Studimi i BSH-së: Përkeqësohen financat e familjeve
Nga Raporti i Stabilitetit Financiar, publikuar nga BSH, 1 maj 2015
Një vrojtim i Bankës së Shqipërisë, i publikuar si pjesë e raportit të stabilitetit financiar, vëren se gjendja financiare e familjeve u përkeqësua në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar.
Ekspertët e bankës, të cilët e prezantuan raportin pa praninë e kamerave, sqaruan se vrojtimi është kryer në një kampion prej 1200 familjesh, të shpërndara në të gjithë vendin, nga të cilat janë përgjigjur 88%, ose rreth 1060 familje.
Sipas vrojtimit, në 58% të rasteve, shkaku i përkeqësimit të buxheteve familjare ishte rënia e të ardhurave, ndërsa në 40% të tyre “rritja e shpenzimeve të jetesës”.
Banka vëren se rënia e të ardhurave lidhet me zhvillimet në tregun e punës, ku numri i anëtarëve që sigurojnë të ardhura për familjet, ra me 5.5% krahasuar me një vit më parë. Kjo, sipas vrojtimit, ka ardhur nga një tkurrje e numrit të të punësuarve në të gjithë sektorët, por më e theksuar rënia ka qenë në sektorin privat.
Përtej gjendjes ekzistuese, Banka e Shqipërisë i ka pyetur familjet edhe mbi pritshmëritë e tyre për të ardhmen. Sipas rezultatit, për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, rreth 84% e familjeve shprehen se nuk presin asnjë ndryshim të gjendjes financiare, ndërsa balanca neto e atyre që presin rënie ka rezultuar minus 10%, çka sipas Bankës, nënkupton pritshmëri në rënie.
Ky është treguesi i vetëm që tenton të vlerësojë gjendjen financiare të familjeve, pasi ndryshe nga shumë vende të tjera, veçanërisht ato të zhvilluara, Shqipëria ende nuk i mat të ardhurat e disponueshme të familjeve.
Sa i takon stabilitetit financiar, raporti ka konfirmuar se sitemi bankar në vend është në gjendje të shëndoshë, me likuiditet të bollshëm dhe tregues të fortë financiarë. Po kështu, sipas raportit, rreziqet për këtë sistem janë ulur në të gjithë spektrin e tyre.