Paratë e krimit

Nga Fatos Çoçoli, botuar në Shqiptarja.com, 1 prill 2015

Fatos-Cocoli-320x240Edhe pse krimi ekonomik në vendin tonë duket se po zbulohet dhe ndëshkohet në nivelet më të larta ku ai ka mundur të depërtojë për të ndikuar, në majat e politikës, rrënjët e tij të paprekura janë në fondet që e mbajnë në aktivitet të plotë.

Këto fonde janë para të ardhura nga trafiqet e drogës apo prostitucionit, që kanë fituar “qytetarinë” në ekonominë shqiptare duke u pastruar në dyqane, bare, pika bastesh sportive, restorante, apartamente, pallate të tëra të ndërtuara, motele e hotele. Krimi ka paguar tatimorë e doganierë, nëpunës arkivash e hipotekash, të gjendjes civile, etj, duke fituar “letra të pastra” për kapitalet që ka investuar.

Ka madje edhe filiale bankash që kanë rënë në këtë rrjetë të stërholluar të pergatitur me shumë kujdes nga mafiozët shqiptarë. Deri tani shoqëria shqiptare ka reaguar pak ose asfare për lidhjet e krimit dhe përhapjen e tij të gjerë në jetën e vendit dhe në ekonomi. Është mjaftuar me akuzat e kundër-akuzat e politikanëve të dy formacioneve kryesore kundërshtare, edhe pse këto veprime kanë patur shumë pak baza të vlefshme për t’u marre parasysh nga një organ profesional i akuzës.

Kanë munguar denoncimet e qytetarëve kurajozë, aq të përhapura në vendet perëndimore që duam t’u ngjajmë, ku vetë qytetari mbrohet dhe zbulon, me ndihmën e policisë dhe prokurorëve të aftë e të ndershëm, kriminelin e lagjes apo të bllokut ku banon. Krimi tek ne, edhe pse po goditet në nivelet ku ai ndikon në politikën e vendit, e ka të paprekur fuqinë, pse nuk i janë dëmtuar fondet që ka tjetersuar nga fitimet e paligjshme.

Në momentin kur ish-Kryeministri kroat u arrestua për marrje rryshfetesh nga kompani dhe një bankë e huaj, atij ju sekuestruan dhe ju bllokuan të gjitha llogaritë bankare. Këtu tek ne, në rast se duam që krimin ta kufizojmë në skutat nga ka filluar, duhet të hetojmë me qetësi e metodikë çdo gjurmë të parave të butikëve, dyqaneve, restoranteve, kafeneve, apo edhe kompanive që rrine kot në qendër të qyteteve tona, pa xhiro, pa këmbë klienti, dhe që mbahen vetëm nga fonde shumë të dyshimta.

Këtë mund ta bëjë vetëm një strukturë e specializuar dhe strukturat e Krimit Ekonomik brënda Policise apo Prokurorisë sonë janë të pamjaftueshme. Së pari, nuk mjafton stafi i tyre, i përbërë vetëm nga policë apo hetues karriere, pse kërkohen financierë, ish-bankierë, punonjës hipotekash,etj., të aftë të zbulojnë tentakulat ekonomike të krimit. Sikurse e ka cilësuar vetëm gjashtë muaj më parë Kryeproklurori britanik Oliver Heald: ”Krimi është gjithnjë një hap përpara nesh.

Ai përbën një rrezik real për shoqërine, demokracinë dhe ekonominë tonë. Agjencitë e zbatimit të ligjit dhe rregullatorët kërkojnë t’i bëjnë ballë, duke zbatuar ligjet ekzistuese për sjellje kriminale që nuk kanë qenë në momentet kur u miratuan këto ligje. Krimi është sofistikuar dhe ka kapur kompani me emër, banka dhe shërbimet financiare. Ligjvënësit bëjnë të pamundurën për të zhvilluar rregulla që do të parandalojnë këto probleme të ndodhin, por pa e ditur se si biznesi kriminal po zhvillohet sot dhe në të ardhmen”.

Dhe për ne, këtu në Shqipëri, për strukturat përgjegjëse të Shtetit tonë, kryesorja është të dinë se si vepron krimi me paratë e tij. Ku i investon, ku i fsheh, kur i vë në lëvizje, ku i shumëfishon. Për këtë Policia e sidomos Prokuroria, kanë nevojë për informacionet nga Hipotekat, për informacione të detajuara nga drejtoritë e tatimeve dhe doganave, për hetime të thelluara e kapilare për kompani të dyshimta, apo hotele, motele, dyqane e pika llotosh, pronarët e të cilave kanë mbirë pa asnjë lloj aktiviteti apo gjurme biznesi në të kaluarën.

Sigurisht që në këta pronarë pa gjurmë të mëparshme biznesi e investimesh, ka edhe njerëz normalë që kanë trashëguar një pasuri apo fituar para e prona në formë dhurimesh. Por këta janë të paktë. Më të shumtët ose janë vetë mafiozët e drogës dhe prostitucionit, të konvertuar në sipërmarrës, ose farefis e miq të tyre, që menaxhojnë për llogari të tyre paratë e krimit. Pa këtë zhbirim e hetim në nivel kombëtar e të plotë, nuk do të jemi në gjendje kurrë ta godasim fort dhe në zemër krimin ekonomik shqiptar.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi