Fundi i konsensusit të 1945
Nga Ian Buruma, sipas bota.al, 7 maj 2015
Në 8 maj 1945, kur mori fund zyrtarisht Lufta e Dytë Botërore në Europë, pjesa më e madhe e botës ishte në rrënoja. Por nëse kapaciteti njerëzor për shkatërrim njeh shumë pak limite, aftësia për t’ia nisur nga fillimi është po aq e spikatur. Ndoshta kjo është arsyeja përse njerëzimi ia ka dalë të mbijetojë, deri sot.
Nuk ka dyshim, miliona njerëz në fundin e luftës ishin shumë të uritur dhe të rraskapitur për të bërë ndonjë gjë që shkonte përtej të mbeturit gjallë. Por, në të njëjtën kohë, një valë idealizmi përfshiu të gjithë kontinentin, një ndjenjë kolektive vendosmërie për të ndërtuar një botë më të barabartë, paqësore dhe të sigurtë.
Kjo është arsyeja përse heroi i madh i luftës, Uinston Churchilli, u votua për të lënë detyrën në verën e vitit 1945, edhe përpara se Japonia të dorëzohej. Burrat dhe gratë nuk kishin rrezikuar jetët e tyre thjeshtë për t’u rikthyer në kohët e vjetra të privilegjit të klasave dhe privimeve sociale. Ata donin strehim më të mirë, arsim më të mirë, dhe shëndet falas për të gjithë.
Kërkesa të ngjashme u dëgjuan në të gjithë Europën, ku rezistenca antinaziste apo antifashiste u udhëhoq shpesh nga majtistët, apo komunistët, dhe konservatorët e paraluftës shpesh herë ishin njollosur prej bashkëpunimit me regjimet fashistë. Flitej për revolucion në vende si Franca, Italia dhe Greqia. Ky nuk ndodhi, sepse as Aleatët Perëndimorë dhe as Bashkimi Sovjetik nuk e mbështetën. Stalini ishte i kënaqur me krijimin e një perandorie në Europën lindore.
Por edhe Charles de Gaulle, një udhëheqës rezistence i të djathtës, u desh të pranojë komunizmin në qeverinë e tij të parë të pasluftës, dhe ai ra dkord të shtetëzojë industri dhe banka. Kalimi majtas, tek shtetet social-demokratë të mirëqenies sociale ndodhi në të gjithë Europën Perëndimore. Ishte pjesë e konsensusit të 1945-ës.
Një tjetër lloj revolucioni po ndodhte në ish kolonitë e Europës në Azi, ku vendësit nuk kishin më dëshirë të sundoheshin prej fuqive perëndimore. Edhe vietnamezët, indonezianët, filipinasit, birmanianët, indianët dhe malajzianët donin lirinë e tyre.
Këto aspirata shpreheshin shpesh në OKB, institucioni i themeluar në 1945. OKB-ja, ashtu si ëndrra e bashkimit europian, ishte gjithashtu pjesë e konsensusit të 1945-ës. Për pak kohë, shumë njerëz të famshëm – Ajnshtaini i pari ndër ta – besonin se vetëm një qeveri botërore do të ishte në gjendje të garantonte paqen globale.
Kjo ëndërr u zbeh shpejt, kur Lufta e Ftohtë e ndau botën në dy blloqe armiqësorë mes tyre. Por në disa drejtime, konsensusi i 1945-ës, në Perëndim, u forcua prej politikës së Luftës së Ftohtë. Komunizmi, ende i mbështjellë me gjethen e antifashizmit, kishte një joshje të madhe intelektuale dhe emocionale, jo vetëm në të ashtuquajturën Botë e Tretë, por edhe në Europën Perëndimore. Demokracia sociale, me premtimin e saj të një barazie më të madhe dhe shanseve për të gjithë, shërbeu si një antidot ideologjik. Shumica e socialdemokratëve ishin në fakt antikomunistë të vendosur.
Sot, 70 vjet më vonë, pjesa më e madhe e konsensusit të 1945-ës nuk ka mbijetuar dot. Shumë pak njerëz mund të shprehen me entuziasëm të madh për OKB-në. Endrra europiane është në krizë. dhe shteti social demokrat i mirëqenies, i pas luftës, po gërryhet ditë pas dite.
Kalbja nisi gjatë viteve ’80, në kohën e Ronald Reaganit dhe Margaret Thatcherit. Neoliberalët sulmuan kostot e programeve të të drejtave dhe interesat e fshehur të sindikatave. Mendohej që, qytetarët duhej të mbështeteshin më shumë tek vetja. Programet socialë të qeverisë po e bënin këdo të butë dhe të varur. Sipas fjalëve të famshme të Thatcherit, nuk ekzistonte një gjë e tillë si “shoqëria”, por vetëm familje dhe individë që duhej të kujdeseshin për vetveten.
Por konsensusi i 1945-ës mori një goditje shumë më të fortë pikërisht atëherë kur të gjithë iu gëzuan shembjes së perandorisë sovjetike, tirania tjetër e madhe e shekullit 20. Në vitin 1989, u duk sikur trashëgimia e errët e Luftës së Dytë, skllavërimi i Europës Lindore, më në fund kishte marrë fund. Dhe në shumë drejtime, kështu ishte. Por bashkë me modelin sovjetik u shemb edhe shumëçka tjetër. Socialdemokracia humbi arsyen e ekzistencës, si antidot i komunizmit. Të gjithë format e ideologjisë majtiste – në fakt, gjithçka që përqëndrohej tek idealizmi kolektivist – erdhi e u pa si utopi që mund të shpinte vetëm tek Gulagët.
Neoliberalizmi e mbushi zbrazëtinë, duke krijuar pasuri për disa njerëz, por në dëm të idealit të barazisë që kish dalë prej Luftës së Dytë. Pritja e jashtëzakonshme që i është bërë librit të Thomas Piketty, “Kapitali në Shekullin 21” tregon se sa shumë janë ndjerë pasojat e kolapsit të të majtës.
Vitet e fundit, janë shfaqur edhe ideologji të tjera, për të plotësuar nevojën njerëzore për ideale kolektivë. Ngjitja e populizmit të të djathtës pasqyron “etjen” për komunitete të pastër kombëtarë që mbajnë jashtë imigrantët dhe pakicat. Dhe neokonservatorët amerikanë e kanë transformuar internacionalizmin e të majtës së dikurshme, duke u përpjekur të imponojnë një rend botëror demokratik, përmes forcës ushtarake të SHBA.
Përgjigja ndaj këtyre zhvillimeve alarmues nuk është nostalgjia. Nuk mundemi që thjeshtë të kthehemi në të kaluarën. Shumë gjëra kanë ndryshuar. Por një aspiratë e re drejt një barazie sociale dhe ekonomike, si dhe solidariteti ndërkombëtar, nevojitet më shumë se kurrë. Nuk mund të jetë e njëjtë si konsensusi i 1945-ës, por këtë përvjetor do të bënim mirë të kujtonim arsyen përse u arrit në atë konsensus, që në krye të herës.