Problemet me deklaratat e politikanëve

Nga Augustin Palokaj, botuar në Mapo Online, 16 prill 2015

augustinpalokajNuk mund të ketë deklarata të qarta nga ata që nuk kanë qëndrime të qarta. Kjo vlen në politikë më shumë sesa në temat e tjera. E kur është fjala për rajonin e Ballkanit, kjo thënie është edhe më e vlefshme. Në diskursin publik politik ka shumë raste kur politikanët thonë gjëra të paqarta, sepse nuk kanë guxim të kenë qëndrim të qartë apo thjesht e bëjnë një gjë të tillë qëllimisht për të lënë mundësi që ndryshe të kuptohet ajo që thonë.

Duke e pasur parasysh se në Ballkan liderët janë mësuar se, përpos votave të popullit, ardhja dhe mbetja e tyre në pushtet, ushtrimi i papenguar i pushtetit, pos nga votat e qytetarëve varet edhe nga mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare, ata nuk duan të prishen as me njërën e as me tjetrën anë. Sa herë që thonë diçka që tingëllon bukur në veshin e qytetarëve, bëjnë përpjekje që kjo të mos tingëllojë keq as në veshët e atyre që në Kosovë quhen “ndërkombëtarë”. Kjo ka bërë që shpesh në vendin e tyre politikanët të paraqiten si patriotë dhe nacionalistë, ndërsa kur dalin në Europë bëhen menjëherë kozmopolitë.

Këto ditë në opinionin e rajonit, sidomos në atë shqiptar dhe serb, debatohet shumë për një thënie të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhënë në një intervistë në ‘Klan Kosova’ rreth bashkimit të mundshëm të shqiptarëve, përmes BE-së apo ndryshe. Thënë të drejtën, ato deklarata të Ramës nuk kanë lënë as përafërsisht përshtypje në Bruksel sa mendohet në rajon. Në Bruksel vetëm thonë se “jemi mësuar me politikanë të Ballkanit dhe ata i gjykojmë në bazë të asaj që bëjnë e jo të asaj që thonë”. Nëse Rama ka menduar që me këto deklarata t’i dërgojë porosi dikujt në Bruksel, Berlin, Londër, Paris a Vjenë, që të përshpejtohet procesi i integrimit të Shqipërisë dhe Kosovës në BE, atëherë ia ka huqur.

Ajo deklaratë nuk do të shpejtojë as heqjen e vizave për kosovarët e as për dhënien e një date për nisjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Në Bruksel nuk kalojnë më porositë se, nëse ju nuk na doni, ne do të bëjmë këtë apo atë. Rama dhe Thaçi do të donin që këto deklarata nga shqiptarët të kuptoheshin si një platformë politike për bashkimin kombëtar, ndërsa partnerët ndërkombëtarë ta kuptojnë se Kosova dhe Shqipëria do të jetë të bashkuara në BE aq sa edhe Holanda dhe Belgjika. Por nëse shikohen realisht gjasat për zgjerimin e BE-së në të ardhmen, Shqipëria do të bashkohet më shpejt me Greqinë dhe Malin e Zi sesa me Kosovën.

Me deklaratat e Ramës në Bruksel në fakt nuk është marrë askush. Nuk ka pasur as reagim të BE-së. Ajo që ka thënë zëdhënësja e përfaqësueses së lartë të BE-së, Maja Kocijançiç, rreth deklaratës së Ramës nuk ka qenë reagim. Ka qenë vetëm një përgjigje e përgjithësuar në një pyetje të gazetarit nga Serbia. Dhe ajo deklaratë ka qenë aq e paqartë, saqë nuk mund të quhet as reagim, e sidomos jo dënim i deklaratës së Ramës. Në fakt, as Rama nuk e kishte dhënë “idenë” e tij si deklaratë, por thjesht si përgjigje të një pyetjeje në një intervistë.

Ja si ishte përgjigjur në emër të BE-së zëdhënësja:

“Pas verifikimit të asaj që ka thënë kryeministri Rama në intervistë, ne nënvizojmë se Ballkani Perëndimor ka një perspektivë të qartë evropiane, të vendosur nga BE-ja në nivelin më të lartë politik. Të gjithë partnerët në rajon e kanë konfirmuar përkushtimin e tyre ndaj këtij qëllimi dhe ambiciet e tyre për të plotësuar kriteret e nevojshme, në respektim të plotë të parimeve dhe standardeve evropiane. Ata janë duke avancuar me shpejtësinë e tyre, në këtë rrugë dhe ne presim që ata të vazhdojnë përpjekjet e domosdoshme për progresin e mëtejmë. Përkushtimi përfshin edhe bashkëpunimin rajonal, ripajtimin dhe fqinjësinë e mirë; çfarëdo deklarate provokuese në këtë kontekst nuk është e pranueshme”.

Kjo është përgjigjja e zëdhënëses së Mogherinit e formuluar nga burokratët në Bruksel, të cilën secili mund ta kuptojë si duhet, por nuk duhet të shkaktojë kurrfarë shqetësimi të Ramës sikurse as ajo që ka thënë Rama nuk duhet të shkaktojë as shqetësim të dikujt e as entuziazëm të shqiptarëve. Në Bruksel vetëm thonë se “jemi mësuar me politikanë të Ballkanit dhe ata i gjykojmë në bazë të asaj që bëjnë e jo asaj që thonë”.

