Nacionalizëm dhe kozmopolitanizëm janë dilema false

Nga Lulzim Hoxha, botuar në Mapo Online, 3 prill 2015

Javën e kaluar, në prag të ndeshjes së kombëtares shqiptare me Armeninë mori hov diskutimi i radhës mbi nacionalizmin dhe identitetin. Në rrjedhën e këtij diskutimi, nacionalizmi kuq e zi me sfond turbo-folk u kritikua duke u vendosur në disnjuksion me kozmopolitanizmin shumëngjyrësh, i cili priret ta shohë individin jo më si qytetar të një kombi të caktuar, por si qytetar të botës.

Në pamje të parë, parimi nacionalist dhe ai kozmopolit duken të papajtueshëm me njëri-tjetrin. Nëse i pari përqendrohet në identifikimin e elementeve të veçanta dalluese të një kombi, i dyti priret ta vendosë theksin tek elementet e përbashkëta, teksa të veçantat i sheh si dytësore.

Nëse nacionalisti priret të mbivlerësojë elementet partikulare duke i dhënë një formë sui generis, nga ana tjetër kozmopoliti priret të mbivlerësojë elementet universale duke u bazuar në idetë e humanizmit të shek. XVIII-XIX sipas të cilit përtej diferencave fetare, etnike, racore apo linguistike, të gjithë njerëzit kanë një truall të përbashkët ku dominon elementi i ‘njerëzores’.

Me gjithë diferencat që mund të kenë këto dy botëkuptime, dilema nëse duhet të jemi nacionalistë apo kozmopolitë nuk duket se na sjell ndonjë përsiatje të re teorike për sa i përket diskutimit mbi identitetin dhe nacionalizmin. Dy ndër studiuesit më të njohur të nacionalizmit dhe identitetit (Eric Hobsbawm dhe Gerard Delanty) nënvizojnë faktin se botëkuptimi nacionalist dhe ai kozmopolit në të vërtetë janë komplementarë dhe jo përjashtues me njëri-tjetrin.

Tek “Kombet dhe nacionalizmi që nga 1780”, Hobsbawm shkruan se “Nacionalizmi dhe arsyetimet për përmirësimin racor shkojnë krah për krah me entuziazmin për revolucionin industrial dhe, çka është më e habitshme, për krijimin e një grupi të qytetarëve të botës (Weltburger)”. Sipas kësaj qasjeje duket se kozmopolitanizmi nuk është veçse streha e radhës e nacionalizmit dhe kombit në kontekstin e një shoqërie globale të qeverisur nga organizatat shumëkombëshe. Kësisoj, koncepti “komb” nuk duhet parë si njësi monolitike, por si një koncept në ndryshim e sipër në varësi të rrethanave historike dhe kontekstit ekzistues.

Në kontekstin shqiptar, kozmopolitanizmi nuk duhet konceptuar si një qëllim dhe ideal që duhet arritur për të lënë pas nacionalizmin turbo-folk, për sa kohë që kozmopolitanizmi i promovuar nga ideologjia neoliberale dhe organizatat ndërkombëtare është saktësisht streha që mundëson parodinë e nacionalizmit turbo-folk.

Duke qëndruar në të njëjtën linjë me Hobsbawm, në artikullin “Self, other and world: discourses of nationalism and cosmopolitanism” Gerard Delanty na kujton se Moderniteti ishte periudha e lindjes së kombeve moderne por njëkohësisht ishte edhe periudha e kozmopolitanizmit.

Zgjatimi i idealit kombëtar në kozmopolitanizmin post-nacional u mundësua vetëm nga shtetet-kombe të cilat kishin një homogjenitet kulturor të konsiderueshëm dhe një rend kushtetues të stabilizuar. Me fjalë të tjera, sipas autorit, kozmopolitanizmi lindi si një instrument në duart e kombeve të zhvilluara që kishin si synim përhapjen e kulturës së tyre përtej kufijve kombëtar.

Për shtet-kombet Ballkanike të dala në jetë pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane, kozmopolitanizmi vetvetiu nënkuptonte rreshtimin kah nacionalizmit dhe traditës popullore si mjet rezistence kundrejt hegjemonisë kulturore të kombeve të zhvilluara. Në kohët e sotme, në vend që parimi kozmopolitan të çonte në zbehjen e ideologjisë nacionaliste, përkundrazi duket se kozmopolitanizmi po i bën edhe më të dukshme diferencat etnike, fetare, apo linguistike.

Kozmopolitanizmi nuk është zgjidhja dhe as ideali i ri që duhet arritur nën strehën e organizatave ndërkombëtare. Në fakt, funksioni i kozmopolitanizmit është krejt minimal. Ai mëton evidentimin e faktit se identiteti kombëtar nuk përbën thelbin e përkatësisë së individit në shoqëri.

Nëse këtë funksion e përkthejmë në nivel normative si ideal ndërkombëtar duke e kthyer si qëllim në vetvete, atëherë jemi një hap larg simptomave perverse të nacionalizmit, veçse kësaj here do na duhej të gjejmë përkatësi identitare me gjithë botën (Sipas sloganit “qytetar i botës”) ose të paktën me Europën (Sipas sloganit “qytetar Europian).

Në analizë të fundit, kozmopolitanizmi kitch dhe nacionalizmi turbo-folk janë dy anë të së njëjtës medalje për sa kohë të dy kanë si ideal përkatësinë e individit në kolektivitete krejt fiktive. Nëse kozmopolitanizmi është forma e re dhe shkalla më e lartë evolutive e nacionalizmit dhe hegjemonisë kulturore të Perëndimit, të zgjedhësh mes dy ngjyrash dhe shumë ngjyrash, duket një dilemë e rreme.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi