Në zgjedhje pa ofruar zgjidhje?
Nga Afrim Krasniqi, botuar në Shqiptarja.com, 1 prill 2015
Selitë e partive politike janë bërë objekti dhe burimi kryesor i lajmit ditor, për shkak të negociatave mbi emrat e mundshëm për kryetarët e rinj të qeverisjes vendore. Pjesa më e rëndësishme e procesit, sipas vetë partive, është përzgjedhja e individëve, sidomos përcaktimi i koalicioneve dhe aleancave politike.
Pjesa tjetër, ajo e integritetit të emrit dhe konkurrimit të cilësive për të arritur tek emir, dhe sidomos, oferta elektorale programore e kandidatit, janë dhe mbeten dytësore, jashtë vemendjes së partive dhe axhendës së tyre prioritare politike. Qoftë edhe ky tregues i nivelit dramatik të demokracisë përfaqësuese në Shqipëri, i bën zgjedhjet lokale të qershorit një praktikë rutinë, pa pritshmëri të mëdha.
Ka një aspekt të dytë që palët politike dhe kandidatët pretendues për kryetarë të 61 bashkive nuk e citojnë dhe as i japing vëmëndje, por që prek thelbin e qeverisjes qytetare në katër vitet e ardhshme. Për shkak të ndarjes së re territoriale drejtuesit e rinj vendorë do kenë territor dhe përgjegjësi të reja nën administrim, pritshmëri dhe detyrime të tjera, numër më të madh qytetarësh votues dhe pretendues për të përfituar nga shërbimet lokale, por edhe sipërfaqe e buxhet më të madh për administrim.
Ndarja është bërë, por e pa shoqëruar me legjislacionin plotësues, – kompetencat dhe ndryshimet strukturore dhe cilësore në raportin midis qeverisjes vendore dhe qëndrore. Autoritetet zyrtare dhe partnerët ndërkombëtarë të përfshirë në proces, paralajmërojnë se ligji organik mbi qeverisjen vendore do të jetë gati për miratim politik në fundin e vitit 2016, pra në gjysmën e dytë të mandatit të kryetarëve të rinj të bashkive.
E thënë kështu, kryetarët e rinj do të vijojnë të drejtojnë me ligjin e vjetër dhe plotësimet formale që pritet të bëhen këtë muaj, dhe mbeten në pritje të ligjit të ri për të mësuar se cila do jetë hapësira reale e kompetencave dhe përgjegjësive në administrimin lokal.
Në këto rrethana pyetja më e rëndësishme mbetet: për cfarë do votojnë shqiptarët më 21 qershor? Cfarë do propozojnë kandidatët për kryetarë dhe partitë konkurruese, kur asnjëra palë nuk është në dijeni të plotë mbi kompetencat e pushtetit vendor, që pritet të hyjnë në fuqi në vitin 2017? Si do të paraqiten programe, platforma dhe premtime për dicka që nuk ekziston, që nuk ka mbështetje logjike politike dhe as financiare dhe që është e mbetet subjective derisa të miratohet ligji organik?
Cfarë premtimesh mund të bëjë një kryebashkiak për arsimin, shëndetësinë, kulturën, legalizimet, pronat, rendin dhe qetësinë, sistemin e taksave për bizneset e mëdha, planet rregulluese, etj, kur këto kompetenca vijojnë të jenë monopol i qeverisjes qëndrore dhe që deri në daljen e ligjit të ri, ende nuk janë përgjegjësi e kryetarëve të rinj të bashkisë?
Si mund të llogaritet efikasiteti i punës dhe mbajtjes së premtimeve kur asnjë kandidat nuk është në dijeni mbi mjetet monetare në dispozicion në bashki, të drejtat e bashkisë, madje as të kufijëve administrativë të bashkisë dhe borxhet ose detyrimet që ajo trashëgon pas llogaritjeve të ndarjes së re administrative?
A mundet bashkia të jetë zëri qytetar kur ende nuk ligjërohet e drejta e saj monopol për vendimmarrje në problematikat thelbësore të qytetit dhe jetës në të, nuk ka specifikime të kompetencave të kryetarit dhe këshillit, dhe as rishikim të raporteve të tyre me organet e zgjedhura, sic është prefektura apo sistemi paralel më burim ministritë e linjës?
Shembulli i Vlorës, psh, kur bashkia vendos ndryshe dhe një pushtet i pavotuar jashtë saj anullon vendimin, nuk është vetëm cështje administrative, është cështje që ka të bëjë me thelbin e konceptit mbi qeverisjen vendore. A do jetë ajo autoriteti kryesor në problematikat lokale? A mund të ketë autoritet tjetër konkurruese, në kushtet kur vetëm kryetari i bashkisë zgjidhet direkt nga qytetarët? Kush ka më shumë të drejtë morale të flaës në emër të qytetarëve sesa ata zyrtarë që votohen dhe votbesohen prej tyre?
Dhënia e përgjigjes mbi këto pyetje u jep përgjigje modelit të qeverisjes lokale aktuale dhe në dekadën e ardhshme. Politika aktualisht nuk ka përgjigje për asnjërën prej tyre, as partitë, as kandidatët, as qeveria dhe as rrjetet e grupeve të interesit që veprojnë në këtë fushë. Sepse një demokraci e brishtë nga një demokraci funksionale dallon pikërtisht në sistemin e vlerave, prioriteteve dhe përfqësimit që mbart dhe krijon.
Modeli ynë merret me emrat, ka prioritet vetëm fitoren elektorale dhe refuzon përfaqësimin direct, kurse modeli i demokracisë funksionale diskuton më shumë për parimet, programet, kompetencat, reformat e mëdha sesa për emrat, aleatët, pazaret dhe interest nepotike të oligarkisë që drejton prej vitesh partitë kryesore.
Parë në këtë këndvështrim dhe nëse askush nuk u jep përgjigje pyetjeve të mësipërme, 21 qershori nuk ka vlerë tjetër përvecse votimin rutinë për të zëvendësuar ca zyrtarë lokalë me ca të tjerë të të njëjtës palë politike ose të palës tjetër. Dicka tërësisht e pamjaftueshme, pa sens, pa ndikim në rritjen e demokracisë dhe krejt e kundërt me pritshmërinë publike dhe detyrimin institucional pas procesit të reformës së re territoriale.
Dicka që mendjet e arsyeshme nuk e pranojnë, por që në një shoqëri të dominuar nga propaganda, padija, militantizmi, etja e pushtetit dhe kultet e liderëve politikë, – nuk ka vlerë tjetër përvec asaj statistikore. Teza profesionale dhe universal se demokracia është shumë më tepër sesa procedurë dhe statistikë, është përmbajtje, transparencë, konkurrencë dhe sistem vlerash, – mbetet e huaj për Tiranën politike ku në vend të ideve e projekteve të mëdha flitet vetëm për emra dhe fasada pas tyre.
Afrim Krasniqi