Kur flet Victoria Nuland për Shqipërinë…

Sipas Mapo Online, 21 prill 2015

article1013.w_l

“Nuland është shumë e drejtpërdrejtë. Është e mprehtë, e këndshme në bisedë, por mund të bëhet jodiplomatike- këto veti janë të rrezikshme për një diplomat. Diplomatja amerikane vlerësohet si konservatore. Në rast të fitores së zgjedhjeve nga republikanët vitin e ardhshëm, ajo mund të bëhet ministre e Jashtme. Është e martuar me Robert Kagan, një mendimtar konservator. Vitin e shkuar ai publikoi një tekst të debatueshëm se pse Amerika duhet të jetë fuqia e padiskutueshme kryesore në botë”.

Kështu shkruante para pak ditësh revista më e madhe europiane, Spiegel, për Victoria Nuland, Ndihmës Sekretare për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit.

Para pak orësh, Nuland ishte në krah të ministrit të Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, në një nga vizitat më të rëndësishme të ndonjë politikani shqiptar në Uashington.

Edhe pse online ka pasur dhe ka akoma spekulime se përse nuk ka një vizitë të kryeministrit Edi Rama në kryeqendrën amerikane, sërish marrëveshja e nënshkruar në Uashington është e një rëndësie të veçantë.

Bëhet fjalë për Partneritetin Strategjik SHBA- Shqipëri.

Përpara se të nënshkruhej marrëveshja, Nuland e quajti këtë një ditë të madhe.

Nuland, e cila njihet si një kritike e fortë e politikave të sigurisë së BE, e famshme për shprehjen “Fuck EU”, deklaroi: “Shqipëria po udhëheq Europën në dinamizëm ekonomik me një rritje prej 3.4 përqind të GDP-së që prej vitit 2008. E njoh kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm dhe e di që ata duan të shohin më shumë. Ne po punojnë së bashku për shkëmbimet tregtare dhe investimet”.

“SHBA është në krah të Shqipërisë, duke e ndihmuar për të reformuar gjyqësorin dhe prokurorinë, duke bashkëpunuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”

“Ne po përpiqemi që të ndërtojmë Shqipërinë si një urë në tregun e energjisë në Europë- veçanërisht për gazsjellësin Trans-Adriatik,” thotë Nuland dhe këtu ndalon pak.

Ajo njihet si një ‘luftëtare’ për të shkëputur Europën nga varësia e gazit rus.

Asnjë vend nuk e tërheq atë si Rusia. Ajo e dashuron këtë vend, ka thënë dikur. Flet rusisht rrjedshëm.

Si një nga kujtimet më të rëndësishme të karrierës, përshkruan një ditë të gushtit 1991, kur së bashku me 250 mijë njerëz dolën përpara Kremlinit për t’i dhënë jo kundër- revolucionit.

Për këtë arsye, Nuland thotë se në qendër të luftës së saj janë forcat e errëta të ish- Perandorisë Ruse.

Më tej, në krah të Bushatit, ajo shton: “Lidhjet tona shkojnë edhe tek njerëzit dhe familjet. Shqiptaro- amerikanët kanë lënë shenja në shkencën dhe kulturën amerikane që nga Ferid Murati, fituesi i çmimit Nobel në mjekësi e deri tek Vëllezërit Bluz, John Belushi”.

“Siç thotë një shprehje shqiptare, “një mik i mirë njihet në kohë të vështira”. Shqipëria ka qenë një mik për SHBA në kohë të vështirë dhe të mira”, thekson ajo.

“Ajo është një dhuratë nga perëndia dhe një hipotekë për Obamën,” shkruante Spiegel.

Dhe ta mendosh që është edhe një aset për republikanët.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi