KE mbështetje buxhetore nga 2 miliardë lekë në vit deri më 2018
Sipas Monitor, 24 prill 2015
Duke nisur nga ky vit deri më 2018, Komisioni Europian do të japë mbështetje direkte buxhetore nga 2 miliardë lekë në vit, sipas të dhënave nga Ministria e Financave të inkuadruara në Kuadrin Makroekonomik (2015-2018).
Për herë të parë këtë vit Komisioni Europian shton mbështetjen buxhetore krahas, institucioneve të tjera financiare ndërkombëtare, si FMN dhe Banka Botërore.
Mbështetja buxhetorë është shndërruar në një zë të rëndësishëm për arkën e shtetit qysh prej vitit të kaluar, kur institucionet ndërkombëtare e “shpërblyen” qeverinë me fonde në këmbim të një politikë të shtrënguar fiskale.
Në vitin 2014 mbështetja buxhetore ishte 8,5 miliardë lekë, ose sa dyfishi i shumës që jepej në vitet 2011 dhe 2012.
Në vitin 2018 mbështetja buxhetore pritet të dyfishohet krahasuar me vitin 2014, duke arritur në 14 miliardë lekë.
Me 100 milionë euro në vit ky zë ka marrë rol të rëndësishëm në ta ardhurat buxhetore duke kompensuar kështu edhe dobësitë e tatimeve dhe doganave për realizimin e planeve vjetore.
Qeveria aktuale po e merr këtë mbështetje në bazë të programeve me FMN dhe BB, kundrejt reformave strukturore dhe atyre fiskale që synojnë uljen e borxhit publike në nivelet e 64% në fund më 2018.