bizneset që kanë përgjegjshmëri shoqërore duhet të ndjekin shembuj të suksesshëm si Coca Cola, Alcoa, Saudi Aramco, dhe Google, që punojnë drejt zbutjes së papunësisë dhe rritjes së aftësive të njerëzve.
Edhe qeveritë duhet të luajnë një rol në krijimin e një mjedisi në të cilin qytetarët e tyre mund të arrijnë potencialin që kanë. Politikëbërësit duhet të përdorin mjete matëse më të forta për të vlerësuar kapitalin njerëzor dhe riekzaminuar investimin në arsim, praktikat e punëmarrjes dhe largimit nga puna, integrimin e grave në forcën punëtore, politikat e pensionit, legjislacionin për imigrimin, dhe politikat e mirëqenies. Mbështetja rregullatore për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme mbetet një prej mjeteve më pak të përdorur për të çliruar krijueshmërinë, nxitur rritjen ekonomike dhe gjeneruar punësim.
Eshtë shumë e rëndësishme të mbrosh punëtorët dhe konsumatorët, por mbrojtja e industrive të veçanta nga impakti i modeleve të rinj të biznesit nuk do të frenojë valën e ardhshme të transformimit. Në vend që të frenojnë biznese të rinj si Airbnb dhe Uber, qeveritë duhet të miratojnë rregulla e ligje që mundësojnë rritjen e tyre të qëndrueshme, ndërkohë që edhe të gjejnë mënyra për të shfrytëzuar teknologjitë dhe qasjet e tyre sipërmarrëse, me qëllim rritjen e mirëqenies. Politika të tillë përfshijnë arsimimin online për të punësuarit, sigurimet digjitale të punonjësve, sindikalizmin virtual, dhe politikat e taksimit për ekonominë e përbashkët.
Clirimi i talentit të botës, si dhe kapacitetit të tij të plotë për rritje, kërkon nga ne që të shohim përtej cikleve të biznesit dhe raporteve tremujorë. E ardhmja është plot me potencial, por duhet të jemi të mençur dhe kurajozë sa duhet që ta rrokim atë.