Politika si çështje përfaqësimi
Nga Ilir Kalemaj, botuar në Ballkanweb, 14 maj 2015
Politika është mbi të gjitha dhe para së gjithash përfaqësim. Është njëkohësisht përfaqësim shtresëzimesh identitare, përfaqësim shtresëzimesh identitare, përfaqësim klasash shoqërore, përfaqësim interesash, përfaqësim gjinor, përfaqësim moshash, përfaqësim vlerash. Është njëkohësisht vlerësim. Vlerësim kontributesh, vlerësim kapacitetesh, aftësish të ndryshme, vlerësim mbi besnikërinë por edhe pavarësinë e gjykimit, mbi qëndrueshmërinë e kartës morale por edhe fleksibilitetin për ta përshtatur retorikën elektorale me realitetin qeverisës. Ndryshe qeveris si të bësh fushatë dhe bën fushatë duke qeverisur. Dhe kur punët ngatërrohen, ajo që e pëson është ekonomia, është mirëqenia, është shpresa për prosperitet dhe të ardhme më të mirë.
Megjithëse shqiptarët kanë fatin e keq të rrojnë vetëm mes fushatash elektorale, ku sloganet dhe parullat përcjellin një frymë dhe retorikë kinse revolucionare, ajo për të cilën njerëzit kanë nevojë është bash e kundërta, pra evolucioni i natyrshëm drejt një progresi të prekshëm, drejt reformave strukturore dhe punëve konkrete të cilat shpesh zënë rol dhe vend periferik në ligjërimin politik. Në këtë fushatë të sapondezur për zgjedhjet lokale, nga njëra anë shohim tentativë për t’i quajtur të shkëputura nga zgjedhja politike e votuesit duke i quajtur thjesht menaxheriale dhe kryebashkiakët e ardhshëm si administratorë.
Nga ana tjetër, kjo tingëllon së paku hipokrizi, sepse nga deduksioni i retorikës së kandidatëve apo sponsorëve të tyre politikë, këto janë kryekëput politike. Për shembull, kryeministri Rama, ndonëse bën thirrje për të votuar për kandidatët-menaxherë të PS-së, bash në kryeqytet jo vetëm ofron një kandidaturë mirëfilli politike dhe ministër i sapodorëhequr, por sikundër e ka përsëritur shpesh në këtë fushatë që nisi si gjithnjë para kohe, apeli është votimi i kandidatëve të koalicionit të majtë pikërisht se vetëm me ata mund dhe duhet të punojë. Duke paralajmëruar votuesit se, në rast të zgjedhjes të kandidatit kundërshtar, bashkëpunimi me ta do të ishte thjesht i pamundur. Kjo frymë antagonizmi e pandreqshme është simptoma kyç që ka shoqëruar tranzicionin e vështirë dhe demokratizimin e pamundur të Shqipërisë në këto dy dekada e gjysmë dhe gjasat janë minimale që të ndryshojë si kulturë politike në një të ardhme të afërt.
Në qoftë se politika nuk shihet si përfaqësim, nuk shihet si vlerësim, nuk shihet si ofertë për të përballuar kërkesat e elektoratit, nuk shihet si program që u ofrohet qytetarëve, në rast se vazhdon të shihet si minuese e shpresave dhe aspiratave të natyrshme të shqiptarëve dhe si frenuese e procesit të integrimit të shpejtë të vendit në Europë nga ana e ndërkombëtarëve, atëherë ka pak vend për optimizëm dhe shpresë se gjërat mund të ndryshojnë në një të ardhme të afërt. Kambanat bien për ata që kanë veshë dhe njerëzit janë lodhur mes tamtameve të zhurmshme ku energjitë, financat dhe burimet njerëzore kryesore harxhohen nëpër fushata pa anë dhe pa fund, në vend që të shpenzoheshin për të mirën publike, për qytetarët e këtij vendi, që t’ua bënin jetën më të përballueshme dhe të nxisnin besimin që në këtë vend ia vlen të jetohet.