Zbatimi i politikave qeverisëse kërkon konsolidimin e shtetit ligjor

Nga Klodiana Beshku, botuar në Shqip, 29 prill 2015

Jetojmë në kohë të vështira; në kohën kur efektet e kapitalizmit janë globalisht në kurbën rënëse të tyre dhe po marrin me vete tatëposhtë gjithçka që gjejnë përpara duke tentuar të çojnë në qorrsokak edhe vetë demokracinë liberale si sistem të përgjithshëm e të bashkëpranuar, favorizuar edhe nga stanjacioni ekonomik botëror. Natyrshëm që në kohët e një krize të përgjithshme ekonomike ka më shumë presion për një shtet social, për ndërhyrje të shtetit në mbrojtje të dizavantazhuarve, të të varfërve e të vetë shtresës së mesme në shoqëri. Kjo është tendenca që ka kapluar botën, që nga shtetet më të fuqishme e deri në ato më të dobëta ekonomikisht. Polarizimi dhe hendeku që po krijon kapitalizmi në nivel global po reflektohet në pakënaqësi masash në nivel kombëtar e lokal, në çdo cep të botës e gjithashtu në vendin tonë.

Por, ndërsa në shtetet e zhvilluara shinat e ndërhyrjes së shtetit në ekonomi janë të shtruara pasi së bashku me kurbën rritëse të ekonomisë e të zhvillimit të pas Luftës së Dytë Botërore u konsolidua edhe demokracia liberale e shtetit ligjor, në Shqipëri kjo nuk ka ndodhur. Kanalet e ndërhyrjes së shtetit (për shkak të përshtatjes me diskursin e përditshëm po përdor termin shtet e jo atë korrekt, pra qeveri) janë ende të dobëta, të pakonsoliduara e të rropatura nga tranzicioni i gjatë i pasviteve ’90 e nga dështimi për të konsoliduar shtetin ligjor të qeverive paraardhëse. Kështu, ndërsa në Europë (të paktën këtu mund të flitet me siguri) shteti i mirëqenies sociale i lindur në vitet ’60 erdhi si pasojë e një shteti të fortë liberal dhe i nevojës për të reduktuar masat e forta liberale të periudhës së pasluftës, në vendin tonë kjo nuk u reflektua, pasi shteti liberal e ai ligjor nuk ka ekzistuar asnjëherë pas viteve ’90, së paku jo në formën e tij derivate të demokracisë liberale, pra ashtu siç duhet të ishte në mënyrë që të pretendohej sot për një shtet socialfunksional. Në Britaninë e madhe, Francë, Gjermani e Itali pas shtetit të mirëqenies së viteve ’60 u formuan qeveri të majta apo të djathta, të cilat aplikuan masa të rrugës së tretë në vitet ’70-’80 të karakterizuara edhe nga një valë e fortë privatizimesh, për të pasur efektet e aq shumëdebatuara neoliberale të pas viteve ’90 e një rikthim te komponenti social në vitet 2000 e përsëri te pragmatizmi i rrugës së tretë pas krizës në nivel global në vitin 2008. Të gjitha këto politika, të duhura ose jo, të majta ose të djathta, liberale apo neoliberale, nuk duhet harruar që në Europë kryheshin në një sfond të qëndrueshëm, atë të shtetit ligjor e të së drejtës, një model ky i cili veç njihte konsolidim në vazhdim, për t’u vënë në diskutim vetëm së fundmi në Europën Perëndimore.

Ky model shteti liberal, i bazuar në Kontratën Sociale të Rousseau-së, në ndarjen e pushteteve të Montesquieu-s ose të “imperativit kategorik” të vetëdijes individuale të Kantit (pra të një morali universal i cili duhet të udhëheqë individin pavarësisht kushteve apo interesave specifikë të momentit në të cilat ndodhet), duke prodhuar atë formë të demokracisë liberale që sot aq shumë ia admirojmë Europës Perëndimore, është përqafuar edhe nga Shqipëria, ose të paktën aspirohet prej saj.

