Si të bëhesh militant partiak, pa e ditur as vetë
Nga Sokol Shameti, botuar në Shqip, 2 prill 2015
Militant partiak sot mund të jesh edhe pa e kuptuar. Nuk është militant vetëm ai që ka një shall të PD-së apo PS-së në qafë. Militant është sidomos ai që me sjelljen e tij e ndihmon sot këtë sistem të ngritur nga PS-ja dhe PD-ja që të jetë funksional, të jetë thelbësor dhe të jetë vendimmarrës për jetën e njerëzve.
Një militant i këtillë partiak mund të jetë kushdo. Mund të jetë një gazetar akrobat që shtiret për i pavarur, por që nuk i rresht së ofruari publikut gjellën e lirë të gatuar nga kuzhinat partiake a thua ajo është kulmi më i rafinuar i kulinarisë së politikës. Gjithashtu, militant partiak mund të shndërrohet pa e kuptuar as vetë, dikush i veshur me petkun e shoqërisë civile. Mund të jetë një donkishot i kohëve moderne që vihet në lëvizje thjesht nga dëshira e mirë për ndryshim. Mund të jetë një kalorës i aktivizmit pro çështjeve qytetare.
Misioni i militantit sot është të na nxisë të mos mendojmë si pengohet qysh në zanafillë mundësia që pushteti të shkaktojë shkatërrim. Halli i tyre është që ta humbim kohën me shpëtimin imediat prej shkatërrimit vetëm në fund të procesit, pasi shkatërrimi është bërë fakt i kryer.
Të mos mendojmë – na ftojnë militantët sot – por të shpëtojmë çfarë mund të shpëtohet. Të shpëtojmë digën e Liqenit. Të shpëtojmë universitetin. Të shpëtojmë kopshtin zoologjik. Të shpëtojmë ndonjë lulishte. T’u kërkojmë autoriteteve të ndalin shkatërrimin e kësisoj të na sjellin shpëtimin që po u kërkojmë.
Kështu, përmes mbajtjes në rolin e shpëtimtarit të atyre që e sollën situatën deri te shkatërrimi, ne e ndihmojmë sistemin që prodhon shkatërrim. Pra, mbajmë në lojë sistemin shkatërrimtar duke i dhënë atij edhe atributet e shkatërruesit, por sidomos ato të shpëtimtarit.
Kjo lloj filozofie na inkurajon të mos mendojmë rrugëdalje përtej sistemit, por vetëm brenda tij. Ajo propozon që të mos kërkojmë shërim të shkaqeve të krizës, por vetëm të menaxhojmë krizën atëherë kur kjo ka arritur aty ku s’mund të prapësohet më.
Kjo lloj filozofie e ngre në piedestal menaxherin “e mirë”. E asocion përherë menaxherin me epitetin e mirë, sepse për këtë sistem menaxheri në fakt është i mirë ngaqë nuk ngre pyetje, por thjesht “sajon” zgjidhje nga problemet që shkakton vetë sistemi.
Një shoqëri që ka për model një tjetër figurë nga ajo e menaxherit “të mirë”, është një shoqëri që synon të mos kënaqet me sajim zgjidhjesh emergjente, por të ngrejë pyetje. Por ne nuk jemi kjo shoqëri. Në shoqërinë tonë, antiheroi i modelit të menaxherit të mirë është ajo e kritikut të keq. Sepse ky model i fundit, ky antihero, prish punë. Ai ngre pyetje. Pyetja siç dihet provokon mendim. Mendimi zbulon të vërteta. Dhe e vërteta është e dëmshme. Në fund, kjo filozofi na shitet madje edhe për pozitivizëm dhe për punë të dobishme. Në fakt është shërbimi më i madh që mund t’u bëhet shkatërruesve.
Në fund të ditës, një shkatërrues në pushtet nuk ka qëllim final shkatërrimin, por qëndrimin në pushtetin që i jep mundësi të fitojë përmes shkatërrimit. Duke i faktorizuar shkatërrimtarët, duke negociuar me ta dhe duke i konsideruar si adresë shqetësimi, ne thjesht ua njohim këtë pushtet.
Kështu ne i konfirmojmë ata në krye dhe u krijojmë premisën që të prodhojnë më shumë shkatërrim. Të negociosh me shkatërruesit është si të negociosh me terroristët. Duke hyrë në pazar me ta, ti e pranon për alternativë shkatërrimin ashtu si terrorizmin. E legjitimon atë.
Refuzimi është përgjigjja, por për të arritur deri aty është i nevojshëm para së gjithash edukimi. Është i nevojshëm ushqimi i përditshëm i vetes me retorikën e shëndetshme të kritikës që vë në pikëpyetje gjithçka që e kanë paketuar bukur qëllimisht për t’i fshehur brendinë e dyshimtë.