Rama: Kontrolle rigoroze për shoqëritë e naftës, Toleranca zero
Konferencë shtypi e kryministrit Rama, 30 prill 2015
Kryeministri Edi Rama njoftoi se në vend do të nisë një aksion për kompanitë e prodhimit të naftës dhe pikave tregtare që shesin karburant jo cilësor. Kryeministri ka paralajmëruar se përballja me ligjin ndaj abuzuesve të naftës, do të jetë edhe më e ashpër se asnjëherë tjetër.
Aksioni që pritet të nisë shumë shpejt, sipas Ramës ka rëndësi jetike për ekonominë dhe mjedisin e vendit. “Kemi një plan të detajuar për mënyrën e prodhimit të naftës bruto në vend.
“Ministri i Financave, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministri i Energjisë dhe Industrisë, si dhe Ministri i Brendshëm, kanë dakordësuar një udhëzim shumë të specifikuar, në mbështetje të nenit 102, pika 4 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të Kodit Doganor të Republikës së Shqipërisë, të ligjit për akcizat në Republikën e Shqipërisë, të Ligjit për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë, të Ligjit për Metrologjinë, të Ligjit për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, së gazit dhe të nënprodukteve të tyre, të Ligjit për Policinë e Shtetit, të Ligjit për përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien me koncesion të shërbimit, të markimit, dhe monitorimit të karburanteve, si dhe të tetë vendimeve të Këshillit të Ministrave që datojnë prej vitit 1999, deri në vitin 2013 dhe mbi bazën e gjithë kuadrit ligjor shterues për sektorin, kanë vënë në lëvizje një mekanizëm institucional, ku përfshihen; Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Inspektorati Shtetëror përgjegjës, Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, kompania koncesionare e markimit, si dhe Drejtoria e Policisë së Shtetit. Kanë përcaktuar 21 aspekte me të cilat ky mekanizëm do të merret 24 orë në 24, në të gjithë territorin e Shqipërisë, duke filluar nga dita e nesërme.
Këto 21 aspekte te sektorit janë edhe pikat kyçe të cilat është koha të vendosen në shtratin e plotë të legjislacionit që përmenda më lart”.