Pronësia, “pengmarrja” e ekonomisë
Sipas Monitor, 9 prill 2015
Pronësia në Shqipëri nuk është një histori e gjatë,por ka aq shumë çudira sa “ngopin” shumë breza. Është një histori e mbushur me ironi të hidhur, e dhimbshme dhe që vijon të prodhojë më shumë humbje se sa përfitim.
Jemi i vetmi vend postkomunist në Europë që ende nuk e kemi zgjidhur në themele çështjen, ndonëse ka kaluar më shumë se çerekshekulli. Padija e viteve të para mund të jetë një shpjegim, por ajo nuk peshon shumë. Duke e vlerësuar si një burim të fuqizimit ekonomik dhe politik, që prodhon më pas një status të lartë shoqëror, prona dikur e përbashkët, ra lehtësisht pre e grupeve, me akses në pushtetin politik. Për pasojë, u prodhuan ligje e rregulla përjashtimore, që herë shmangin një shtresë e herë një tjetër.
Sot, në Shqipëri, për rregullimin e titujve të pronësisë, ka rreth 16 ligje dhe akte të tjera nënligjore. Por ato, në disa raste, janë kundërshtuese, evazive, dhe ofrojnë vetëm zgjidhje momentale. Ndaj edhe aty ku ndonjëherë shfaqen vullnetet politike, orientimi i institucioneve është bërë i pamundur dhe për pasojë, edhe pronësia është e paqartë, por lehtësisht e manipulueshme dhe e zotërueshme nga zaptuesit.
Kjo mënyrë ecjeje ka shfaqur një panoramë groteske të tregut të pronës. Kudo në Shqipëri lexon tabela: Shitet toka me pronarë të vjetër, tokë me pronarë të rinj, tokë me dokumente të reja, tokë me hipotekë të vjetër, tokë e zënë, tokë e pazënë, tokë pronari dhe tokë ish-pronari….Duket sikur ke ngecur në rrugë ku e vetmja tabelë orientuese të detyron të ecësh në të gjitha drejtimet, dhe që të gjitha kundërvajtje.
Efekti i kësaj rrëmuje është bërë i dukshëm dhe mjaft i matshëm. Për shkak të paqartësive të pronës, vendi ka ngelur pa studime afatgjatë zhvillimi urbanistik, duke cenuar edhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik. Kemi parë e provuar që pronat e shqiptarëve janë prishur, ringritur e riprishur pikërisht për shkak të kësaj rrëmuje.
Sot, në Shqipëri, vlerësohet se kosto e bizneseve, për shkak të pronës, arrin në 9 për qind të investimit, kur në vendet e tjera kjo shifër është 2-3 herë më e ulët. Fragmentarizimi i pronës dhe risqet e titujve të pronësisë kanë shtrenjtuar çmimet 10-fish në Shqipëri krahasuar me vendet e tjera, duke rritur jo vetëm koston e investimit fillestar të sipërmarrjes, por edhe buxhetit të shtetit, në rastet e shpronësimeve për interesa publike.
Rrëmuja e pronës ka nxitur trafikun e influencës dhe ryshfetin, duke inkriminuar procesin, sepse vetëm për rastin e ndërtimeve, vlerësimet në Shqipëri tregojnë se për 29 për qind të lejeve jepet ryshfet.
Duke e parë edhe më lart panoramën, vëren se në shumë sektorë të ekonomisë, prona është bërë barriera kryesore e zhvillimit. Në bujqësi ka mbetur i lartë fragmentarizimi i fermës prodhuese, ndaj ky sektor po vuan nga prodhimi dhe rendimenti i ulët dhe se kredia për bujqësinë zë vetëm 1.6 për qind të totalit të kredisë së dhënë për ekonominë.
Edhe buxhetit të shtetit – vetëm se në Shqipëri ka edhe pronarë edhe ish-pronarë, i ka lindur një borxh që do të duhen shumë vite për ta shlyer.
Pronësia në Shqipëri është duke mbajtur mjaft të lartë edhe tensionin social. Krimi për motive pronësie, dhe aspekte të tjera të paligjshmërisë, burojnë për shkak të pronës.
Në këtë mjedis kaq ndrydhës dhe pa horizont, investitori i huaj me shumë zgjedhje ka vite që i rri larg Shqipërisë, edhe pse shpesh duket kaq pranë.
Ndaj sistemi që kemi zgjedhur në Shqipëri sot nuk funksionon plotësisht, sepse guri i themelit të tij, prona, nuk është aty.