Statistikat fiskale 2015, por me analizë

Nga Aurela Gjokutaj, botuar në Shqiptarja.com, 23 prill 2015

Vonesa në publikimin e statistikave fiskale, të cilat tregojnë për punën e Doganave dhe Tatimeve në mbledhjen e të ardhurave në Buxhetin e Shtetit, por dhe për suksesin e paketës fiskale, që miratoi Ministria e Financave në fund të 2014-ës, ka ndezur debate në Komisionin e Ekonomisë të Kuvendit. Deputetët e opozitës akuzojnë qeverinë se po fsheh treguesit për shkak të rënies së performancës në dy institucionet kryesore, nga të cilat financohet Buxheti i Shtetit.

Shkëndijën për këtë debat ia ka dhënë raporti që prezantoi në Komisionin e Ekonomisë drejtori i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, Toni Goga. Rritja e kursimeve në banka ka qënë afro 20 miliardë lekë në 2014-ën, fakt, i cili nga opozita është komentuar si një shtysë drejt kursimit të bizneseve dhe individëve, për shkak të pasigurive që ka ekonomia. Një tjetër fakt për ekonominë shqiptare është se mbi gjysma e parave që shqiptarët kanë në banka është e përqendruar në dorën e vetëm 4% të popullsisë.

Por, faktet fiskale dhe treguesit e financave e analizojnë ndryshe këtë realitet.
Megjithëse treguesit fiskalë për 2-mujorin 2015 rezultojnë me një mosrealizim të lehtë prej 44 milionë lekësh, nëse flitet për tendencën e arkëtimeve, ajo që marsi i çdo viti tregon, është konkluzioni për çdo tremujor të vitit.

Përvoja botërore ka shumë shembuj, se struktura e tatimit progresiv, e mbështetur në mundësinë e pagimit të tatimeve në masë të tillë, që nuk prek stabilitetin financiar, të krijuar nga të ardhurat mujore prej pagës dhe të ardhurave personale në tërësi, ka treguar që, nëse arrin të administrohet, justifikon qëllimin e politikës.

Progresiviteti, si një model modern, merr aq pjesë të tatimit, sa mban bilanci i tatimpaguesit, pa kërkuar të ndërhyjë në vendimarrjen individuale, familjare apo biznesore. Vendosja e niveleve të taksimit progresiv është në tentativë të vazhdueshme që të mbajë të barabarta mundësitë ekonomike.

Tatimi progresiv po krijon kushtet gjithnjë e më shumë për barazinë sociale, të prishur nga pak e përvit në 20 vitet e fundit. Raporti më i fundit nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave pasqyroi faktin që vetëm 4% e depozituesve zotërojnë 60% të depozitave të siguruara. Nga ky tregues shihet se koncentrimi i depozitave bankare ka rritje në raport me 2012-ën, kur vetëm 5% e tyre përfshinin 58% të totalit të depozitave bankare të siguruara. Por, ndikimi nuk vjen nga taksat. Depozitimi bankar është një rritje e vlerave të individëve të pasur, ende jo mirë të ngarkuar me taksa.

Ata mbeten sfida ende e pashfrytëzuar nga administrimi fiskal, edhe pse politika e shprehu vullnetin e vet. Ky taksim nuk ka hyrë ende në eficiencën e plotë sipas parimit “kush fiton më shumë paguan më shumë”.

Por, çfare po ndodh me të ardhurat fiskale?
Së pari, investimet e huaja dhe ato me kapital vendas kanë filluar të jenë në sektorët prodhues dhe jo në shërbime, si në vitet e kaluara, kur investimet e huaja, në masën mbi 42% të tyre, i përkisnin sektorit të shërbimeve, pa përfshirë transportin në këtë zë. Nga ky fakt, dihet se investimi në prodhim nuk jep produktin e tij menjëherë, madje ai kërkon që qeveria ta ndihmojë edhe me rimbursim të vlerave në vitet e para, deri sa të bëhet gati për të rimarrë mbrapsht vlerën e investuar.

Por, ndërkohë, vlerat e kontributeve, të cilat vijnë nga shtimi i vlerës së fuqisë punëtore në treg kanë treguar një rritje me mbi 16% në vitin 2014 krahasuar me vitin paaradhës dhe mbi 10% në tremujorin e parë 2015 krahasuar me periudhën e një viti më parë.

Ndërkaq, vlera e deklaruar e tatimit mbi fitimin, prej më shumë se 8.9 miliardë lekësh si tremujor i parë 2015, tregon se muaji mars 2015 ka arritur të çojë në Buxhet 6.89 miliardë lekë apo mbi 2.9 miliardë lekë më shumë se muaji mars 2014 dhe akoma më shumë se muajt mars të viteve më parë.

E gjithë kjo tregon, jo vetëm efektin e rritjes së normës së tatim fitimit me 50% më shumë se viti 2013, e cila, në rastin më të mirë, sjell si efekt 1.5 miliardë lekë më shumë. Një rritje e kthimit të kapitaleve të shoqërive të medha, si dhe një rritje e vullnetarizmit në këtë tatim, tregojnë se tejkalimi i këtij zëri nuk i ka bërë shqiptarët dhe të huajt të investojnë më pak, por të hedhin më shumë kapitale për të patur një kthim të tij të shpejtë.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi