Kur je qytetar, je i dobët!
Nga Arian Galdini, botuar në Panorama Online, 13 prill 2015
Kur Sokrati qëndronte para turmës prej 500 vetash që ishin mbledhur për t’i bërë gjyqin, erdhi një moment e u tha: “Edhe sikur 500 Sokratë të ishit ju tani, qetë 500 do më kishit dënuar, sepse jeni turmë. E turma është si qen i tërbuar…”
A nuk ndodh kështu çdo ditë në këtë vendin tonë kaq shumë të turmëzuar?
Ti bën një jetë të ndershme, synon dhe përpiqesh për të arritur gjërat që ti do me ndershmëri, zotësi e korrektësi, por kjo të bën të dobët e, si rrjedhojë, të pakuptueshëm. Ti je transparent, i hapur, i sinqertë, por kjo të bën të dobët e, si rrjedhojë, të pakuptueshëm. Ti i shpall qëllimet e ambiciet e tua, madje shpall edhe rrugën që ke zgjedhur e dëlirësinë e aspiratave që ke, por kjo të bën të dobët e, si rrjedhojë, të pakuptueshëm. Ti refuzon implikimin, ndonëse nuk i shmangesh të drejtës sate për t’u ngjitur lart me ndershmëri, zotësi e korrektesë, por kjo të bën të dobët e, si rrjedhojë, të pakuptueshëm. Ti, bazuar në përvojën, dijet, dijenitë dhe botëkuptimin tënd, përpiqesh të thuash e veprosh të vërtetat, me synim ndriçimin e mendjeve në shoqërinë dhe vendin tënd, por kjo të bën të dobët e, si rrjedhojë, të pakuptueshëm. Ti je besnik i ideve, besimit, parimeve, vlerave e qëllimeve të tua të mbara, e bën gjithçka mundesh që ta dëshmosh këtë besnikëri, madje edhe përballesh me ata që tjetërsojnë apo cenojnë idealet e parimet, vlerat e besimet, por kjo të bën të dobët e, si rrjedhojë, të pakuptueshëm.
Ti përballesh me sistemin, refuzon implikimin, refuzon kompromisin me karakterin, dinjitetin, idetë, parimet, besimin dhe vlerat që ti mbart, por kjo të bën të dobët e, si rrjedhojë, të pakuptueshëm. Ti në përballje e sipër me sistemin pëson izolim, bllokim, pengesa, shpifnaja, baltosje, por kjo të bën të dobët e, si rrjedhojë, të pakuptueshëm. Ti tregohesh strategjik dhe përpiqesh të mbrohesh për të minimizuar goditjet e sistemit, e sidomos për të ruajtur të paprekura kapacitetet e tua rritëse dhe vepruese, por kjo të bën të dobët e, si rrjedhojë, të pakuptueshëm. Ti lëviz strategjikisht brenda rrathëve e strukturave të sistemit, në mënyrë që të jesh i mençur, por edhe i ndershëm në sprovën tënde për t’ia dalë mbanë, por kjo të bën të dobët e, si rrjedhojë, të pakuptueshëm. Ti thua haptazi se nuk bën kompromise që dëmtojnë parimet, vlerat, besimin dhe qëllimet e tua të mbara, e ia del mbanë të luash mençurisht dhe denjësisht me lojtarë e struktura brenda sistemit e pa u implikuar asnjë grimë, në asnjë ligësi e të keqe, por kjo të bën të dobët e, si rrjedhojë, të pakuptueshëm. Ti je i kthjellët dhe i sinqertë kur thua se e ke pasion rritjen dhe mbërritjen në lartësitë më të epërme sipas meritës, por që ti do t’ia mbërrish më ndershmëri, zotësi e korrektesë, por kjo të bën të dobët e, si rrjedhojë, të pakuptueshëm. Ti reflekton e pranon të ndryshmen, ti pranon edhe dështimin e rënien, ti je i vetëdijshëm se mençuria nuk është mëkat, ndaj e përdor atë për t’u ringritur e për të qëndruar në këmbë, i pranishëm, i zëshëm, por kjo të bën të dobët e, si rrjedhojë, të pakuptueshëm. Ti nuk vjedh, nuk mashtron, nuk shet shpirtin për të arritur qëllimet e ambiciet e tua, por kjo të bën të dobët e, si rrjedhojë, të pakuptueshëm. Ti ua dëshmon të gjithëve se e ke mundësinë po të duash që të bësh gjithfarë kompromisi kokulës për t’u ngjitur lart, dhe e refuzon, por kjo të bën të dobët e, si rrjedhojë, të pakuptueshëm. Ti ua dëshmon të gjithëve se e ke hapjen dhe njohjet në nivelet më të larta, dhe aftësitë i ke të plota e ndoshta ca më shumë, megjithatë ti nuk i shfrytëzon këto njohje e hapje, as aftësitë e tua, për ngjitje nëpërmjet kompromisit kokulës, por kjo të bën të dobët e, si rrjedhojë, të pakuptueshëm.
Ti je i suksesshëm në bashkëpunimet e tua politike me ata individë dhe ato struktura politike që ti përzgjedh të bashkëpunosh pa u implikuar, veçse ti hyn e del kur të duash ti, duke e ruajtur të paprekur lirinë, dinjitetin, integritetin dhe pastërtinë tënde, por kjo të bën të dobët e, si rrjedhojë, të pakuptueshëm. Ti nuk synon e as kërkon karrierë e as pushtet nga bashkëpunimet që ti përzgjedh të kryesh, ti kërkon vetëm mundësinë për shpalosje të vlerave e aftësive të tua, sepse ti je në mendim e synim afatgjatë, por kjo të bën të dobët e, si rrjedhojë, të pakuptueshëm. Ti nuk ke asnjë ndihmë e as mbështetje nga askush për t’u bërë ky që je bërë, madje je i tëri i vëtëbërë dhe plotësisht i lirë, por kjo të bën të dobët e, si rrjedhojë, të pakuptueshëm. Ti shkruan e vepron publikisht dhe strategjikisht me mençuri si gjarpri dhe sinqeritet e pastërti si pëllumbi, në funksion të ambicieve e qëllimeve të tua afatgjata e sidomos në funksion të mbrojtjes, shpalosjes dhe konfirmimit të ideve, parimeve, besimit, vlerave e qëllimeve të tua të panegociueshme, por kjo të bën të dobët e, si rrjedhojë, të pakuptueshëm. Ti je njerëzor e shpesh mund të gabosh ne gjykime e përzgjedhje, vlerësime e veprime, ndonëse asnjë gabim yti nuk ndodh për shkaqe e qëllime të këqija, e asnjë gabim yti nuk është ndjellakeq apo dëmshkaktues ndaj të tjerëve, por kjo të bën të dobët e, si rrjedhojë, të pakuptueshëm. Ti e di që meriton më shumë, ti e di që vlen shumë, e ndoshta shumë më tepër edhe se ata që janë lart e ndoshta kanë në dorë të vendosin për ty, e ti ke durimin që të presësh ndërsa vepron si i tillë në pritje e ngucje të kohës sate, por kjo të bën të dobët e, si rrjedhojë, të pakuptueshëm. E ne shqiptarët, atë çka e konsiderojmë të dobët dhe të pakuptueshme, e asgjësojmë, zhbëjmë, shpërfillim, tallim, nëpërkëmbim. Ne çuditërisht na pëlqen i fuqishmi, sepse, siç duket, vetëm fuqinë kuptojmë. Nuk ka rëndësi se ajo fuqi na është marrë e vjedhur neve, e gjithashtu nuk ka pikë rëndësie nëse kjo fuqi që na është përpirë padrejtësisht neve, përdoret barbarisht kundër nesh. Neve na pëlqen fuqia dhe kuptojmë veç fuqinë. Respektojmë “zotninë e nderuar” që është i zoti sepse di të na vjedhë, di të na mashtrojë e di të na sundojë. Ndërsa qytetarin e ndershëm dhe të talentuar, të sinqertë dhe ligjnderues, parimor dhe vlerëmbartës, të zotë dhe tjetërdashës, ne e masakrojmë, e kryqëzojmë…
Turma asnjëherë nuk zgjedh Jezuin. Turma gjithmonë zgjedh Barabain. Qytetarit të dobët i turremi me hakërrime, sharje, përbuzje, pritshmëri, zhgënjime, urrejtje, ndëshkim. Harrojmë se ky qytetar nuk është i dobët si qenie e as si fuqi, por është i dobët për shkak të zgjedhjeve të vështira e të forta që bëjnë veç ata që kanë karakter e cilësi të vyera. Harrojmë se pikërisht ky qytetar i dobët, për shkak të zgjedhjeve që bën me ndërgjegje të mbarë, është fuqia e të gjithëve ne, e të gjithë shoqërisë shqiptare. Nëse vërtet duam një vend të fortë e të zhvilluar, të drejtë e solidar, të bukur dhe europian, atëherë na duhet të gjithëve të ndryshojmë kahjen e rreshtimit. Duke u rreshtuar në krah të të fortëve, humbasim të gjithë. Por duke u bërë shoqëri inkurajuese, që u jep vlerë e krahë qytetarëve të dobët, atëherë fitojmë të gjithë, fiton e tashmja dhe e ardhmja e vendit tonë. Jetojmë në një botë e jemi krijesa të një Zoti, që na e ka lënë zgjedhjen të lirë.