Administrata publike dhe gara politike

Nga Fatos Çoçoli, botuar në Shqiptarja.com, 9 maj 2015

Fatos-Cocoli-320x240Vendimi i pardjeshëm i Kryeministrit në formën e një urdhëri të prerë, që ndalon automjetet dhe fondet e institucioneve shtetërore të përdoren në fushatën e zgjedhjeve vendore të 21 qershorit 2015, duhet përshëndetur. Edhe në rast se do të ngelet vetëm në letër, ai është shprehje e një vullneti për të konsideruar administratën tonë shtetërore si strukturë në shërbim të qytetarit, dhe jo të forcës politike që ka në dorë momentalisht pushtetin. Më në fund, për ta respektuar politikisht administratën tonë. Këtë administratë aq të politizuar, të degraduar e të demotivuar nga ndërhyrjet e panumurta politike.

Me këtë sjellje, i jepet fund shfrytëzimit të egër dhe të shëmtuar të administratës publike për qëllimet e garave zgjedhore, si nga partia deri dje në pushtet, ashtu dhe nga Partia Socialiste në garat zgjedhore të viteve 2001, 2003 dhe 2005. Po ndërsa deri në këto vite administrata shfrytëzohej nëpërmjet automjeteve të saj, ose jepeshin fonde për të paguar takime të ndryshme zgjedhore, sidomos në zgjedhjet e vitit 2009, por dhe në zgjedhjet e fundit të përgjithshme të vitit 2013, administrata është shfrytëzuar deri në njeriun më të fundit të saj, për të dalë në mitingjet e mbledhjet zgjedhore. Militantët e flaktë që zakonisht gjenin strehë në njësitë e kuadrit të çdo institucion i qendror, shënonin me listë dhe skontonin kush kishte ardhur në miting dhe kush jo. Punonjësit e administratës në përgjithësi bindeshin, nga frika e raprezaljeve deri dhe me largim nga puna. Por u kishte ardhur shpirti në majë të hundës. Derisa e treguan me votën e revoltuar se sa “e çmomin” forcën politike që i nëpërkëmbte.

Abuzimet me fondet shtetërore në garat zgjedhore janë të frikshme. Ato mund të shkojnë në dhjetëra milionë euro, sidomos për fushatat e 15 viteve të fundit, që u bënë tejet mase mediatike dhe kërkonin para me herë më shumë se më parë. Dikush duhet të vërë gishtin dhe t’i hetojë këto abuzime. Deputetët e shumicës duhet të kenë kurajon t’ia kërkojnë këtë Kontrollit të Lartë të Shtetit. Do të përbënte një purifikim të mirëfilltë të të sjellurit me administratën tonë publike. Duhet të dalin në sytë dhe veshët e të gjithëve ata dinjitarë shtetërorë që kanë firmosur për dhjetëra mijërat e litrave të karburantit, apo për pagesat faraonike të mediave televizive pranë pushtetit, gjoja në formën e reklamave publiçitare. Ata janë të të dyja krahëve kryesorë politikë të sotëm dhe kurajo e deputetëve të Komisionit të Ekonomisë për të zhbiruar të vërtetën, edhe pse me pak kosto politike për nënshkruesit e PS-së të viteve 2001-2005, do të barazonte atë kurajo të qeverisë që iu vu reformës energjitike edhe pse e dinte mirë faturën e jashtëzakonshme në pakënaqësi popullore, që do të paguante.

Një nismë e tillë për të bëre tejdukshmëri me fondet e dhëna nga administrata për zgjedhjet e përgjithshme e vendore të këtyre 15 viteve të fundit, do të ishte katarsisi real që mirëfilli do ta forconte e distanconte nga politika administratën tonë publike. Urdhëri i Kryeministrit është vetëm një shenjë respekti për këtë administratë dhe një dëshirë për të vendosur një standard të ri në trajtimin e saj. Por po ngeli thjesht në letër(edhe pse qoftë edhe i tillë, frenon shumë abuzime të mundshme në këtë fushatë), ai urdhër nuk përbën reformë. Reformën do ta kryente dhe thellonte Kuvendi i Shqipërisë, nëse do të kërkonte nga KLSH nisjen e hetimit të atyre dhjetra miliona eurove të taksapaguesve shqiptarë, të shkuar për llogari të fushatave si të PS-së, dhe të PD-së e partive aleate më të vogla, në tetë garat zgjedhore të përgjithshme e vendore të 16 viteve të fundit.(duke përfshirë edhe këtë të 21 qershorit).

Fatos Çoçoli

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi