“Shqipëria, regjim hibrid! Politika është informale”

Nga fjala e Elez Biberaj, Konferenca e Tranzicionit, UET, 24 prill 2015

elez-biberaj-1024x683

Demokracia shqiptare në 25 vite, në optikën e Dr. Elez Biberajt, drejtor i Drejtorisë së Euroazisë pranë “Zërit të Amerikës”. Sipas tij ka disa faktorë që vazhdojnë ta pengojnë demokratizimin e Shqipërisë dhe të parin në radhë ai përmend faktin se shumë politikanë, pjesë e regjimit të vjetër, vazhduan të ishin ndikues edhe pas rënies së komunizmit

Rënia e regjimit komunist nuk solli më tej atë demokraci për të cilën u ëndërrua dhe luftua, dhe sot pas 25 vitesh Shqipëria gjendet në një status-quo të një regjimi hibrid politik, gjysmë demokratik, ku politika është informale dhe personale. Demokratizimi nuk ka ritme, duke çuar në një gjendje politike të sëmurë dhe në një përparim me hope të zhvillimit demokratik. Këto karakteristika vuri në dukje gjatë një analize të ftohtë dhe kritikuese ndaj klasës politike, gazetari i “Zërit të Amerikës”, Elez Biberaj. Biberaj, i cili ka ndjekur dhe ka raportuar zhvillimet e viteve ’90 në Shqipëri, është aktualisht drejtor për Euroazinë pranë “Zërit të Amerikës”. Në fjalën e tij mbajtur gjatë konferencës ndërkombëtare në kuadër të Ditëve të Studimeve Shqiptare, me temë tranzicionin shqiptar, organizuar nga UET, Biberaj tha se Shqipëria është rasti i kalimit nga regjimi komunist në një regjim hibrid, duke e krahasuar me vendet e tjera post-komuniste të Europës Lindore dhe Qendrore. Sipas Biberajt, Shqipëria e ka kapërcyer tashmë fazën e tranzicionit dhe që tani që është anëtar i NATO-s dhe kandidat për në BE nuk mund të klasifikohet si “vend në tranzicion” ose si vend “paskomunist”.

“Shqipëria është pjesë e një kategorie vendesh ish-komuniste, si Armenia, Bosnja, Gjeorgjia dhe Mali i Zi, që kanë deficite demokratike dhe mund të klasifikohen si “regjime hibride”. Megjithëse “regjimet hibride” qëndrojnë më lart në treguesit e demokracisë sesa regjimet “autoritare,” të tilla si Rusia apo republikat e tjera ish-sovjetike, ato karakterizohen nga struktura politike gjysmë-demokratike; nga zgjedhje që jo gjithmonë përputhen plotësisht me standardet ndërkombëtare për votimet e lira, transparente dhe të besueshme; nga mosmarrëveshje të zgjatura pas-zgjedhore; nga mungesa e sundimit të ligjit; nga një sistem qeverisjeje ku tri degët e pushtetit, ekzekutivi, legjislativi dhe gjyqësori nuk funksionojnë si duhet; nga korrupsioni i përhapur; nga një shoqëri e dobët civile dhe nga qeveri, që në masë të madhe nuk janë të përgjegjshme ndaj qytetarëve. Ritmi i ngadaltë i demokratizimit të Shqipërisë ka qenë pasojë faktorësh të lidhur me njëri-tjetrin, që shkojnë përtej natyrës totalitare të regjimit të Hoxhës dhe mungesës së një tradite demokratike. Ata përfshijnë një mori elementësh politikë, shoqërorë dhe ekonomikë. Këto pengesa, së bashku me dështimin e përgjithshëm të elitave politike për të thelluar institucionet demokratike, për të siguruar një qeverisje të efektshme dhe për të sjellë rritje më të madhe ekonomike, kanë rënduar ndjeshëm mbi demokracinë shqiptare”, – tha ndër të tjera Biberaj.

Faktorët që pengojnë demokratizimin

Biberaj tha më tej se ka disa faktorë që vazhdojnë ta pengojnë demokratizimin e Shqipërisë dhe të parin në radhë ai përmendi faktin se shumë politikanë, pjesë e regjimit të vjetër, vazhduan të ishin ndikues edhe pas rënies së komunizmit. Sipas tij, këto elita vazhduan të qeverisnin me mendësinë e vjetër.

Biberaj e përkufizoi si më poshtë klasën politike në këto 25 vite:“Vazhdimësia në pushtet e elitës së vjetër ka ndikuar negativisht në përparimin demokratik të vendit. Shumë njerëz në poste drejtuese kanë qenë pjesë e nomenklaturës komuniste, që bënë një kalim të butë në sistemin paskomunist. Këto elita në përgjithësi nuk shfaqën pikëpamje demokratike për natyrën e politikës. Ata e treguan veten si politikanë të dobët me prirjen për të mos e vlerësuar si duhet kompromisin në qeverisjen demokratike. Ndërsa premtonin se do t’u përmbaheshin idealeve demokratike, me të ardhur në pushtet udhëheqësit politikë bënin përpjekje për të kontrolluar të gjitha levat e pushtetit, për të imponuar kontroll mbi median e biznesin dhe për të përçarë e izoluar kundërshtarët e brendshëm si dhe opozitën. Elitat në Shqipëri kanë treguar prirjen e shkatërrimit të kundërshtarit, shpesh duke përdorur një retorikë tepër konfrontuese, akuzuese, populiste dhe arrogante. Pak prej udhëheqësve të lartë mund të shihen si model për pjesën tjetër të shoqërisë. Politika shqiptare mbetet e bllokuar dhe thellësisht jofunksionale. Në thelb, ajo ka degjeneruar në një luftë për pushtet midis dy partive më të mëdha politike të vendit, ndonëse ato nuk ofrojnë më alternativa të dallueshme nga njëra-tjetra. Ndryshimet kushtetuese dhe të Kodit Zgjedhor në vitet 2008-2009 sollën përqendrimin e pushtetit te krerët e partive, duke çuar në një degradim të rëndësishëm të demokracisë brenda partive. Udhëheqësit e partive kontrollojnë dhe përcaktojnë listën e kandidatëve, çka u dëshmua edhe në procesin e tanishëm të përzgjedhjes së kandidatëve për zgjedhjet vendore të qershorit. Ata reklamojnë ose instalojnë në pozita të larta njerëz personalisht besnikë ndaj tyre. Anëtarët e Parlamentit mbështesin fort pozitat e udhëheqësve të tyre dhe në të gjithë spektrin rrallë shikon politikanë që të marrin qëndrime të pavarura. Korrupsioni ka depërtuar në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe të shoqërisë. Pasuria dhe qasja ndaj pushtetit janë përqendruar në duart e një grupi të vogël, ndërsa pjesë të konsiderueshme të popullsisë ende jetojnë në varfëri. Kjo gjendje ka krijuar pakënaqësi të gjerë dhe është politikisht destabilizuese. Ekziston perceptimi i përhapur se të gjithë janë të korruptuar. Ky sigurisht është një thjeshtëzim i tepruar, por shpesh perceptimet mund të jenë po aq të rëndësishme sa realiteti. Shkelja e ligjit si dukuri e përhapur është bërë pengesë mjaft serioze për qeverisjen e mirë dhe për një shpërndarje të drejtë të burimeve të vendit. Vetë institucionet që kanë rëndësi të dorës së parë për të luftuar korrupsionin dhe për të mbrojtur sundimin e ligjit – zyrtarët qeveritarë dhe politikanët, parlamenti, partitë politike, gjykatat, gjyqtarët, prokurorët dhe policia – e kanë minuar luftën kundër korrupsionit.”

Në fund të fjalës së tij, shqiptaro-amerikani Biberaj shtroi pyetjen se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Sipas tij, në të ardhmen e afërt, shanset për një ndryshim të shpejtë dhe të madh politik duken të vogla. “Duket qartë, dhe këtë e them me dhimbje, se elitat e tanishme nuk kanë gjasa ta ndryshojnë me themel stilin e qeverisjes dhe mënyrën sesi e trajtojnë njëri-tjetrin. Ato janë ngurosur në qëndrimet e tyre dhe politika në Shqipëri mbetet tepër informale dhe personale. Ritmi i demokratizimit përgjithësisht e ka humbur vrullin, duke çuar në një gjendje politike të sëmurë dhe në një përparim me hope të zhvillimit demokratik. Ndërsa në fazën fillestare ekzistonte vullneti politik dhe oreksi për reforma radikale, tani duket se ka një mungesë vullneti për të kaluar në një nivel më të lartë të reformave të thella. Nuk ka shenja se udhëheqësit shqiptarë janë duke kërkuar rrugë për të hequr dorë nga marrëdhëniet mbi bazë përçmimi midis koalicionit qeverisës dhe opozitës, për t’u angazhuar në një debat gjithëpërfshirës dhe për të arritur një konsensus kombëtar në çështjet kryesore, që do ta bënte më të lehtë realizimin e ndryshimeve politike të rëndësishme, thellimin e demokracisë dhe përmirësimin e qeverisjes.”

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi