Tranzicion apo drejtim i gabuar
Nga Fatos Lubonja, botuar në Panorama Online, 28 prill 2015
Janë të shumtë ata që vazhdojnë të përdorin edhe sot termin tranzicion kur flasin për rrugëtimin e Shqipërisë drejt Europës, me idenë se jemi ende në tranzicion. Disa i shtojnë epitetin “i vështirë”, por emrin ia lënë “tranzicion”.
Të tjerë pretendojnë se tranzicioni ka mbaruar. Sipas meje, ky diskurs nuk mund të ndalet deri këtu. Veçanërisht nëse kemi parasysh se ka kaluar afro një çerek shekulli qysh kur ka nisur i ashtuquajturi tranzicion dhe ndërkaq shqiptarët vazhdojnë të ikin dramatikisht nga barka e tij, duke kërkuar rrugën e tyre individuale të shpëtimit. Me fjalën tranzicion kuptohen kryesisht dy gjëra:
Së pari, figurativisht tranzicioni paraqitet si një rrugëtim apo si një lundrim nga një vend/breg për në një tjetër. Më i njohuri në sensin metaforik është rrugëtimi i hebrenjve për në tokën e premtuar, nën udhëheqjen e Moisiut. Në vitet ‘90, ky është përmendur shpesh edhe për faktin se u deshën 40 vjet që hebrenjtë të arrinin tokën e premtuar, duke qëndruar një kohë të gjatë në shkretëtirë, jo për shkak të largësisë, por sepse askush prej atyre që kishin lindur në skllavëri, nuk mund ta shkelte atë. Është përdorur ky krahasim për të thënë se edhe ne që jetuam skllavërinë komuniste, do të na duhet kohë për të arritur ato vlera themelore të demokracive perëndimore, që me një fjalë të vetme ndoshta mund të përmblidhen në “shteti i së drejtës”.
Së dyti, kur themi tranzicion, ajo që mund të diskutohet është kohëzgjatja, pra sa rrugë kemi bërë, sa na ka mbetur për të bërë, a po ecim shpejt apo kemi ngecur në shkretëtirë, është i vështirë apo i lehtë, por, ndërkaq, afrimi drejt “vendit/bregu” të shumëpritur nuk diskutohet? Tani ka ardhur koha të ngremë pyetjen: a mund të quhet vërtet tranzicion ky i yni apo më së shumti mund të quhet drejtim i gabuar, sepse, pas njëzet e pesë vjetësh rrugëtim, qëndrim në shkretëtirë, adhurim të zotave të rremë, a nuk do të duhej të dukeshin së paku konturet e “tokës së premtuar”, shtetit të së drejtës, që do të na gjallëronin e jepnin shpresë?
Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, më së pari po u referohem disa argumenteve të vetë maxhorancës që na qeveris sot. Vetë fakti që në fushatën elektorale që i solli fitoren në vitin 2013 ajo përdori termin “rilindje”, tregon se deri në atë vit, sipas saj, Shqipëria ishte e vdekur. Dhe një i vdekur minimumi nuk lëviz. Por, duke qenë se nuk mund të mohohet se një lëvizje ka ndodhur, a nuk është më e drejtë të themi se kemi ecur në një drejtim të gabuar, që nuk na ka afruar drejt qëllimit? Më duket se ka shumë tregues të kësaj, duke filluar që nga politikat ekonomike të dështuara që kanë sjellë një shkatërrim katastrofik të burimeve natyrore dhe njerëzore e të territorit dhe deri te politikat e arsimimit, që kanë sjellë një nivel arsimimi shumë më të ulët se në fillim të të ashtuquajturit tranzicion. Po fakti i mbushjes së Parlamentit dhe i segmenteve të shtetit me kriminelë, trafikantë droge e prostitutash, aventurierë e mashtrues që, sikur të kishim ecur në drejtimin e shtetit të së drejtës, me kohë do të duhej të kishin qenë në burg, për çfarë flet? E, pra, në fillim të viteve nëntëdhjetë në Parlament kishim atë që mund të quhej elita intelektuale e vendit, e cila, me gjithë defektet e trashëguara nga komunizmi, as që imagjinohej se në rrugën drejt shtetit të së drejtës do të zëvendësohej me njerëz të krimit të organizuar. Tërhoqi vëmendjen së fundi një shkrim i deputetit të maxhorancës Ben Blushi, i cili ecjen dyvjeçare të Rilindjes e quajti si një procesion funeral. Sipas meje, kjo që po përjetojmë, nuk është funerali i një maxhorance që sapo ka ardhur në pushtet, por funerali i shpresës që lindi në dhjetor të ‘90-s u sëmur shpejt dhe që ka qenë gjatë gjithë këtij çerek shekulli e sëmurë, ndërkohë që fjala tranzicion është përdorur për ta mbajtur atë gjallë. Kjo Rilindje erdhi me gjoja premtimin e një terapie të re, por mënyra se si po sillet dhe po qeveris jo vetëm i ngjan si dy pika uji asaj të paraardhësve, për sa i përket ruajtjes së një sistemi të kapur nga krimi, të korruptuar, klientelar dhe jodemokratik, ku shumica e njerëzve punon për një grusht mashtruesish dhe abuzuesish me shtetin, por, në disa aspekte, duket se e ka thelluar këtë prirje. Kjo e ka vrarë shpresën përfundimisht dhe ne po asistojmë në funeralin e saj. Karvani i funeralit të shpresës së fundi po shfaqet si një karvan refugjatësh që ikin jashtë shtetit.
Që përgjegjësit e këtij rrugëtimi në drejtim të gabuar janë timonierët kapitenë të anijes, partitë politike dhe elitat që i kanë mbështetur ato, kjo nuk do diskutim. Pyetja që ngrihet është: ç’duhet bërë për të ndërruar drejtim?
Personalisht, gjatë fushatës elektorale të vitit 2013 kam mbështetur ardhjen e kësaj maxhorance në pushtet jo pse më ngjallte shpresë. Ishte naive të shpresoje se njeriu që u vu në krye të sistemit kriminal, që shkatërroi Tiranën në mënyrë të pakthyeshme, do të transformonte për mirë Shqipërinë, duke u vënë në krye të këtij sistemi në nivel kombëtar. E kam mbështetur rotacionin, duke hedhur idenë se PS duhet të vijë në pushtet që të na shkurtojë kohën e zhgënjimit dhe ndarjes me krejt këtë klasë politike. Sepse, po të qëndronte Berisha edhe 4 vjet të tjerë, njerëzit do të vazhdonin të shpresonin tek ardhja e rilindësve për të ndryshuar gjendjen, kurse kështu do të bindeshin se zgjidhja, shpëtimi duhen kërkuar përtej kësaj klase politike, te një lëvizje që ose do t’u marrë pushtetin këtyre partive, ose do t’i detyrojë të transformohen radikalisht. Dalja në zgjedhjet lokale të këtij viti e disa kandidatëve të pavarur antisistem është fillimi i artikulimit politikisht të kësaj vetëdijeje. Është vetëm një fillim që duket ende shumë i brishtë përpara sistemit që ka zaptuar gjithçka, por kush kërkon vërtet fillimin e një tranzcioni të vërtetë drejt shtetit të së drejtës, duhet t’i hedhë sytë e të veprojë për nga këto zgjidhje.