Për një qeverisje të hapur e transparente
Nga Afrim Krasniqi, botuar në Shqiptarja.com, 29 prill 2015
Në nëntor 2014 hyri në fuqi ligji i ri mbi të drejtën e informimit. I hartuar me ekspertizë dhe konsultime të gjera, ligji mori përsipër përmirësimin e praktikave të konstatuara nga ligji i vjetër dhe krijimin e një standardi të ri mbi informimin dhe transparencën publike në Shqipëri. Për herë të parë ligji vendos standarde dhe afate për programin e transparencës, – detyrimin e institucioneve publike për të bërë prezent online dhe në zyrat përkaëse, pa pagesë dhe në mënyrë të detajuar, të gjitha informacionet që lidhen me pozitën ligjore dhe shërbimet publike të institucionit.
Në listën e cështjeve me interes publik, programi i transparencës (neni 7) kërkon që institucionet të bëjnë publike falas strukturën e institucionit, organigramën e punës, rregulloret dhe bazën ligjore, të dhënat e kontaktit dhe oraret e punës së zyrtarëve drejtues, të dhëna profesionale mbi kualifikimin e drejtuesve të institucionit, të dhëna për pagën, pasurinë, mënyrën e rekrutimit të stafit, kompetencat, raportet audituese, raportet e KLSH, të dhëna mbi buxhetin dhe shpenzimet, projektet në vijim, programet afatshkurtra dhe afatgjata, të dhëna mbi prokurimet publike të kryera, të dhëna mbi palët kontraktuese dhe fituese, regjistrimin e kërkesave dhe përgjigjeve, arkivin elektronik deri edhe detyrimin që brenda 48 orëve të bëjë publike cdo vendimmarrje që lidhet me liritë, të drejtat dhe përgjegjësitë ndaj qytetarëve e publikut.
Programi i transparencës ka qenë prej vitesh një kriter standard i kushtëzuar nga BE, dhe me ligjin e ri, një risi në praktikën administrative shqiptare. Për publikun, modele të tilla programi kanë qenë gjatë privilegje të ndaluara dhe burim korrupsioni dhe abuzimesh. Ndaj vendosja e tij, me garanci ligjore monitorimi nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, përbën një prej risive e zhvillimeve më pozitive të viteve të fundit nëraport me të drejtat qytetare dhe lirinë e informimit. Për realizimin e tij përcaktohen afate, dhe data 15 mars do duhej të ishte afati primar i publikimit të programit të transparencës për cdo institucion.
Nga detyrimi ligjor kohor ka kaluar një muaj dhe tashmë, programi i informimit publik dhe programi i transparencës janë në sprovën e madhe të jetësimit të tyre. Si rëndom, konstatimi i parë është kritik, zhgënjyes dhe demotivues për konceptin dhe sjelljen e vendimmarrjes zyrtare ndaj publikut dhe ligjit. Konkretisht, një monitorim i faqes zyrtare të institucionit të Presidentit, Kuvendit, Kryeministrisë dhe të gjitha ministrive, mbi 40 institucioneve qëndrore të varësisë, dhe institucioneve të pushtetit vendor në detyrë, – në asnjë rast nuk rezulton se autoriteti publik ka përmbushur detyrimin ligjor për jetësimin e programit të transparencës.
Për ironi të fatit, edhe dikasteri kryesor që merret me ligjet (Ministria e Drejtësisë), apo ai që miraton ligje (Kuvendi), nuk kanë përmbushur as 10% të detyrimit ligjor që buron nga ky program. Rëndom në faqet zyrtare të institucioneve nuk ka të dhëna mbi pikat e kontaktit real, për strukturën dhe buxhetin, për drejtuesit dhe format e rekrutimit të tyre, për detyrimet publike përkatëse, për deklarimet e pasurisë, apo për shërbimet administrative ndaj qytetarëve. Kur kërkon në faqet e tyre zyrtare gjen pafundësisht deklarata ditore, komunikata shtypi standarde, njoftime propagandistike për aktivitete pa ndonjë dobi publike, por rrallë gjenden të dhëna që janë në interes publik, që ofrojnë transparencë dhe modele qeverisje me integritet.
