Demokracia kundër zhvillimit?

Nga Harold James, sipas Reporter.al, 27 prill 2015

11150501_474035012749228_4158910618519229045_n-600x400

Është e mundur që të dilet nga problemet financiare të shteteve dhe të ecet drejt zhvillimit të qëndrueshëm pa sakrifikuar demokracinë? Shtetet autoritare po bëjnë demokracitë të mendohen...

Statuja e mermertë e filozofit të lashtë grek Sokrati, qëndron përpara Akademisë së Athinës teksa një flamur grek valvitet, e premte 24 prill 2015. Ministri grek i financës u kritikua të premten nga kolegët e tij të eurozonës pasi dështoi në reformat ekonomike që duhen për të shmangur falimentin e shtetit.

Pafuqia aktuale e Europës ka rindezur debatin e vjetër se cila formë e qeverisjes sjell performancë më të mirë ekonomike. Janë regjimet autoritare, me aftësinë e tyre për të imponuar zgjedhje jopopullore, më efektive për të gjeneruar zhvillim? Apo demokracia liberale, me themelin në kontrollet dhe balancat, i hap rrugën mirëqenies materiale më të madhe?

Është një diskutim në të cilin prova mbështetëse duket se është lëkundur nga njëra anë në tjetrën në dekadat e fundit. Në vitet 1980, performanca ekonomike në Kili, nën diktaturën e gjeneralit Augusto Pinoçeti dhe në Singapor, nën Lee Kuan Yew më dashamirës por jo më pak autoritar, ishte impresionuese. Ndërkohë, shtetet demokratike të botës së industrializuar luftuan kundër recesionit dhe stanjacionit.

Në Europë, kjo i dha jetë termit “Eurosklerozë”. Demokracitë, sipas shkencëtarëve politikë, ishin të pambrojtura ndaj interesave speciale të zhvillim-frenimit. Regjimet autoritare – të paktën ato që nuk janë angazhuar në shkatërrimin e vendeve të tyre – mund të jenë në pozicion më të mirë për të imponuar politika që sigurojnë sukses ekonomik afatgjatë.

Kjo pikëpamje u shkërmoq me rënien e murit të Berlinit. Rënia e Komunizmit dhe heqja dorë nga planifikimi qendror në Europën Lindore i dha jetë një vije të re mendimi, teksa një numër i madh votuesish treguan se ata ishin gati të pranojnë sakrifica të përkohshme nëse lidheshin me një program reformimi realist dhe jo të korruptuar. Në Amerikën Latine, politikanët e krahut të majtë përqafuan parimet e tregut si mënyra më e mirë për të plotësuar aspiratat e zgjedhësve të tyre dhe rritja vazhdoi. Për pjesën më të madhe të viteve ’90, demokracitë duket se mbizotëronin.

Por lufta e tërheqjes së litarëve vazhdon. Që nga fillimi i këtij shekulli, rritja ekonomike e mbingarkuar e Kinës edhe një herë duket se nënvijëzoi përfitimet e autoritarizmit. Suksesi i Partisë Komuniste Kineze në përballimin me lehtësi të tronditjes së krizës ekonomike globale ka tërhequr vëmendjen e të tjerëve që do të ndiqnin shembullin e saj. Liderë si Vladimir Putini i Rusisë, Erdogani i Turqisë, el-Sisi i Egjiptit dhe Orban i Hungarisë pretendojnë se çmimi i qëndrueshmërisë dhe rritjes ekonomike mund të jetë ndonjëherë pezullimi i demokracisë.

Kriza e euros në dukje e pafund ka bërë që disa liderë europianë t’i japin besueshmëri kësaj pikëpamje. Në fillim të krizës, Jean-Claude Juncker, tani President i Komisionit Europian, citohet të ketë thënë, “Ne të gjithë e dimë çfarë të bëjmë, ne thjesht nuk e dimë si të rizgjidhemi pasi ta kemi bërë”. Në maj 2010 liderët europianë vendosën se nuk mund ta zbatonin reformën në Greqi vetëm dhe thirrën në lojë Fondin Monetar Ndërkombëtar më pak si burim financiar dhe më tepër si mekanizëm disiplinimi. Së fundmi, ministri gjerman i financës Wolfgang Schäuble shkaktoi polemika kur, dukshëm duke marrë frymëzim nga kjo eksperiencë, tha se “Franca do të ishte e lumtur nëse dikush mund ta detyronte parlamentin të bënte reforma”.

E vërteta, sigurisht, është se sistemet autoritare – pavarësisht sukseseve afatshkurtra në kundërshtimin e politikave të papërgjegjshme – janë të paqëndrueshme në aspekt afatgjatë. Një mungesë e llogaridhënies pashmangshmërisht nxit korrupsionin dhe mungesën e eficencës – probleme me të cilat Kina tani po përballet.

Sfida për demokracitë është të zhvillojnë mekanizma që i lejojnë atyre të vendosin politika që janë të qëndrueshme në aspekt afatgjatë ndërsa ruajnë vetë procesin demokratik. Konsensusi publik në mbështetje të reformave të vështira në Europën Lindore në vitet 1990 tregon se votuesit janë në gjendje të kuptojnë dhe pranojnë kompromise kur nuk ka alternativë tjetër. (Po ashtu, kriza në Greqi tregon se votuesit do të refuzojnë sakrificat nëse mendojnë se ka rrugë tjetër).

Debati parlamentar është një mënyrë efektive për të vendosur prioritete afatgjata; por politikanët duhet të sigurohen që vendimet e marra të kryhen pa e tepruar apo u tërhequr prapa. Në konkluzion të Depresionit të madh, për shembull, pati një konsensus të përhapur në Shtetet e Bashkuara se ndërhyrja e tepërt e Kongresit ishte përgjegjëse për një rritje shkatërrimtare në barrierat e importit nën Tarifën Smoot-Hawley. Politika e tregtisë, u vendos, ishte më mirë t’i delegohej presidentit, një zyrë e izoluar më mirë nga presionet elektorale.

Ngjashmërisht, debati europian mbi kornizat e duhura fiskale mund të jetë më i përshtatshëm të bëhet nga një referendum, duke pasuar debatin publik në një strategji afatgjatë dhe të qëndrueshme. Por zbatimi i vendimit do të ishte më i besuar nga shtetet anëtare.

Qoftë në nivel europian apo në shtetet anëtare individuale, autoriteti për sigurimin e rritjes ekonomike afatgjatë duhet të delegohet saktë dhe qartë te agjencitë që e marrin legjitimitetin nga procesi demokratik, ndërsa mbrohen nga tekat e tregut. Alternativa e qëndrueshme ndaj vendimmarrjes demokratike nuk është autoritarizmi; është zbatimi i mekanizmave që sigurojnë se diskutimi logjik nuk pengohet nga reagimi gjaknxehtë për një krizë të menjëhershme.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi