Refleksion dhe Reforma
Nga Artur Zheji, botuar në Mapo Online, 2 maj 2015
Rama është paraqitur me vetëdije në publik si një kryeministër reformator.
Në lidhje me energjinë elektrike dhe kulturën e respektimit të kontratës me shtetin, në lidhje me territorin dhe ndërtimet pa leje që shëmtojnë, përçudnojnë dhe mjerojnë tokën tonë, në lidhje me reformën në arsim dhe me reformën e sistemit shëndetësor.
Pra, ka hapur disa beteja frontale. Teorikisht, reformat janë në drejtimin e duhur, askush nuk mund ta sulmojë për këtë.
Mirëpo, gabimi i tij i madh është se, në të njëjtën kohë, ai, kryeministri kryetar partie pra, nëpërmjet shtysës personale dhe jo meritokratike, të një “garde të re” politike që njohin për burim frymëzimi dhe interesi të karrierave të tyre vetëm Ramën, kërkon paralelisht të rrisë autoritetin e tij personal në Partinë Socialiste. Duke hapur një front të brendshëm, të dëmshëm dhe të panevojshëm.
Rama, në emër të “shtetit të ri” që kërkon të “themelojë”, nuk mundet dhe nuk duhet që paralelisht të kujdeset kaq shumë edhe për zgjatimet e thella të rrënjëve të pushtetit të tij personal në Partinë Socialiste.
Ai, përkundrazi, në respekt të demokracisë funksionale, do të duhej të krijonte një front më të gjerë të mundshëm konsensusi për mbërritjen e këtyre qëllimeve. Me të “vjetër” dhe me të rinj.
Rama, në emër të një entiteti më sublim, që është Shteti i së Drejtës, Shtet i cili ka padyshim të drejtën e vet të ekzistencës edhe në Shqipëri, nuk mund të ndjekë një rrugë më të shkurtër, që në të vërtetë nuk të çon asgjëkundi.
Në emër të një Shqipërie Tjetër, apo të një Shqipërie të Rilindur, atij nuk i lejohet, politikisht dhe moralisht, për taktikë dhe për koherencë pra, që të kujdeset kaq shumë për rritjen dhe forcimin e pareshtur të pushtetit të tij personal në PS.
Kjo kontradiktë rrit tensionet dhe në të njëjtën kohë rrit edhe dyshimet për autenticitetin dhe besueshmërinë e arsenalit të argumenteve, në emër të së cilës kërkohen këto reforma.
Të cilat të tija, për më tepër, nuk janë aspak popullore.
Nëse ne shqiptarët kemi vesin të mos e paguajmë energjinë elektrike, duhet të shërohemi në një formë ose tjetër, ashtu si e gjithë Europa ku duam të hyjmë.
Nëse duam një arsim më të mirë të fëmijëve tanë, duhet ta reformojmë në themel atë. Modeli anglosakson, që është edhe më i miri në botë, është i qartë, ai duhet vetëm adaptuar.
Nëse duam një shëndetësi të shëndetshme, pra duhet të kalojmë përmes dhimbjesh reformatore, që ta fusim atë në treg përmes një reforme të thellë dhe rrënjësore të Sigurimeve. Këto janë eksperimente që bota i ka bërë 50 vjet më parë, ka gabuar dhe ka ndrequr. Modeli është aty.
Mirëpo, nëse Rama e ka sinqerisht dhe seriozisht vullnetin dhe kurajën e tij reformatore, nuk mund ta bëjë këtë duke rritur pushtetin e vet personal, e pra autoritarizmin.
Rruga e tij është një tjetër. E dhimbshme dhe e lodhshme edhe ajo, si reformat që përmendëm më lart.
Duhet të rrisë Konsensusin. Majtas, djathtas, poshtë dhe lart.
Realizimi i një pakete reformash, teorikisht kaq ambicioze, nuk mund të bëhet pra, as duke u mbështetur vetëm te “çunat” e Sajmes.
Në radhë, kjo rrugë e përpjetë dhe rraskapitëse kërkon nerva të çelikta dhe një rritje eksponenciale të mbështetësve. Duke filluar brenda Partisë Socialiste dhe deri tek skaji më i largët dhe dyshues i shoqërisë civile.
Perëndimi që ne ëndërrojmë, pikërisht për shkak të dhimbjes që shkakton korrigjimi i vesit, apo dhimbjes ekonomike dhe sociale që shkakton operacioni reformator, u drejtohet madje dhe referendumeve dhe bën fushata të mirëfillta elektorale, për t’i bërë reformat sa më të kuptueshme. Njerëzit duhet të besojnë te reformat, të pranojnë në shumicë me vetëdije edhe paktin e sakrificës fillestare. Ndryshe, vetëm armiqësohen. Dhe kjo i bllokon reformat dhe krijon hapësira populiste që nuk të çojnë realisht asgjëkundi.
Ndërsa Rruga e Shkurtër e bërjes së reformave duke parapëlqyer instrumentin e forcës, qoftë edhe instrument i ligjshëm, të çon herët a vonë në nevojën e rritjes së pushtetit. Nevoja e rritjes së pushtetit të çon në veprime dhe gjeste autoritare, në parti dhe në qeverisje.
Krejt në kundërshtim me frymën teorike të reformave.