Në rastet e disa institucioneve me ndikim direkt në jetën qytetare, sic janë gjykatat, zyrat e hipotekës apo shërbimeve publike, njësitë spitalore apo arsimore, deri edhe tek institucione që kanë rëndësi në hartimin e politikave dhe referimin mbi gjendjen e Shqipërisë, sic janë MPJ apo INSTAT, institucionet ekonomike apo sociale, turizmi apo rendi publik, të dhënat që ofrohen janë minimale, janë më shumë formale sesa me përmbajtje, lidhen më shumë me propagandën sesa informimin publik dhe referuar ligjit të nëntorit 2014, përbëjnë akte të dukshme në shkelje të ligjit dhe raste të dukshme penalizimi për zyrtarët titullarë përgjegjës.
Në një vend ku diferenca midis ligjit formal dhe zbatueshmërisë së tij është dhe mbetet e thellë, dhe ku kujdesi ndaj ligjit vërehet vetëm kur vijnë penalitete për moszbatimin e tij, natyrisht është e vështirë të priten ndryshme drastike. Kjo do kërkonte kulturë, etikë, integritet, seriozitet dhe profesionalizëm, – tipare që rrallë gjenden në zyrat e vendimmarrjes politike dhe administrative.
Por le të imagjinojmë se ligji i informimit të zbatohej, nëse institucionet do përmbushnin detyrimin ligjor për programin e transparencës: nëse kjo do ndodhte, do reduktoheshin radhët e gjata me miq e pagesa për të marrë shërbime që shteti me ligj ka detyrim ti japë falas, shanset e abuzimeve zyrtare do ishin më të vogla, korrupsioni në shërbimet me interes publik do ishte minimal, media e qytetarët do informoheshin përmes kompjuterit të tyre pa humbur ditë, para dhe energji në kërkim të informacioneve që ligjërisht duhet të jenë publike, administrata do fitonte më shumë besim dhe efektivitet, vendimmarrësit do ishin më transparentë dhe vetë demokracia shqiptare do bënte një hap simbolik pozitiv por me domethënie përpara.
Dicka që në vendet demokratike ka ndodhur më së afërmi rreth 3-4 dekada më parë dhe ku sot, shërbimi ndaj qytetarit dhe përgjegjësia publike janë shtylla thelbësore të sistemit dhe raportit midis shtetit dhe publikut. Kur interesi publik dhe e drejta qytetare për informim konsiderohen risk, privilegj dhe mjet abuzimi, – nuk ka më shpresë për ide politike, konkurrencë dhe as demokraci funksionale.
A mund të bëjmë dicka për të ndryshuar gjendjen? Ekzistojnë mekanizma presioni pozitiv, sic shpesh ambasadorët perëndimorë këshillojnë, – një bashkëveprim midis medias, shoqërisë civile, grupeve të interesit dhe reagimit qytetar. Le të nxisim një ose disa nga 140 deputetët në parlament, një ose disa nga 61 kryetarët e rinj të bashkive, që të bëjnë hapin e parë për debat publik në institucionet ku marrin pjesë, për jetësimin e programit të transparencës.
Duke filluar nga financimi i tyre, nga stafet mbështetëse, nga aktiviteti dhe kontakti me qytetarët, pra nga disa prej elementëve që përbëjnë bazën për jetësimin e ardhshëm të programit të plotë të transparencës. Duke mos pranuar të trajtohemi si skllevër të humorit të tyre, por si njerëz që kërkojmë zbatim të ligjit nga vetë ata që e kanë miratuar atë.
Në kontaktin e parë me ata që marrin ose duan të marrin vendime mbi ne, le tu drejtojmë pyetjen dhe kushtëzojmë dëgjesën me detyrimin e jetësimit prej tyre të programit të transparencës. jo si një privilegj, por si nevojë, si sinjal, si standard dhe si mekanizëm që ofron dritë në fundin e tunelit të shoqërive të mbyllura, si kjo e jona.
Afrim Krasniqi