Që të mos kemi ikje masive
Nga Fatos Çoçoli, botuar në Shqiptarja.com, 3 maj 2015
Ikjet e shumë shqiptarëve nga vendi gjatë vitit 2014 dhe në gjysmën e parë të këtij viti, përbëjnë një dukuri sa të trishtë aq edhe shqetësuese. Së pari, na ikin njerëz në moshën 25-40 vjeçare kryesisht, në kulmin e aftësive të tyre për punë.
Së dyti, harta e krahinave nga kanë ikur tregon për një mungesë perspektive me prapavijë politike. Është kryesisht veriu i vendit, i njohur për mbështetjen e partisë kryesore politike që humbi në zgjedhjet e vitit 2013. Janë njerëz që gjithnjë kanë menduar se e kanë një të njohur apo mik në Tiranë, në qeverinë qëndrore, për të punësuar djalin apo vajzën. Që në dy vitet e fundit janë ndodhur pa këtë mbështetje dhe kanë humbur perspektivën.
Janë disa mijëra nga të 120 mijë familjet më në nevojë të shoqërisë sonë, që humbja e mundësisë për të marrë energji elektrike falas nëpërmjet telit abuziv, i ka sjellë në prag të dëshpërimit. Pse fatura korrekte e dritës përbën një shpenzim gati të papërballueshëm për ta, të mësuar si një mënyrë jetese apo mbijetese, që dritën ta kishin pa para. Janë me dhjetëra mijëra njerëz në zonat më të largëta të vendit, sidomos në veri, që ndihen të harruar nga pushteti qendror.
Që kanë humbur shpresën se diçka e mirë do të vijë nga paratë publike të Tiranës. Trekëndëshi Tiranë-Durrës-Vlorë është një botë tjetër tashmë për ta, shumë e largët. Dhe mundësia, drita e vetme në fund të tunelit u ngjan emigrimi, kërkimi i azilit, edhe pse me qëndrimin e vendeve ku ata shkojnë(Gjermani, Austri, Zvicër, etj.), duket mision i pamundur. Megjithatë përherë e më shumë njerëz në prag të dëshpërimit, e mendojnë gjithnjë e më tepër seriozisht këtë gjoja rrugëdalje. Kjo qeveri e sotmja e jona ka për detyrë parësore t’u krijojë një dritë, një shpresë për të qëndruar këtyre njerëzve që shohin vetëm gri apo zi.
Askush nuk e qorton për reformën e thellë në shërbimin publik të furnizimit me energji elektrike, por kjo bisturi ka prekur edhe damarët e pafajshëm të familjeve në nevojë, sidomos të veriut të vendit. Që marrjen e dritës falas, nëpërmjet telit abuziv, apo energjisë aforfe, e kishin një mënyrë jetese. Këta njerëz sot kanë nevojë për një vëmendje maksimale të qeverisë qëndrore. Ndihen të braktisur, të pakonsideruar, të lënë vetëm në fatin e tyre.
Dhe kjo ndihmë, kjo dorë e shtrirë, kjo përkrahje nuk duhet vetëm me fjalë, por me fonde buxhetore, me projekte konkrete. Jo në formën e asistencës sociale, pse ajo është ndihmë parazitare dhe nuk përkrah realisht, por vetëm shtyn ditët. Tani që financat publike të vendit janë shëndoshur, krahinat më të largëta, fshatrat dhe qytetet malore gjysëm të braktisur kanë nevojë si për oksigjenin, për praninë e Shtetit, të qeverisë qendrore.
Kjo prani duhet para së gjithash në formën e projekteve të Fondit Shqiptart ë Zhvillimit, por jo vetëm të atij. Sipërmarrja e vogël në qytetet gjysëm të braktisura duhet të rilindë. Po ashtu dhe sipërmasrrja në fshatrat malorë. Nëpërmjet granteve të vogla dhe minikredive të buta. Në korrik mund të rishikohet buxheti dhe investimet për rrugë që sjellin vota, duhet të ndërpriten urgjentisht.
Nga të 600 milionë dollarët e investimeve publike për këtë vit, të paktën njëqind milionë dollarë duhet të shkojnë në miniprojekte për zonat më të largëta e të harruara të vendit. Sikur edhe granti të jetë vetëm 5 mijë dollarë, ai është një gjë e madhe për qindra mijëra njerëz në nevojë në këto zona. Është e vetmja mënyrë për t’i bërë të qëndrojnë në vendin e tyre, të fitojnë gradualisht shpresën dhe me shpresën, edhe ndjenjën e perspektivës.
Nëse nuk e bën këtë si një masë të menjëhershme e shumë kurajoze, kjo qeveri, edhe pse punoi fort për shtetin ligjor, do të gjendet e mbuluar sa t’i zërë frymën, me koston e gjatë sociale të reformës më të thellë të ndërmarrë në shoqërinë tonë në këto 25 vitet e fundit, atë të furnizimit me energji elektrike. Fonde, fonde në formën e mikrokredive apo mikro-granteve, për të ndaluar hemorragjinë njerëzore, ikjet masive nga vendi.