Prioritetet gjermane dhe mitet e eurozonës

Nga Volfgang Shojble, ministër gjerman i financave, botuar bota.al, 19 prill 2015

c4b83c1b5613f955a759e226cbab038e_700x550

 

Takimet vjetore pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore filluan të premten në Uashington. Unë po i ndjek me vëmendje zhvillimet, ndonëse diskutimi në vitet e fundit është dukur, për disa komentatorë, pak si shumë i bukur për të provokuar shumë diskutime apo menduar jashtë zonave të zakonshme të rehatisë.

Fakti që zjarret e menjëhershme të krizës globale financiare janë shuar tashmë në pjesën më të madhe të botës, ka kontribuar ndoshta në këtë vetëkënaqësi. Megjithatë mjerisht, ekonomia botërore nuk është ende jashtë rrezikut. Ajo ende përballet me sfida shumë konkrete. Ne kemi më shumë se kurrë nevojë për një mirëkuptim të përbashkët, mbi atë që duhet bërë.

Kriza financiare shpërtheu 7 vjet më parë, dhe bëri që shumë vende të zhyteshin në një krizë ekonomike dhe borxhesh të mëdha. Një grup i përhapur mitesh – se përgjigjja evropiane ndaj krizës ka qenë në rastin më të mirë e paefektshme, ose edhe kundërproduktive – është thjesht i pasaktë. Ka dëshmi të forta, se Evropa është me të vërtetë në rrugën e duhur në trajtimin e ndikimit, dhe më e rëndësishmja, shkaqeve të krizës. Më lejoni të analizoj disa prej këtyre miteve.

Së pari, është thënë shpesh se insistimi gjerman, mbi masat shtrënguese fiskale, do të thotë se Gjermania, ekonomia më e madhe në Bashkimin Evropian, ka “grushtuar poshtë brezit të lejuar” – dhe në këtë mënyrë e shtyu Eurozonën drejt një krize më të thellë – duke mos stimuluar më shumë kërkesën. Ky mit i shmanget thelbit. Si në mjekësi, për të përshkruar trajtimin e duhur, është thelbësore të kesh diagnozën e saktë.

Diagnoza ime mbi krizën në Evropë është se ajo ishte para së gjithash një krizë e besimit, e rrënjosur tek të metat strukturore. Investitorët filluan të kuptojnë se vendet anëtare të eurozonës nuk ishin as ekonomikisht konkurruese, apo financiarisht të besueshme, sikurse kishin sugjeruar në pamje të parë rendimentet uniforme të bonove të viteve para krizës.

Këta investitorë filluan t’i trajtojnë bonot e vendeve të caktuara me shumë më tepër kujdes, duke bërë që normat e interesit për këto letra me vlerë të rriten. Kura ka për synim ndërmarrjen e reformave për të rindërtuar besimin – tek financat e shteteve anëtare, në ekonomitë e tyre dhe arkitekturën e Bashkimit Evropian. Thjesht shpenzimi i më shumë parave publike nuk do të funksionojë si truk – dhe as që mund të ndodhë tani.

Për këtë qëllim, Gjermania ka mbrojtur vazhdimisht një qasje të reformave strukturore dhe reduktimin e borxhit publik, pa mbytur rritjen ekonomike. Këto nuk janë “masa shtrënguese” të verbra. Bëhet fjalë për vendosjen e një kuadri të besueshëm për aktivitetin e sektorit privat, duke përgatitur shoqëritë e plakura për të ardhmen dhe përmirësimin e cilësisë së buxheteve publike.

Në Gjermani, kjo qasje ka dëshmuar një sukses të prekshëm: rimëkëmbja ekonomike që nga viti 2009 ka qenë me bazë të gjerë, me kërkesën e brendshme si nxitësin kryesor të rritjes. Investimet, si në sektorin publik dhe atë privat, janë në rritje. Ne po përshpejtojmë reduktimin e borxhit, në përputhje me rekomandimin e kohëve të fundit të FMN-së për “stabilizimin simetrik” (duke reduktuar defiçitet në kohë të mira, për t’i kompensuar defiçitet në kohë të këqija).

Më e rëndësishmja, shumë vende evropiane po korrin shpërblimet e përpjekjeve për reforma dhe konsolidim. Vende si Irlanda dhe Spanja, të cilat ndërmorrën reforma të mëdha kur u goditën nga vështirësitë financiare disa vite më parë, tani mburren me normat më të larta të rritjes në Evropë. Një mit i dytë, është pretendimi absurd nga disa komentatorë se Gjermania – duke qenë një komb kreditor, është në fakt duke përfituar nga kriza.

Unë nuk shoh sesi çdo vend anëtar mund të përfitojnë nga një krizë evropiane. Është e vërtetë, se qeveria gjermane tanimë gëzon kosto historikisht të ulëta të huamarrjes. Por kështu bëjnë pothuajse të gjithë anëtarët e tjerë të eurozonës. Politikat jokonvencionale monetare të ndjekura nga Banka e Qendrore Evropiane duket se e kanë përmbushur detyrën e tyre. Normat e ulëta të interesit ndihmojnë të gjithë huamarrësit – por nga ana tjetër ato shkaktojnë shpenzime në rritje për ata që kursejnë, si dhe fondet e pensioneve.

Ne duhet të punojmë shumë për të kapërcyer këtë situatë të jashtëzakonshme e për të rigjetur rrugën tonë në ekonominë e tregut që funksionon mirë, dhe ku normat e interesit shërbejnë për të shpërndarë kursimet me investimet më fitimprurëse. Kjo na çon tek çështja ime e tretë: Për shumë komentues me emër, përgjigja ndaj krizës në Evropë ka qenë likuiditeti gjithnjë më i madh dhe normat gjithnjë e më të ulëta të interesit. Tani që i kemi të dyja, zbuluam se këto politika nuk janë zgjidhja, përkundrazi, krijojnë problemet e tyre.

Gjithnjë e më shumë ekspertë në të dy anët e Atlantikut paralajmërojnë flluska të rrezikshme tek çmimet e aseteve dhe rreziqe ndaj stabilitetit financiar, nga rritja e sistemit të levave (financimi, përmes borxhit). Dhe është e qartë se barra e borxhit në shumë vende s’mund të zgjidhet me anë të stimujve përmes marrjes së borxheve të mëtejshme.

Në aspektin fiskal, ne duhet të përgatisim buxhetet e qeverisë, ndaj një normalizimi të mundshëm të politikës monetare dhe tregjeve të kapitalit. Debati i vazhdueshëm mbi “rënien” në Shtetet e Bashkuara – fundi i periudhës së jashtëzakonshme të “lehtësimit sasior” nga Rezerva Federale, për të stimuluar rritjen ekonomike, duke blerë sasi të mëdha të obligacioneve – tregon sesa e vështirë është të heqësh dorë nga një stimul, njëherë që qeveritë dhe tregjet mësohen me të.

Banka Qëndrore Evropiane ka paralajmëruar shumë herë se politika monetare, nuk mund të zëvendësojë reformat fiskale dhe strukturore në vendet anëtare. Shefja e FMN-së, Kristin Lagard, ka bërë ndërkaq thirrje për reforma të mëtejshme strukturore. Reforma të tilla përfshijnë, për shembull, tregjet më fleksibël të punës; uljen e pengesave për konkurrencë në shërbime; mbledhjen e sa më shumë taksave; dhe masa të tjera të ngjashme.

Unë e ndaj plotësisht këtë qëndrim. Politika monetare mundet vetëm të blejë kohë. Detyra jonë është të sigurojmë që këtë herë politika është përdorur për të vendosur rregull tek financat, në mënyrë që edhe ekonomitë të vihen në rrugën e qëndrueshme të rritjes. Prioritetet për Gjermaninë, si drejtuesja aktuale e G7-ës, janë modernizimi dhe përmirësimet rregullatore. Stimujt – si në politikën fiskale, ashtu edhe atë monetare – nuk janë pjesë e planit. Kur kolegët e mi, ministra të financave dhe guvernatorë të bankave qendrore të vendeve të G-7, të mblidhen në Dresden, në fund të muajit të ardhshëm, do të kemi një mundësi shumë të mirë, për të diskutuar në detaje këto çështje, duke mbledhur bashkë – për herë të parë në historinë e G-7-ës – disa prej ekonomistëve kryesorë në botë. Unë jam i bindur se mund të arrijmë një bazë të përbashkët në Uashington, përpara atij takimi. /NYT – Bota.al

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi