Bieber: Fantazma e Shqipërisë së Madhe shërben për të krijuar frikë
DW: Intervistë me ekspertin e Europës Juglindore Florian Bieber mbi zhvillimet e fundit në Maqedoni, sfondin politik dhe jo etnik të ngjarjeve në Kumanovë dhe rrezikun e një destabilizmi të rajonit, 14 maj 2015
DW: Shkallëzimi i situatës në fundjavë në Kumanovë risolli ndërmend pamje si ato të vitit 2001 në kohën e shpërthimit të konfliktit mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Çfarë mund të thuhet për sfondin e këtij konflikti dhe a ka rrezik që ai të kthehet në një konflikt me afatgjatë?
Florian Bieber: Sfondi i këtij konflikti është në të vërtetë kriza e demokracisë në Maqedoni. Prej muajsh opozita publikon regjistrime kompromentuese të bisedave mes anëtarëve të qeverisë, që tregojnë për korrupsionin, keqpërdorimin e pushtetit dhe manipulimin e mediave e gjykatave. Konflikti në Kumanovë pason këto zbulime dhe protestat e mëdha të qytetarëve. Prandaj atë duhet ta shohim në këtë kontekst. Ndërhyrja e policisë në Kumanovë duket e dyshimtë dhe ngre shumë pyetje. Duket sikur qeveria do që të tërheqë vëmendjen nga kriza. Edhe pse është shumë e vështirë të thuhet se çfarë ndodhi vërtet në Kumanovë, shkaku duhet kërkuar më shumë në krizën e brendshme politike se në marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni.
DW: Zëra se qeveria ka si qëllim të tërheqë vëmendjen nga kriza ka pasur. Sa përgjegjësi mban qeveria Gruevski për gjendjen atje?
Bieber: Nëse qeveria ka përgjegjësi direkte, nuk dihet, por ajo ka krijuar një klimë mosbesimi dhe një linjë nacionaliste që përjashton jo vetëm shumë shqiptarë, por edhe shumë maqedonas. Momenti i konfliktit në Kumanovë pas fajësimeve të opozitës dhe protestave, të le të dyshosh se Kumanova nuk ka ndodhur rastësisht dhe se ka lidhje me krizën e brendshme
DW: Ka rrezik të destabilizimit të Maqedonisë siç përmendet shpesh së fundmi në media?
Bieber: Arsyeja kryesore e destabilizimit në Maqedoni buron nga qeveria e saj. Kumanova është vetëm një përpjekje për t’i ikur problemit të vërtetë. Nëse qeveria e ka planifikuar, toleruar apo Kumanova ishte një rastësi do ta zbulojmë në të ardhmen, por sjellja jodemokratike e qeverisë, fajësimet e besueshme të opozitës tregon se qeveria prej vitesh e keqpërdor shtetin për të ushtruar pushtetin e saj.
DW: Një grup shqiptarësh të armatosur, sipas qeverisë maqedonase, të ardhur edhe nga Kosova planifikonin sulme terroriste në vend. Cili është ky grup, i panjohur më parë në Kumanovë, dhe çfarë duan të arrijnë ata?
Bieber: Ne dimë shumë pak për këtë grup, dhe është ende herët të gjykojmë se sa real është një lloj grupimi i tillë.
DW: A duan vërtet të luajnë rol grupe kosovarësh në një konflikt të ri në Maqedoni?
Bieber: Ajo që mund të thuhet është se nuk ka interesa të dukshme të grupimeve kosovare që kanë interes për një konflikt të tillë. Gjendja sot është ndryshe nga viti 2001, kur lufta në Kosovë kishte vetëm dy vite që kishte përfunduar dhe e ardhmja e Kosovës ishte e paqartë. Dinamika e sotme është ndryshe nga ajo e para 14 viteve.
DW: Megjithatë aktualisht në disa media qarkullojnë sërish zërat për Shqipërinë e Madhe. Mediat serbe shkruajt ën menjëherë: “Lufta për Shqipërinë e madhe filloi”. Politika e Shqipërisë dhe Kosovës nuk shkon në këtë drejtim, orientimi është integrimi në BE. Kemi të bëjmë me fobinë e vjetër, apo është panik i qëllimshëm?
Bieber: Kryetituj të tillë për mua janë nxitje e rrezikshme e panikut. Nuk ka forca politike me peshë në këto vende që e propagandojnë këtë qëllim. Fantazma e Shqipërisë së Madhe shërben në radhë të parë për të krijuar frikë. Veç në Kosovë, ku kemi “Vetëvendosjen” që e propagandon këtë qëllim, nuk ka forca të rëndësishme që duan me dhunë një Shqipëri të Madhe. Prioritetet e shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, apo Shqipëri janë diku tjetër. Prandaj edhe konflikti i fundit mund të shpjegohet me politikën e brendshme dhe jo me ëndrrat për Shqipërinë e Madhe.
DW: Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç paralajmëroi së fundmi se destabilizimi i Maqedonisë do të destabilizonte të gjithë rajonin. Sa i madh është rreziku i vatrave të reja të ndezura në Ballkan?
Bieber: Deklarata të tilla janë të papërgjegjshme. Konflikti i Maqedonisë do parë brenda kontekstit të tij. Megjithëse shqiptarët në Maqedoni, Shqipëri, Kosovë, Serbi komunikojnë me njëri-tjetrin, shqetësimet që ata kanë dhe qëllimet janë të ndryshme. Por sigurisht nuk ka dyshim që një destabilizim i Maqedonisë do të kishte pasoja negative për vendet fqinje, por është e gabuar t’i kërkosh arsyet e konfliktit të tanishëm tek tensionet etnike. Më shumë problemi qëndron tek tendencat autoritare dhe populiste të disa qeverive në rajon.
DW: Megjithatë shqiptarët në Maqedoni ende ankohen se Marrëveshja e Ohrit nuk është zbatuar plotësisht. Pas një konflikti si në Kumanovë dhe gjendjes aktuale në vend, çfarë mund të thuhet sot për të?
Bieber: Po, është e vërtetë që Marrëveshja e Ohrit nuk është zbatuar plotësisht. Përgjegjësia veçse këtu nuk qëndron vetëm tek partia qeverisëse VMRO-DPMNE, por edhe tek partneri shqiptar i koalicionit, BDI. Kjo marrëveshje paraqet bazën më të mirë për Maqedoninë, por zbatimi i saj ka kaluar në hije në vitet e fundit. Nuk bëhet fjalë për përmbajtje formale, por për substancën. Psh. projekti “Shkup 2014” që e mbushi kryeqytetin me vepra të reja dhe monumente nxit vetëm identitetin kombëtar, por jo një shoqëri të hapur, siç është parashikuar në Marrëveshjen e Ohrit.
DW: Maqedonia kritikon BE-në që nuk tregon vëmendjen e duhur për këtë vend. Nuk duhet të bien më së voni tani pas ngjarjeve në Kumanovë këmbanat për BE-në në lidhje me Maqedoninë dhe gjendjen në rajon?
Bieber: Reagimet e BE-së lidhur me krizën në vend kanë qenë të dobta. BE e ka interpretuar gjendjen atje kryesisht si një konflikt mes qeverisë dhe opozitës. Në këtë kuptim BE ka çuar ujë në mullirin e qeverisë. Sigurisht që hapësira e veprimit të BE-së është e kufizuar për shkak të bllokadës greke për emrin, që pengon afrimin e Maqedonisë me BE. Pra si besueshmëria ashtu edhe aftësia e saj vepruese janë të kufizuara. SHBA gjen fjalë më të qarta në kritikën e saj ndaj qeverisë, dhe do të ishte mirë sikur edhe BE të ishte kaq e qartë, sepse nuk mund të jetë në interesin e BE-së që një vend kandidat të largohet nga standardet demokratike. Përplasja e përgjakshme në Kumanovë e tregon këtë rrezik, dhe të shpresojmë që më në fund BE do ta kuptojë se kërkohet një qëndrim më i qartë dhe më shumë angazhim.