Në rastin e Shqipërisë, është e dukshme se sfondi i shtetit ligjor dhe i demokracisë liberale të konsoliduar ku individi të ketë të drejta e detyra të barabarta përpara ligjit, ende nuk ekziston. Në këtë kontekst, çdo përpjekje e qeverisë aktuale për të konsoliduar shtetin ligjor konsiderohet “e djathtë” e ndoshta deri diku edhe “fashiste”, duke harruar se pa këtë sfond të demokracisë liberale funksionale e të shtetit ligjor asnjë politikë e majtë në të ardhmen nuk mund të jetë e mundur ose e mundshme. Kështu, nuk mund të kemi një shtet social në rast se nuk konsolidohen ose rregullohen kanalet e shpërndarjes së ndihmës sociale (paralelisht edhe nëpërmjet rritjes së efikasitetit të pushtetit vendor), nuk mund të kemi fond për ndihmë sociale në rast se nuk paguhen taksat ose faturat nga individët, ose nuk pritet kuponi tatimor për çdo blerje në dyqan. Nuk mund të kemi eliminim të ekonomisë informale nëse nuk bëhet transparent çdo fitim apo investim nga një kompani e madhe apo nga një biznes i vogël, nëse nuk paguhen tatimet apo taksat progresive në mënyrë rigoroze nga biznesi i madh, nëse nuk bëhen transparente të ardhurat e gjithsecilit pa dallim pozicioni politik apo ekonomik, nëse nuk punësohen me rregulla të gjithë punonjësit e nuk derdhen sigurimet për ta. Vetëm duke krijuar sfondin e duhur të shtetit ligjor dhe konsoliduar demokracinë liberale do të mund të flasim për hapësira për të aplikuar politika të majta të mirëfillta në Shqipëri. Shpesh, më vjen në mendje një eksperiment social i aplikuar në Suedi në vitet ‘60 me qëllim nxitjen e pagesave individuale për projekte të përbashkëta, në rastin në fjalë për pagesat mujore nga ana e prindërve për çerdhet e fëmijëve. Kishte abuzime e vonesa individuale, deri në momentin kur u vendos që emrat e prindërve që nuk paguanin të shkruheshin në një tabelë ku të shiheshin nga të gjithë. Atëherë, çdokush u ndërgjegjësua, pasi përgjegjësia ishte dukshëm individuale dhe bëhej haptazi e qartë nominalisht. Të marrësh masa fillimisht për krijimin e një shteti ligjor nuk të bën as liberal, as neoliberal e as fashist. Të bën mjaftueshëm idealist sa për të dashur një të ardhme më të mirë në rrugën e liberal-demokracisë, të bën mjaftueshëm realist sa për të kuptuar se pa një shtet ligjor e demokraci liberale të konsoliduar nuk mund të ketë as mirëqenie e as ndërhyrje efikase nga ana e shtetit, pra si rrjedhojë as shtet social.

Nuk duhen, në këtë rast, justifikuar abuzimet gjatë procesit të konsolidimit të ndërtimit të shtetit ligjor, përkundrazi, ato duhen dënuar e u duhet vënë emër rast pas rasti, siç ndodh në eksperimentin social të lartpërmendur të shpalljes publike të rregullshkelësve. Ky besoj të ketë qenë edhe funksioni i portalit antikorrupsion të krijuar nga qeveria aktuale, pavarësisht se doza e lartë e humbjes së besimit në institucionet shqiptare, një mosbesim i trashëguar prej dekadash, ka bërë skeptikë shumë qytetarë për funksionimin e tij. Ajo që duhet është një dozë idealizmi e largpamësie politike më tepër, elementë të cilët kanë shoqëruar çdo proces rilindjeje europian. Në këtë prizëm, nuk është se duhen mbrojtur retorikat boshe neoliberale të “sakrificave”, “austeriteteve” ose “kushtëzimeve” aq të kritikuara nga e majta radikale, por se një dozë idealizmi e largpamësie është i domosdoshëm në çdo proces apo projekt politik, përkundrejt shkurtpamësisë të krijuar nga interesat vetjakë, të bazuar mbi pakënaqësi individuale ndaj mosmarrjes në këmbim të angazhimit politik një vend pune apo pozicion politik të pritur ose mbi kushtet ekonomike të vështira të trashëguara të momentit. Idealizmi dhe besimi se kushtet ishin të vështira, por ndryshimi nuk qe i pamundur, ka qenë një komponent i rëndësishëm i rilindjes franceze, italiane dhe asaj kombëtare shqiptare të shekullit XIX (jo për t’i paralelizuar këto periudha për shkak të kushteve historike të shkëlqimit të tyre, të cilat nuk janë kurrsesi të njëjta, por duke marrë thelbin e filozofisë së tyre për të ardhmen). Në mënyrë që të ketë ndryshime, duhet pikësëpari të konsolidohet shteti ligjor dhe sundimi i ligjit në Shqipëri dhe të kontribuohet për të realizuar këtë qëllim të përbashkët. Duhet të konsolidohet më parë sistemi i demokracisë liberale e hibride shqiptare, në mënyrë që ai vetë të vihet më pas në diskutim, siç ndodh në disa qarqe të ngushta intelektuale shqiptare në vazhdën e tendencës globale post-marksiste ose nga vetë liberalët, përfaqësues të së djathtës në vend. Nuk mund të vihet në diskutim një sistem i cili ende nuk është konsoliduar në formën e tij bazike në një vend të dhënë.

Për këto arsye, del e domosdoshme përfshirja e të rinjve shqiptarë në politikë dhe në sferat e tjera publike në vend, jo se ata janë më të menaxhueshëm e më të bindur siç mendohet rëndom nga disa intelektualë apo politikanë fatalistë shqiptarë, por se ata e kanë më të lehtë të besojnë në një projekt të përbashkët e në një vizion largpamës: Atë të bazuar fillimisht në konsolidimin e shtetit të së drejtës, për të pasur më pas të qëndrueshme bazën për një shteti social e të mirëqenies. Janë të rinjtë ata që ndoshta zotërojnë më natyrshëm e më lehtësisht të ashtuquajturin “imperativ kategorik” (një moral autonom e universal) përkundrejt imperativit hipotetik kantian (bindjes për shkak të detyrës).

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan