Durrësi 2020!
Nga Ardian Haçkaj, Drejtor i Shtetiweb, 30 prill 2015
Ky artikull përmbledh disa nga përfundimet kryesore të analizës socio-ekonomike të Bashkisë se Re Durrës të kryer nga CDI / Shtetiweb në kuadrin e programit të zonave funksionale dldp, financuar nga SDC.
Bashkia e re e Durrësit, më tepër se një njësi vendore e Republikës së Shqipërisë, është një qendër ku rrjetëzohen dhe bashkohen ndërveprime ekonomike dhe sociale për të gjithë vendin dhe për rajonin. Me 85% të ndërmarrjeve aktive, totalitetin e qendrave menaxheriale të ndërmarrjeve të mëdha publike në rang qarku (dhe disa në rang republike si Porti i Durrësit ose Hekurudhat Shqiptare), dhe 65% të popullatës, njësia administrative Durrës (Bashkia aktuale) është qartësisht njësia dominante në Bashkinë e re, e pakrahasueshme me forcën socio-ekonomike të pesë njësive të tjera. Si pasojë, NjA Durrës pritet të mbizotëroje dhe përcaktojë zhvillimin praktik të të gjithë Bashkisë së re.
Nga ana e tyre, të pesë njësitë e tjera (Manëz, Sukth, Katund i Ri, Rrashbull dhe Ishëm) janë të orientuara nga Durrësi për punësimin (ndër 11% dhe 72% e të punësuarve respektivisht të Ishmit dhe të Rashbullit punojnë në NjA Durrës), marrjen e shërbimeve publike në nivel Qarku, ato mjekësore dhe shkollore (kryesisht universitare). Fluksi i durrsakëve të vjetër drejt këtyre pesë njësive është i parëndësishëm statistikisht.
Përsa i përket zhvillimit ekonomik, Bashkia e re Durrës është pjesë de facto e Zonës Metropol Tiranë – Durrës. Si e tillë, ajo preket direkt nga zhvillime kombëtare qoftë në investime publike, qoftë në tërheqjen e investitorëve të huaj. Në këtë kontekst, planet zhvillimore të Bashkisë së re Durrës për të qenë të qëndrueshme, duhet të bazohen në ndërmarrjet e suksesshme ekzistuese, por të ndihmuara aktivisht me politika mbështetjeje strategjike nga qeveria qendrore. Këtu mund të citojmë a) përpunimin e tekstileve dhe lëkure-këpucëve, i ndihmuar me investime publike në hulumtime, zhvillim produkti & procesesh dhe në marketing, shpërndarje dhe shitje; b) logjistikën e transportit me ndihmë publike në zhvillimin dhe modernizimin në kontekstin ligjor të procedurave doganore dhe të infrastrukturës së transportit; c) bujqësi dhe zhvillimi rural me ndihmë publike në mbështetjen e fermerëve dhe internacionalizimin e produkteve shqiptare.
Në rang vendi, Bashkia e re Durrës është unike përsa i përket koncentrimit të projekteve strategjike dhe investimeve përkatëse në infrastrukturë. Ndër më kryesorët mund të përmendim autostradën blu që përshkon bashkinë nga veriu në jug; zhvillimin e hekurudhave dhe lidhjen me Maqedoninë dhe Kosovën; Zhvillimin e Portit të Durrësit; zhvillimin e Zonës Industriale të Spitallës etj. Sasia e investimeve dhe numri i vendeve të punës që rezultojnë nga këto zhvillime qeveritare, janë ndjeshëm më të larta nga sa ka mundësi të çlirojë Bashkia. Por po ashtu janë dhe eksternalitetet negative eventuale për banorët e zonës. Ndikimi i autoriteteve bashkiake në përcaktimin e profileve të këtyre investimeve dhe orientimi i tyre në funksion të banorëve të Durrësit, do të jenë një nga sfidat e Bashkisë së re.
Për sa i përket shërbimeve publike të Bashkisë së re, vëmendja jonë tërhiqet nga dy grupe kryesore: shërbimet publike administrative direkte ndaj qytetarit, si p.sh shërbimet civile dhe shërbimet publike ndaj kontekstit që rrethon qytetarin, si p.sh menaxhimi i mbetjeve, uji dhe kanalizimet etj. Në rastin e parë, gjatë vitit 2015-2016 Bashkia e re do të ketë si sfidë primare të paktën mbajtjen e cilësisë dhe të rrjetit të shërbimeve jo më ulët nga situata para reformës territoriale. Kjo do të kushtëzohet nga mbulimi efektiv me shërbime në të gjithë territorin. Sidoqoftë, përvoja dhe ekspertiza e Bashkisë aktuale Durrës, e plotësuar me eksperiencën dhe njohjen e terrenit të personelit të pesë njësive të tjera, janë avantazhe që duhet të përdoren me zgjuarsi për të prodhuar sukses. Me konsolidimin dhe modernizimin e administratës së re bashkiake pritet që eficienca e këtyre shërbimeve të rritet.
Në rang republike vëmë re që shërbimet publike si menaxhimi i mbetjeve, uji dhe kanalizimet etj., po transferohen gradualisht në ndërmarrje private, të ndara nga administrata publike vendore (bile dhe qendrore). Rasti i mbetjeve është më tipiku. Në këtë prizëm ngelet detyrë e autoriteteve lokale të sigurojnë mbajtjen e një niveli të pranueshëm shërbimi ndaj qytetarëve me një kosto demokratike.
Çdo zhvillim domethënës i Bashkisë së re Durrës do të kushtëzohet nga implikimi, përkushtimi dhe investimet e qeverisë qendrore. Por implikimi real dhe kuptimplotë i aktorëve lokalë në të gjitha fazat e identifikimit, planifikimit, kostimit, tenderimit, zbatimit, monitorimit të iniciativave dhe politikave publike do të jetë kusht i nevojshëm dhe i domosdoshëm për një njësi vendore të suksesshme dhe një qytetar durrsak të kënaqur. Për më tepër kjo qasje nuk duhet të përfshijë vetëm NjA më të madhe, atë të Durrësit, por të gjitha forcat aktive të shpërndara në Ishëm, Rrashbull, Sukth, Katund të Ri dhe Manëz. Çdo model i imponuar nga lart pa marrë përqafimin e banorëve të Bashkisë së re Durrës në të gjitha njësitë e saj administrative (qoftë dhe ato më “të parëndësishmet”) do të krijonte forca centrifuge mes njësive të territorit të Bashkisë së re, dhe si pasojë do të ulte efikasitetin e punës së njësisë së re vendore.
Si përfundim, edhe pse Bashkia e re Durrës për momentin duket e dizekuilibruar në favor të qytetit të Durrësit, kjo njësi e re për nga vetë pozita gjeografike, struktura industriale, profili njerëzor dhe historia mijëvjeçare ofron mundësi praktike për një skenar suksesi jo vetëm në nivel kombëtar por dhe në atë ndërkombëtar. Pesë njësitë e reja, në qoftë se bëhen pjesë aktive e planifikimit dhe zhvillimeve strategjike të njësisë së re, do t’i ofrojnë Durrësit hapësirën gjeografike, biznesore dhe mundësinë njerëzore për të qenë Bashkia model e Republikës së Shqipërisë në 2020.