E vërteta e gabuar
Nga Silvana Toska, botuar në Shqip, 30 prill 2015
Në intervistën me Rudina Xhungën në “Shqip”, Kryeministri Rama përmendi disa herë, me një mungesë interesi për angazhim me pyetjet që i bëhen (që tashmë i është bërë tipike), se është “e turpshme” dhe “spekulim” t’ia vëmë fajin qeverisë si për eksodin e kohëve të fundit ashtu edhe për humbjen e përfolur të shpresës. Sipas tij, eksodi është thjesht një gabim, ndërsa humbja e shpresës trillim. Normalisht do të këmbëngulja që pothuajse çdo gjë që artikulohet nga politikanët është një lojë retorike që mbulon mendimet e vërteta dhe përdoret instrumentalisht për qëllime të caktuara. Por, e parë në kontekstin e këtyre dy viteve të fundit, si dhe politikës së brendshme brenda partive, më duhet të këmbëngul në sinqeritetin e Ramës: për të është vërtet spekulim që njerëzit e kanë humbur shpresën. Por, kjo është një e vërtetë e gabuar e tij dhe këto “të vërteta”, të cilat i thotë vetes janë po aq të dëmshme për atë sa janë edhe për ne të tjerët.
Edhe pse në Shqipëri duket sikur informacioni për interesat dhe ndjenjat e popullsisë duhet të jetë shumë i lehtë për t’u marrë, mënyra se si është krijuar sistemi e ka bërë këtë informacion të duket i panevojshëm. Thënë ndryshe, qeveritarët nuk janë medoemos në dijeni të ndjenjave dhe interesave të popullit, pasi kanë krijuar një sistem të tillë ku ato janë pa vlerë. Duke qenë një sistem hibrid – as demokratik dhe as autoritar – qeveritë e ndryshme nuk kanë krijuar asnjë sistem të mirëfilltë ekspertësh për të matur bindshëm se ku qëndrojnë votuesit dhe as një sistem që kontrollon po aq bindshëm mendimet e tyre. Votuesi blihet, nuk bindet. Si rezultat, pak rëndësi kanë mendimet e tij përderisa ato mendime nuk përkufizojnë votën.
Votimi relativisht i parashikueshëm ilustrohet qartë me kandidaturën e Gjergj Bojaxhiut për Bashkinë e Tiranës. Pengesa e parë e fushatës së tij ishte mbledhja e firmave të nevojshme për kandidim: edhe pse mjaft njerëz donin të shihnin një kandidat të pavarur, shumë hezitonin të hidhnin firmën, për shkak se ky informacion mund të merrej vesh nga “ata lart”. Ishte një kulminim i frustrimit me qeverinë dhe opozitën që fushata e Bojaxhiut arriti t’i mbledhë firmat dhe, do të argumentoja, këto firma janë shumë më pak sesa do t’i jepeshin atij realisht dhe sesa do t’i jepen në zgjedhje (një numër që është gjithashtu i kufizuar nga sistemi, pasi shumë njerëz ndihen të detyruar të votojnë për atë parti që i jep bukë edhe nëse do të donin të votonin për Bojaxhiun).
Shqipëria nuk është një vend autoritar, pasi me gjithë bashkëpunimet ekonomike dhe politike të dy kampeve të mëdha, ekziston një konkurrencë midis tyre që bën sundimin e secilës palë në vetvete të pamundshëm. Por vetë partitë janë struktura plotësisht totalitare. Në ditët përpara shpalljes së kandidaturës së Erion Veliajt për Tiranën, persona të lartë në Partinë Socialiste thoshin se askush nuk e dinte kandidatin përveç “atij lart”. Fakti që këta persona këmbëngulin në anonimitetin e tyre, si dhe fakti që i referohen Edi Ramës me të njëjtin term që nënkupton hierarki absolute duke krijuar imazhin e Zotit, është provë e autoritarizmit absolut brenda partisë. Brenda LSI-së nuk është ndryshe dhe, ironikisht, është PD-ja që duket se ka një frymë pak më demokratike brenda partisë, por kjo thjesht fsheh faktin që ajo është totalisht disfunksionale.
Rama i bën në radhë të parë një dëm të madh vetes dhe pastaj partisë dhe ne të tjerëve me këtë autoritarizëm të tij. Është pothuajse e pamundur ta kundërshtosh atë dhe t’i tregosh se ku qëndron realisht vendi dhe rilindja. Në këto kushte, nuk shtiret as ai as Meta kur habiten me emigrimin në masë apo me insistencën nga analistë të shumtë se rilindja ka vrarë shpresën. Ashtu si fjalimi i Ramës pas dështimit të diplomacisë së tij për armët kimike siriane, ai ka po atë shprehje habie dhe prekje në sedër ndaj opozitës popullore në mënyra të tjera sot: duket i kapur mat që këto po i ndodhin atij dhe qeverisë së tij, që popullsia nuk e ka vënë re se sa më mirë po shkojnë gjërat, madje gati-gati po shkojnë shkëlqyeshëm.
Rama duket fare i pavetëdijshëm se humbja e shpresës është ndoshta e vetmja gjë që mund të konstatohet me siguri të plotë dhe se nuk është aspak “spekulim”, siç insiston ai. Kjo disonancë midis asaj që përjetojmë dhe asaj që na thuhet se duhet të përjetojmë është qesharake nëse nuk do të ishte kaq tragjike. Përveç të mirave materiale, të cilat Rilindja premtoi, por nuk duken drejt realizimit, Rama na refuzon gjithashtu të drejtën dhe aftësinë për të përcaktuar se çfarë ndiejmë kolektivisht nga paaftësia e qeverisë së tij.
Përpara qershorit 2013 kishte sadopak shpresë – e bazuar më shumë në dëshirë sesa fakte – se kjo qeveri e ardhshme mund të ndryshonte diçka. Në fund të fundit, nuk kishte ku të shkonte më keq se ku e la qeveria Berisha. Por edhe nëse objektivisht gjërat nuk kanë shkuar më keq se atëherë, fakti që nuk ka më vend se ku mund të ankorohet shpresa për të ardhmen e bën të sotmen aq të zymtë sa përjetohet. Është e kuptueshme që Rama nuk mund të pranojë një dështim të tillë, por e keqja qëndron se ai duket i paaftë ta kuptojë atë. Rama citoi faktin që Dhoma Amerikane e Tregtisë vlerëson klimën e biznesit në vend si shenjë e përmirësimit të situatës, por ky institucion konsideroi situatën në Libi vetëm pak muaj përpara revolucionit si po aq të volitshëm: një klimë biznesi pozitive, një klimë jodemokratike dhe një varfëri masive jo vetëm që mund të koekzistojnë, por shpesh ndihmojnë njëra-tjetrën.
Artikujt e fundit të Blushit kanë shprehur qartë dhe shpesh saktë problemet me Rilindjen, paçka se mund të komentojmë mbi vetë qëllimin e kritikave të Blushit. Edhe pse ai nuk tha ndonjë gjë të paditur, fakti që dikush nga brenda partisë i artikuloi ato, bën të mundshme që edhe të tjerë të shprehin pakënaqësitë e tyre si dhe të nënvijëzojnë faktin që brenda selisë lejla, gjërat janë blu. Por, në vend që të konsideronte kritikat e Blushit qoftë vetëm pasi shumë vetë i kanë quajtur ato me vend, Rama refuzoi të komentonte mbi to, sikur ky refuzim i delegjitimon ato apo i zhduk problemet. Kjo taktikë mund të ishte efikase nëse kritikat do të ishin në bazë jolegjitime, por në këtë rast thjesht nënvijëzojnë faktin se Rama jeton në një univers paralel, ku çdo e keqe vjen nga jashtë apo shpiket nga dashakeqës brenda. Insistimi i tij, për shembull, se emigracioni është në numra “normalë” dhe se Serbia ka dyfish emigracion, është një mbrojtje e dobët që mund të kundërvihet fare lehtë, me faktin se edhe Siria, Eritreja apo Somalia kanë shumë emigrantë, por a është i gatshëm t’i çojë deri në fund implikacionet e këtij krahasimi? Gjithashtu, është më se e mundshme që njerëzit të gënjehen nga elementë kriminalë, por edhe në këtë rast, faji kryesor i mbetet qeverisë jo vetëm për paaftësi në luftën ndaj tyre, por në faktin që e ka lënë popullsinë në atë fazë sa manipulimet e këtyre elementëve besohen lehtë. Është pikërisht tek e fundit ku qëndron problemi kryesor.
Por qeveria duket e paaftë të shohë problemin dhe të pranojë fajin e vet në krijimin dhe përkeqësimin e vazhdueshëm të tij. Pasi ata nuk arrijnë ta shohin këtë problem. Për këtë arsye m’u duk veçanërisht qesharake iniciativa e Bregut për të censuruar komentet “fyese” online për politikanët, komente të cilat u japin atyre një mundësi të matin pakënaqësinë e një pjese të popullsisë. Këtu duket qartë se verbëria, ashtu si shumë probleme të tjera, nuk është vetëm e qeverisë, por është sëmundje e përgjithshme e klasës politike. Mbi verbërinë, në këtë rast qëndron gjithashtu edhe problemi se “fyese” është një kategori gjithëpërfshirëse, e cila mund të përkufizohet sipas qejfit dhe interesit – ashtu siç u provua së fundmi gjatë debatit mbi “Charlie Hebdo” – dhe, si rezultat, censura e komenteve fyese do të prekë lirinë e shprehjes, pasi çdo koment negativ mund të konsiderohet i tillë. Komenti i Ramës se është “e turpshme” apo “spekulim” t’i vëmë fajin qeverisë për ndonjë gjë, për shembull, është shumë fyes për shumë prej nesh. Por, ndryshe nga ata që kanë luksin të sugjerojnë të na censurojnë, jemi të detyruar që jo vetëm t’i dëgjojmë, por të bëhemi pjesë e banalitetit të tyre fyes, duke i marrë seriozisht dhe duke qenë të detyruar ta hamë banalitetin dhe fyerjen me bukë.
Por ky artikull nuk u nis për të qarë hallin e popullit, por për të theksuar se sa shumë mund të humbë Rama duke insistuar të mos shohë realitetin që e rrethon dhe të na bindë se zhgënjimi ynë është thjesht një “spekulim”. Kjo verbëri e tij po shkakton dëme të pamatshme, por do të shkaktojë dëme edhe në jetëgjatësinë dhe gjurmën që Rama do të lërë në histori, gjë që është, në thelb, qëllimi kryesor dhe i vetëdeklaruar i tij. Prandaj, për hir të planeve personale që ka, duhet t’i theksojmë se këto rroba retorike me të cilat po vesh Rilindjen në fakt e kanë lënë atë lakuriq.