Në Bruksel kanë heshtur sa herë që kryeministri i Kosovës, Thaçi, ka dhënë interpretime të marrëveshjeve me Serbinë, të cilat janë krejtësisht të kundërta me ato që ka bërë Beogradi. “Le të thonë çfarë të duan për opinionin e tyre nëse atyre u hyn në punë. Nëse kjo u ndihmon atyre ne nuk kemi asgjë kundër”, ka qenë gjithmonë qëndrimi i BE-së. Në BE nuk preferojnë të prononcohen fare dhe nuk u pëlqen as kur gazetarët bëjnë pyetje, sepse atëherë duhet të thonë diçka. Dhe kur thonë atëherë e thurin në mënyrë aq burokratike, saqë është vështirë të kuptohet. Sikur të mos pyesnin gazetarët shumë rrallë nga Brukseli do të dëgjohej këto ditë ndonjë prononcim i ndonjë shteti të rajonit të Ballkanit. BE-ja ka shumë probleme të veta, ndërsa vendet e rajonit janë shumë larg nga anëtarësimi në BE.

Nuk janë vetëm politikanët e rajonit ata të cilët duan që fjalët e tyre të kuptohen ndryshe nga populli dhe ndryshe nga bashkësia ndërkombëtare. Edhe politikanët e BE-së preferojnë që deklaratat e tyre të mos kuptohen njësoj.

Ja një shembull tjetër i mirë për këtë. Kur ishte në Prishtinë përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogherini, prapë duke u përgjigjur në një pyetje, iu referua, siç duket rastësisht, Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, duke thënë se “dialogu është mes dy shteteve sovrane dhe të pavarura”. Kjo na gëzoi shumë dhe u raportua nga të gjitha mediat. Edhe unë personalisht doja të besoja se kjo është një kthesë në qëndrimet e BE-së ndaj Kosovës.

Por sapo shkoi në Beograd ajo, nëse është për t’iu besuar burimeve të BE-së, “sqaroi se çfarë ka thënë dhe çfarë ka menduar”, ndërsa sipas burimeve serbe ajo madje i ka kërkuar falje Serbisë për këtë deklaratë. Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, ka thënë se “Mogherini ka kërkuar falje dhe ka sqaruar se ka menduar në dy palë e jo dy shtete”. Kur pyetëm në Bruksel se “a është e vërtetë thënia e ministrit Daçiç se Mogherini ka kërkuar falje për deklaratën në të cilën i është referuar Kosovës si shtet sovran?” kemi marrë me shkrim këtë përgjigje: “Çështja është sqaruar. Nuk ka nevojë për kërkim falje”.

E tash kuptojeni si të doni. Beogradi le ta kuptojë se ajo nuk ka menduar dhe nuk ka dashur të thotë se Kosova është shtet, ndërsa Kosova dhe shqiptarët ta kuptojnë se ajo ka thënë qartë se Kosova është shtet sovran. Dhe e tërë sjellja e BE-së me votë është e tillë, e shumëkuptimtë. I tërë roli i BE-së në dialog është që të jetë neutral ndaj statusit dhe të tilla janë edhe të gjitha marrëveshjet e Kosovës me Bashkimin Europian. Le të mendojnë kosovarët se BE-ja i trajton si shtet dhe le të mendojë Serbia se Kosova nuk është shtet.

Ajo që në BE nuk do të donin të ndodhte është që për dështimet e tyre liderët e Ballkanit të fajësojnë qëndrimet e BE-së. Edi Rama mund të bëhet më kritik ndaj BE-së edhe për shkak se po e kupton se, së paku këtë vit, nuk mund të presë ndonjë datë për nisjen e negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në BE. Në anën tjetër edhe ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, mund të zemërohet për faktin se as sivjet nuk do të realizohen premtimet e tij për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, siç nuk janë realizuar as në shumë vjet që kanë kaluar e për të cilat ai kishte garantuar se një gjë e tillë do të ndodhte.

Dhe mund ta fajësojnë Brukselin dhe BE-në për mosrealizimin e këtyre aspiratave, por nuk do arrijnë asgjë, sepse në këtë proces ndaj shqiptarëve, as ndaj Shqipërisë e as ndaj Kosovës, nuk do të ketë lëshime. Shqipëria duhet të japë edhe më shumë dëshmi për luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për funksionimin e duhur të shtetit, nëse dëshiron të nisë negociatat e anëtarësimit. Kosova duhet të përmbushë edhe disa kushte nëse dëshiron që në BE të rritet gatishmëria për heqjen e vizave, gatishmëri e cila për momentin nuk ekziston. Rama nuk do të kërkojë që, për shkak të solidaritetit me vëllezërit kosovarë, BE-ja t’ua kthejë vizat shtetasve të Shqipërisë. Shqipëria mund të ndihmojë më së shumti Kosovën në sigurimin e liberalizimit të vizave nëse ndikon që të zvogëlohet numri i atyre që kërkojnë azil në shtetet e BE-së dhe vijnë nga Shqipëria, nëse ndihmon autoritetet e Kosovës me këshilla se si të përmbushin kriteret.

Deklaratat e Ramës dhe të Thaçit do të shkaktonin probleme në raportet e Brukselit me ta sikur ata në takime zyrtare të thoshin se do të veprojnë në kundërshtim me parimet e BE-së dhe me zotimet për mosndryshimin e kufijve. Prandaj edhe nuk shqetësohen për këto thënie sikur nuk shqetësohen as për atë që thonë në Beograd, Sarajevë e Banjallukë, Shkup e Tetovë. Janë mësuar me sjellje të tilla. E realiteti i Kosovës në këtë moment është se Serbia ka rol shumë të më madh në jetën politike të Kosovës sesa Shqipëria, dhe këtë falë rezultateve të dialogut nën ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, dialog që me entuziazëm e bën Qeveria e Kosovës dhe e mbështet fuqishëm ajo e Shqipërisë, sepse e mbështesin edhe BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi