Buxhetit të shtetit i mungojnë dhjetëramilionë euro

Nga Gjergj Erebara, botuar në Reporter.al, 30 prill 2015

Zëvendësministrja e Financave Irena Beqiraj konfirmoi se të ardhurat e buxhetit janë më të ulëta se sa pritshmëritë dhe se Shqipëria mund të ketë nevojë për rishikim të buxhetit më vonë këtë vit.

Importet më të ulëta të taksuara të disa mallrave kryesore dhe çmimet më të ulëta të mallrave kryesore të eksportit si naftë apo minerale sollën një rritje të ngathët të të ardhurave të qeverisë në tre muajt e parë të këtij viti, konfirmoi zëvendësministrja e Financave Irena Beqiraj në një konferencë për shtyp të mërkurën.

Të ardhurat e përgjithshme qenë 2.6 miliardë lekë më pak se sa plani (18.5 milionë euro). Të ardhurat nga taksat dhe tatimet qenë 6.2 miliardë lekë më pak (44 milionë euro) se sa plani por u kompensuan pjesërisht nga të ardhurat nga shitja e një licence telekomunikimi.

“Për të qenë plotësisht transparentë me ju, që në takimet e para me FMN, efekti prej 6 miliardë lekësh (që llogaritet sot vetëm nga renta minerare) është një efekt të cilin ne e kemi akontonuar në një farë mënyre dhe jemi të vetëdijshëm. Efektet e tjera mendojmë se me kalimin e kohës do të kenë mundësi të rikuperohen,” tha Beqiraj.

Shqipëria po vuan faktin që ëmimi i naftës në tregun ndërkombëtar është përgjysmuar gjatë muajve të fundit, gjë që ka sjellë ngurrim të kompanisë kryesore të nxjerrjes së naftës Bankers për të eksportuar të gjithë prodhimin. Rrjedhimisht të ardhurat e buxhetit të shtetit nga renta minerare pritet të jenë ndjeshëm më të ulëta këtë vit.

Por ky nuk është problemi i vetëm i qeverisë. Importet e taksueshme të duhanit janë në rënie, gjë që sugjeron rritje të konsumit të duhanit të pataksuar, qoftë ky përmes importeve ilegale ashtu edhe përmes rritjes së konsumit të duhanit të hapur i cili prodhohet në vend dhe konsumohet pa u taksuar.

Beqiraj tha se problemet e krijuara mund të rekuperohen pjesërisht në muajt në vijim. Gjithsesi ajo pranoi se buxheti i shtetit mund të ketë nevojë për rishikim.

“Deri në qershor do t’i qëndrojmë planit aktual, më vonë do të shikojmë nëse do të kemi mundësi për të rishikuar. Dihet tanimë që është një efekt i rentës minerare, që nuk është në dorë të qeverisë shqiptare”, tha ajo.

Qeveria shqiptare ka rritur taksat dhe tatimet për dy vjet rrjesht me shpresë se do të mbledhë më shumë të ardhura me synimin për të krijuar bazën për ndaluar rritjen e mëtejshme të borxhit publik në raport me prodhimin e brendshëm bruto. Borxhi publik është aktualisht 69 për qind e PBB-së, shifër kjo shumë e lartë, por shpresohet se do të fillojë të ulet falë kombinimit të të ardhurave më të larta të qeverisë me rritjen më të lartë ekonomike.

Qeveria ia doli gjerësisht të realizojë të ardhurat e planifikuara vitin e kaluar, por cilësia e të ardhurave të krijuara është e dyshimtë. Një pjesë e tyre u realizuan nga importet e larta të energjisë elektrike, të cilat paguhen nga qeveria. Deficiti i lartë buxhetor i vitit të kaluar, i cili qe projektuar për të furnizuar me likujditet bizneset me kontrata punësh publike, ka sjellë gjithashtu efekt në rritjen e të ardhurave buxhetore si pjesë e taksave që këto biznese paguhen. Por një rritje e tillë e të ardhurave e furnizuar në masë të gjerë nga rritja e shpenzimeve buxhetore nuk vijon përgjithmonë.

Qeveria është kritikuar për mungesën e aftësisë për të mbledhur të ardhura shtesë pavarësisht rritjeve të konsiderueshme të taksave mbi karburantin apo cigaret.

Një faktor i të ardhurave të dobëta janë rritja e pranisë së cigareve të taksuara në Kosovë, Maqedoni apo në Mal të Zi që konsumohen në Shqipëri si dhe rritja e konsumit të duhanit të hapur nga një pjesë e popullsisë shqiptare, e cila e gjen të pamundur të përballojë çmimet e rritura të cigareve të importuara. Duhani i hapur është më i lirë për shkak se prodhohet dhe tregtohet jashtë sistemit të taksimit. Shqipëria ka sot ëmime më të larta duhani në krahasim me vendet fqinje gjë që dyshohet se ka rritur kontrabandën e cigareve nga këto vende drejt Shqipërisë.

Shqipëria punësoi në vitin 2013 një kompani konsulence për taksat, Crown Agents duke i paguar 4.1 milionë euro në vit kësaj kompanie britanike nën premtimin se puna e saj do të rriste të ardhurat doganore me së paku 100 milionë euro në vit. Gjithsesi, qeveria pranoi më herët këtë vit se konsulenca nuk ka dhënë rezultatet e pritshme.

Qeveria e qendrës së majtë e kryeministrit Edi Rama është kritikuar për shkak të vendimit të tij për të punësuar militantë partie pa eksperiencë si drejtues në dogana dhe tatime.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi