Samiti për Ballkanin në Bruksel, organizuar nga Komisioni Europian
Bruksel, 21 prill 2015
Kryeministri Edi Rama merr pjesë në Samitin për Ballkanin që zhvillohet në Bruksel, organizuar nga Komisioni Europian. Ndërkohë sot Rama ka patur një mëngjes pune me Kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa dhe vendëskryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm Hashim Thaçi. Në këtë takim është diskutuar për projektet e përbashkëta mes dy vendeve dhe projektet nga të cilat Shqipëria dhe Kosova do të përfitojnë si rezultat i procesit të nisur në Berlin nën udhëheqjen e Kancelares Merkel.
Kryeministri Rama është takuar edhe me Kryeministrin e Malit të Zi Gjukanovic me të cilin ka diskutuar rreth projektit të autostradës Adriatiko Joniane, projekt që lidh Shqipërinë me Malin e Zi dhe Greqinë. Dy Kryeministrat diskutuan edhe mbi projekte te përbashkëta në fushën e turizmit, sidomos në zonën e liqenit të Shkodrës dhe lumit Buna.
Kryeministri i Shqipërisë është takuar edhe me Komisioneren për Politikën e Jashtme Mogherini, me të cilën ka diskutuar të ardhmen europiane të vendit tonë si edhe punën e qeverisë shqiptare dhe reformat e ndërmarra për të përmbushur 5 prioritetet që e afrojnë Shqipërinë edhe më shume me Bashkimin Europian.
Rama u takua sot edhe me Kryeministrin serb Aleksandër Vuçiç. Biseda mes dy Kryeministrave u përqendrua në projektet e përbashkëta të vendeve të Ballkanit perëndimor, të cilat do të paraqiten në takimin e sotëm mes drejtuesve të këtyre vendeve dhe zyrtarëve të lartë të Bashkimit Europian. Projektet më konkrete për të cilat dy Kryeministrat dhanë mbështetjen e tyre të plotë ishin autostrada Nish-Prishtinë-Durrës, hekurudha që do të lidhë Beogradin me Budapestin dhe autostrada Adriatiko Joniane që lidh Shqipërinë me Malin e Zi dhe Kroacinë në veri dhe Greqinë në jug të vendit tonë. Kryeministri Rama theksoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë janë tejet të rëndësishme për stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik e social të Ballkanit dhe Europës në tërësi. “Serbia dhe Shqipëria duhet të shohin përpara”, – theksoi Rama, “duke bërë sëbashku për Ballkanin atë që Gjermania dhe Franca bënë pas luftës së dytë botërore për Europën. Është e rëndësishme të kuptojmë të gjithë se Ballkani ka nevojë për Bashkimin Europian po aq sa BE ka nevojë për Ballkanin”.
Kryeministri Vuçiç shprehu mbështetjen e qeverisë serbe për projektet në fjalë dhe theksoi se “Bashkimi Europian duhet të kuptojë dhe mbështesë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe mbështetja projekteve në fjalë do të nxisin ekonominë e të dy vendeve”. Kryeministri serb konfirmoi vizitën e tij në Shqipëri në fund të muajit maj ku do të marrë pjesë në konferencën e SECP që do të zhvillohet në Tiranë.
Kryeministri i vendit Edi Rama është takuar sot në Bruksel edhe me komisionerin europian për Politika Europiane të Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Johannes Hahn. Hahn ka deklaruar gjatë takimit se marrëdhëniet me qeverinë e Shqipërisë janë të mira dhe se nuk ka shqetësime lidhur me të. Kreu i qeverisë shqiptare është shprehur “mirënjohës për komisionerin Hahn”, ndërsa fjalët e tij i quajti një shpresë të dhënë për vendin e tij “Po na jep shpresa. Realizojmë projekte për paqen në rajon”.
Nga Deklarata e Përbashkët e Samitit
Deklarata e përbashkët përfundimtare përmend “përmirësim të bashkëpunimit rajonal dhe stabilitetit ekonomik, si mjet të përbashkët për arritjen e standardeve europiane dhe përmbushjen e kritereve për anëtarësim në BE”.
“Projektet gazsjellëse duhet të reflektojnë interesin e projekteve të komunitetit energjetik, që ka rëndësi për agjendën ndërlidhëse”, nënvizon qëndrimi i përbashkët dhe 6 vendet e rajonit angazhojnë “komitetet kombëtare të investimit” për prioritetet në këtë kuadër.
Ndërkohë që do të rishqyrtohet përfshirja e hekurudhës për “Korridorin 8”, siç shpjeguan të dy komisionerët kur u pyetën nga Top Channel mbi këtë çështje, por dhe mbi mënyrën e vendosjes së kufijve të Kosovës në hartën e projekteve të përbashkëta rajonale.
“Nëse do të lindë nevoja për të ngjyrosur korridoret e ndryshme në një hartë europiane, siç mund të jetë rasti, ne do të ndjekim procedurën e deritanishme për Kosovën, siç është vepruar përgjatë këtyre viteve, në pritje të marrjes së vendimit mbi këtë çështje në Bashkimin Europian”, tha Johannes Hahn, Komisioner i BE-së për Fqinjësinë europiane dhe Negociatat e zgjerimit.
“Ne do të japim mbështetje teknike për këtë korridor (8) dhe do të shqyrtojmë planet dhe financimet rreth tij. Më pas, në bazë të rezultateve, që do t’i shohim në takimin e 10-shes, do mund ta përfshijmë atë gjithashtu në rrjetin qëndror të ndërlidhjes”, tha Violeta Bulc, Komisionere e BE-së për Transportin.
Aeroporti i Tiranës dhe Porti i Durrësit luajnë rol kyç për ndërlidhjen qëndrore rajonale. Në projektet e përzgjedhura për investime, Shqipëria përfshihet në “Korridorin 8”, me rrugën Durrës-Elbasan, që lidhet më pas me Tetovën e Shkupin deri në kufi me Bullgarinë, si dhe me dy rrugë të “Korridorit 10”, Lezhë-Prishtinë-Nish dhe Podgoricë-Durrës-Fier-Tepelenë-Qafë Botë.
Por vendi përfiton dhe për hekurudhën lidhëse me Malin e Zi në këtë korridor, (Tiranë/Durrës-Podgoricë). Komisioni Europian angazhohet për 130 milionë euro për këtë vit dhe 1 miliard euro në tërësi për Ballkanin, vetëm nga fondet e para-anëtarësimit (IPA 2014-2020). Rezultatet konkrete mbi projektet specifike pritet të qartësohen në samitin e Vjenës, që mbahet më 27 Gusht.