Portreti i një kryetari bashkie
Nga Teuta Nunaj, botuar në Shekulli Online, 12 prill 2015
Afrimi i mbylljes së afatit ligjor për regjistrimin e kandidatëve për kryetar bashkie rriti edhe më shumë vëmendjen e opinionit publik tek emrat që do të shpallen. Kjo ndodh se modeli që vijon të ofrohet nga forcat politike ngrihet mbi bazë individi dhe jo platforme apo programi, duke i bërë këto zgjedhje të mirëfillta partiake, ndërkohë që duhet të ndodhte krejtësisht e kundërta. Në sistemin e votës kemi dy palë zgjedhje, ku lokalet dallojnë nga qendroret për një fakt shumë të rëndësishëm, që janë zgjedhje të një karakteri administrativ, më shumë se politik. Kaq duhet të mjaftojë për të zbatuar një proces depolitizimi të nevojshëm për këto zgjedhje. Qytetarët kanë nevojë më shumë për një administrator publik për njësinë e re administrative, se për një politikan të mirëfilltë karriere. Por ç’do të thotë kjo?
Në këto 25 vite pluralizëm, kemi patur dy raste kur kryetarët e dy partive kanë qenë njëkohësisht edhe kryetar bashkie, gjë e cila ka sjellë në mënyrë automatike kalimin në plan të dytë të detyrës së administratorit të kryeqytetit, pasi detyra e kryetarit të partisë prevaloi mbi atë të kryetarit të bashkisë. Kjo duhet të na shërbejë si një model dhe përvojë, që dëmtoi qytetin dhe qytetarin, ndaj nuk duhet të përsëritet më. Elementi më i rëndësishëm që duhet të vlerësohet në zgjedhjet lokale duhet të jetë programi i kandidatit. Por, që ky program të ndërtohet mbi baza reale dhe pa butaforitë tipike të fushatave elektorale, është e nevojshme që kandidati të ketë njohuri të thella të problemeve, burimeve dhe kapaciteteve të njësisë, ku ai synon të zgjidhet për ta drejtuar, mbi bazën e të cilave hartohet strategjia që do zbatohet dhe plani i veprimit.
Por, kjo punë kërkon profesionalizëm dhe kryerja e saj do të ofronte një standard të ri, por të duhurin për përmirësimin e sistemit ekzistues. Ne të gjithë e dimë që qytetet tona kanë nevojë për më shumë parqe, shkolla, rrugë të asfaltuara, rregull dhe pastërti. Por, nëse një kandidat deklaron se do t’i realizojë këto nevoja për qytetin, nuk mjafton. Që të bëhet i besueshëm, ai duhet të përcaktojë objektiva të prekshëm e të realizueshëm në programin e tij, kohën kur do të kryhen dhe burimet financiare me të cilat do të realizohen synimet e vëna, të cilat do e ndihmonin kandidatin të jetë sa më pranë realitetit dhe po aq larg premtimeve boshe, duke ndikuar drejtpërdrejti te qytetarët në zvogëlimin e zhgënjimit të tyre. Në këtë mënyrë, ai do të ofrojë bindjen te qytetari se është i duhuri dhe moralisht do të ketë të drejtën t’i kërkojë atij votën.
Zbatimi i reformës së re territoriale është një sfidë më vetë për insitucionet dhe kjo për shumë arsye: ndodh për herë të parë në vendin tonë; ka një shtrirje shumë të madhe gjeografike pasi është rritur territori i administrimit; ofron një sistem të ri menaxhimi në qeverisjen vendore, që shoqërohet me rritje të përgjegjësisë vendimmarrëse; kemi rritjen e buxhetit dhe numrit të banorëve që ndodhen brenda njësisë administrative dhe të gjitha këto kërkojnë një profesionist të përgjegjshëm dhe të aftë, që të ketë demostruar edhe më parë dijen dhe aftësinë për menaxhimin dhe zgjidhjen e problemeve të shumë njerëzve. Ndaj, nëse do të na duhet të ndërtojmë portretin sesi duhet të jetë një bashkiak i suksesshëm, lind nevoja të paraqiten si të domosdoshme disa tipare, karakteristika apo kushte që kandidati duhet të ketë. Ky portret ndahet në dy vija të përgjithshme: së pari si qenie dhe së dyti si profesionis.
Çdo kandidat për kryetar bashkie duhet të jetë një individ, që të ketë dëshmuar gjatë aktivitetit të tij publik: integritet, dashuri për qytetin, mbështetje të kauzave të tij, mbrojtje të interesit të qytetarëve, të ketë një moshë të caktuar, ku pjekuria dhe formimi arsimor t’i mundësojë nivelin e një përgjegjshmërie biologjike, intelektuale dhe profesionale. Si profesionist, duhet të jetë i përgjigjshëm, të ketë kryer një nivel studimi për menaxhim apo administrim publik dhe të ketë patur përvojë pune drejtuese në administratën publike. Shqipëria nuk ka më hapësira për eksperimente. Koha kërkon profesionistë; qytetarët duan mundësi të denja zgjedhje; vendi ka nevojë për kandidatë që të ofrojnë alternativa konkurruese me zgjidhje të drejta e të sakta të problemeve të tyre; njësitë e reja administrative kanë domosdoshmëri për administratorë publikë të përgatitur, të cilët do të paguhen me taksat tona, pikërisht për të mbrojtur dhe mbështetur interesat e qytetarëve. Vetëm në këtë rast do të kemi zbatim të një demokracie funksionale dhe në dobi të qytetarit në rradhë e parë e partisë në një plan të dytë. Shoqëria shqiptare tashmë është pjekur dhe rritur mjaftueshëm, duke shfaqur gjithnjë e më shumë kërkesa për një standard të ri demokracie, qeverisje dhe jetese në vendin e vet. Partitë politike duhet të ngrenë një identikit të portretit të kandidatit ku kriteret e vëna duhet të jenë në dobi të qytetarit, pasi dhe kontratën ky administrator i ri do t’i duhet ta lidhi pikërisht me qytetarin. Le ta lëmë politikën që ta bëjnë këshillat bashkiakë, anëtarët e të cilëve do të jenë përfaqësuesit direkt të politikës.